Zgjerohet “pika e voçkël” e Kumbaros në Butrint, Rama shton me 18 mijë m2 ndërtim resortin e “Alb Star”

Nga Klodian TOMORRI

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit ka vendosur me një të rënë të lapsit thuajse të dyfishojë sipërfaqen ndërtimore të kompleksit Manastiri Resort, që po ndërtohet në parkun e Butrintit.

Në lejen e ndryshuar, sipërfaqja e ndërtimit të këtij resorti rritet në 45.3 mijë metër katror ndërtim, nga 27.3 mijë metër katrorë sipërfaqe ndërtimi që ishte në lejen origjinale. Vendimi që rrit me gati dy herë betonin dhe sipërfaqen ndërtimore të resortit është marrë në korrik të këtij viti.

Sipas hartës së konsultuar nga Kapitali, KKTU ka vendosur të shtojë sipërfaqen e ndërtimit si mbi tokë ashtu dhe atë nën tokë. Sipërfaqja ndërtimore mbi tokë është shtuar me më shumë se 10 mijë metër katrorë, ndërsa pjesa e mbetur e shtesës vjen nga shtimi i sipërfaqeve nën tokë.

Rritja me gati dy herë e sipërfaqes së ndërtimit, rrit betonin që derdhet në parkun më të rëndësishëm të Shqipërisë. Koefiçenti i shfrytëzimit të truallit për ndërtim në këtë resort është rritur nga 20 për qind në 32 për qind, ndërsa intensiteti i ndërtimit nga 0.4 në 0.6.

Manastiri Resort
Manastiri Resort është një projekt kontrovers që ndërtohet nga kompania Alb Star e Idajet Ismailajt. Për t’i hapur rrugë ndërtimit të këtij resorti, qeveria zvogëloi sipërfaqen e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Butrintit me 800 hektarë, përmes një vendimi okult.

default

Sipërfaqja e hequr prej 800 hektarësh, në një pjesë të së cilës është ngritur “Manastiri Resort” ishte përfshirë në zonën e Parkut të Butrintit prej vitit 2005 dhe gëzonte statusin e mbrojtur në kategorinë “B”, ku nuk lejoheshin zhvillime ndërtimore intensive.

Projekti “Manastiri Resort”, fitoi statusin e investimit strategjik në fund të vitit 2021 me një vendim të Komitetit të Investimeve Stategjike që drejtohet nga Kryeministri Edi Rama.

Cështja u shndërrua në një skandal të madh duke shkaktuar debate në Parlament. E vënë përpara akuzave të opozitës për korrupsion dhe shkatërrim të parkut kombëtar, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e quajti një “pikëz të vogël” atë pjesë që do të shkëputej nga Parku i Butrintit, për t’u kthyer në resort privat nëpërmjet një “investimi strategjik”.

Tashmë, Plazhi i Manastirit, pra ajo “pika e voçkël” është shndërruar në një masiv vilash prej betoni, të cilat kanë bllokuar tërësisht aksesin e pushuesve në një prej gjireve më të bukura të Rivierës Shqiptare.

UNESCO e alarmuar
Në fillim të këtij viti, Citizens Channel publikoi një raport ë UNESCO-ICOMOS, i cili kritikonte me “shqetësim të thellë” rrudhjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Referuar paraqitjes së hartave të përfshira në këtë raport, kjo sipërfaqe fillon nga Ksamili dhe zgjatet deri në gjirin e Manastirit, që ministrja Mirela Kumbaroi i referohet si “pika e voçkël”.

“Ekziston një situatë ku zona tampon e Parkut Kombëtar e Trashëgimisë Botërore tani përfshin edhe një resort të madh turistik” – ngre shqetësimin raporti.

Duke e konsideruar një “qasje pragmatiste” vetë Ministria e Kulturës është justifikuar para grupit vëzhgues të UNESCO-s se “po sakrifikon këtë pjesë të vogël të vijës bregdetare, afërsisht 100-150 ha, por do të çimentonte zgjerimin e mëtejshëm të urbanizimit, duke ruajtur kështu 9000 ha nga parku kombëtar”.

Ai i referohet periudhës 26 – 28 tetor 2023 dhe përmban kritika mbi mënyrën e administrimit dhe ndryshime në kufijtë e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Citizens Channel siguroi raportin nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, ndërsa UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) i tha Citizens se raportet nga misionet këshillimore mund të ndahen publikisht vetëm në marrëveshje me shtetet, palë të interesuara.

“Kjo tregon mungesë ndërgjegjësimi nga ana e autoriteteve për funksionin mbrojtës të zonës tampon”, – kritikon raporti vendimin e janarit 2022 për reduktimin e sipërfaqes.

Zona buferike e çdo trashëgimie botërore është një hapësirë tampon që rrethon zonën e mbrojtur, dhe si e tillë ka kufizime ligjore në përdorimin dhe zhvillimin e saj.

Heqja e kësaj sipërfaqeje prej 800 ha nga Parku Kombëtar, nuk është njoftuar në Qendrën e Trashëgimisë Botërore. Rrudhja e zonës B simbolizon një ndryshim në sistemin mbrojtës të zonës buferike, e cila tani është jashtë Parkut Kombëtar për t’u mbushur me beton masiv./ Kapitali.al

About Redaksia

Check Also

Alizoti: Shqipëria ka kaluar në rang karteli nga politika e Ramës!

Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, i ftuar në studion …