Kryetari i PD, Sali Berisha denoncoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për rolin e tij në aferën e inceneratorëve, një projekt që ai e cilësoi si vjedhjen më të madhe të shekullit.
Berisha e akuzoi Veliajn për bashkëpunim në ndërtimin e djegësit të Tiranës me koncesion, duke theksuar se ai kishte firmosur për financimin dhe mbikëqyrjen e punimeve, por që tani nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Ai kritikoi gjithashtu hetuesit dhe drejtësinë, duke theksuar se, ndërkohë që ka fakte të pakundërshtueshme për Velinë, nuk ka pasur asnjë ndjekje ligjore ndaj tij.
“Zonja dhe zotërinj së fundi nuk mund të mos ndalem në luftën e egër që ka tejkaluar çdo përmasë, në gjirin e partisë së krimit.
Siç e patë, Erion Veliaj njeriu që prej vitesh rrah gjoksin dhe pretendon se është dyshi dhe pak më shumë i PS-së, dje kolegët e telendisën me 5 orë të tjera, në Skapin e partisë dhe kjo erdhi pas një bastisje të shtëpisë dhe studiove të madamë Veliajt. Por të dashur qytetare e qytetarë.
Me lutjen time të njerëzishme mbani parasysh, Erion Veliaj është bashkautori i vjedhjes së shekullit me inceneratorët. Dokumente zyrtare të pakundërshtueshme faktojnë se Erion Veliaj është iniciatori i ndërtimit me koncesion të djegësit të Tiranës.
Dy, është njeriu që ka marrë përsipër me firmë dhe vulë, me firmën e tij se Bashkia e Tiranës dhe të qarkut të Tiranës do të përballojnë shpenzimet për ndërtimin e tij.
Është njeri që me firmë dhe vulë është zotuar se do të ndjekë punimet e këtij objekti dhe do të rakordojë muaj për muaj edhe me situacionin për ecurinë e këtyre punimeve.
Sot të dashur qytetare e qytetarë, nuk ekziston asnjë gjurmë për djegësin e Tiranës përveç se një mal plehrash që quhet mali Veliaj dhe një qytetar me të drejtë propozonte që një bust të vendosej mbi këtë mal dhe të ishte busti i Dumanit dhe kishte shumë të drejtë qytetari.
Por për këtë grabitje të tmerrshme, për këtë zhdukje të 130 milionë euro të taksave të shqiptarëve, Erion Veliaj nuk ka asnjë akuzë.
Altin Dumani zgjodhi të lëshojë mandat arresti për Arben Ahmetaj i cili mbi bazën e dokumenteve zyrtare e ka kundërshtuar katër herë ndërtimin e djegësit të Tiranës dhe herën e fundit, ka shkrojtur ‘no coment’ pasi Erion Veliaj kishte firmosur se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar financimin e tij. Jo vetëm këshilli bashkiak, por edhe këshilli i qarkut të Tiranës.
Në këto kushte, ju garantoj se Arben Ahmetaj ka qenë në mbrojtje të kushtetutës së vendit.
Pse? Sepse kushtetuta nuk lejon qeverinë qendrore të ndërhyjë në asjë projekt që merr përsipër të financojë qeveria lokale, përveç se projekte që mund të kenë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe që në këtë rast është spiral i tërë veprimesh që duhen krye për të frenuar një projekt që kërcënon sigurinë kombëtare.
Pra ‘no comment’ i Arben Ahmetaj ka qenë respekt i Kushtetutës.
Dhe Altin Dumani firmos urdhër arresti për njeriun që kundërshtoi 5 herë ndërtimin e djegësit të Tiranës dhe nuk lëshon një pyetje të vetme për Erion Veliajn që është edhe promotori kryesor bashkë me Edi Ramën i ndërtimit të djegësit të Tiranës”, tha Berisha.