Akuza/Veliaj rrezikon deri në 12 vite burg

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u paraqit mëngjesin e së enjtes në Prokurorinë e Posaçme, ku do të merret në pyetje lidhur me dyshimet për korrupsion.

Veliaj, i cili ka shërbyer si kryebashkiak i Tiranës që prej vitit 2015, dhe më herët deputet dhe ministër, u thirr në Prokurorinë e Posaçme në kuadër të hetimeve për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë.

Hetimet, të drejtuara nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado, përqendrohen në dyshime të arsyeshme se kryebashkiaku ka konsumuar elementë të veprës penale, duke përfituar në mënyrë të tërthortë përmes bizneseve të lidhura me familjarët e tij dhe biznesmenin Elman Abule.

Gjatë këtij muaji, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar telefonin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe ka ushtruar kontroll në ambientet e qendrës “Harabel” dhe të “Nan Gallery”, të themeluara prej saj.

Si pjesë e hetimeve, SPAK ka kontrolluar gjithashtu një apartament dhe një vilë në pronësi të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj, biznesin e tij “Gogel Shpk” dhe kompaninë “Rametal Shpk”, në pronësi të biznesmenit Abule.

Abule është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për pastrim parash në vlera prej miliona eurosh dhe dyshohet se ka lidhje me krimin e organizuar.

Pas akteve të kontrollit të ndërmarra nga Byroja Kombëtare e Hetimit ndaj familjarëve të tij, Veliaj deklaroi se është i hapur ndaj çdo hetimi nga SPAK, ndërsa akuzoi median dhe opozitën për organizimin e një “gjyqi publik”.

“Prej kohësh hetimin dhe gjykimin tim e bëjnë opozitarët e zhytur në llumin e korrupsionit dhe të ‘ashtuquajturat media’, që luftojnë çdo zyrtar apo funksionar publik që nuk bie pre e presioneve dhe shantazheve të tyre për përfitime të padrejta,” tha Veliaj.

“Familjarët e mi dhe unë, si qytetarë të këtij vendi dhe unë, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, do të jemi gjithmonë të hapur për çdo veprim dhe vendim të institucioneve të drejtësisë. Megjithatë, nuk mund të mos përbuzim çdo të pavërtetë që synon dëmtimin e imazhit tonë dhe përhapjen e dezinformatave mbi punën e këtyre institucioneve,” shtoi ai.

Vepra penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë” parashikohet nga neni 260 i Kodit Penal dhe dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet, si dhe me gjobë nga një deri në pesë milionë lekë.m /BIRN

About Krye Redaktor

Check Also

Italia: Përgjimet e SKY ECC mund të përdoren si prova ndaj krimit

Përgjimet e mbledhura nga platforma SKY ECC, sipas Gjykatës së Kasacionit në Itali mund të …