Andi MUSTAFAJ
Pranvera SHEHAJ
“Ku janë këta të Brain Gain, nuk i shohim në ekrane e as në rrjete sociale?” – kjo ishte në thelb pyetja që iu bë në një prej emisioneve më të ndjekura të televizionit Kryetarit të Partisë Demokratike teksa ky i fundit po fliste për risitë e ndryshme që kishte Partia që prej Rithemelimit.
Kjo pyetje, në kulmin e shikueshmërisë si intervistë e tij pas daljes nga arresti politik, jehoi tek ne si anëtarë të Departamentit Brain Gain më shumë nga ç’mund të ketë jehuar në veshin e kujtdo tjetër.
Thirrje dashamirëse për të na ftuar “në lojën e vëmendjes” apo thirrje e sinqertë sepse vërtet nuk na kishin parë diku, çfarëdo të ishte, pyetja përplasi mes nesh emocionin me arsyen. Të bërtisnim në revoltën e nevojës për t’u dëgjuar se ne ishim aty, apo të shihnim përtej duke ndarë me gazetarin e këdo që është përplasur me emrin e departamentit qoftë edhe njëherë, teorinë tonë të punës?
Për pragmatistët, kjo e dyta nuk do ishte lëvizja më e zgjuar, për oportunistët aq më pak, për ne që prej dy vitesh tashmë kemi zgjedhur të shohim përtej vetes, ndarja me cilindo e gjykimit dhe perceptimit tonë për kontributin që një përfaqësues politik/i ri duhet të ketë në partinë ku aderon, është e duhura.
Ajo pyetje, falë forcës amplifikuese që ka drita e kamerës, hodhi dyshim mbi praninë dhe ekzistencën e të rinjve të Brain Gain në PD e politikë, çka do të thotë se peshoi përtej ekranit mbi përpjekjet tona të deritanishme. Megjithatë, po aq përforcoi ajo tek ne bindjen se ka nevojë për kthjellim mbi vendin, rolin dhe kontributin e përfaqësuesit politik në sistemin shqiptar.
Përplasja e dy skemave të kundërta mbi rolin dhe vendin e përfaqësuesit politik.
⦁ Ku qëndron përfaqësuesi politik sipas pyetjes së gazetarit?
Dalja në media si kriter vlerësimi për ekzistencën dhe valencën politike, e shtyn përfaqësuesin politik/të riun drejt një roli dhe pozicioni të paracaktuar në dështim. Duke mos patur një lidhje qoftë korrelative, e aq më pak shkak-pasojë mes shfaqjes në televizion a rrjete sociale dhe strukturave politike, një kriter i tillë e bën përfaqësuesin politik/të riun viktimë të një iluzioni konjitiv.
Ky iluzion konjitiv i tij, i cili i shkëputur nga realiteti në strukturat politike, investohet vetëm në dritat e kamerës duke krijuar me veten perceptimin e përfaqësimit real politik, tejçohet në publik dhe krijon perceptimin e rremë të intensitetit të angazhimit edhe aty.
Përfaqësuesi politik/i riu zënë në grackën e këtij kriteri, beson se ka me vete mjetin e qëllimit politik, votën, duke e ngulitur këtë flluskë iluzioni edhe tek publiku konsumator mediatik, ndërsa mbetet krejt i shkëputur nga ata që përfaqësuesi/i riu beson se përfaqëson.
Mbetur në këtë qasje, nëse dakordësojmë se prioritet i rëndësishëm i ekzistencës dhe peshës politike është media, atëherë pranojmë se rrjedhimisht prioritet i rëndësishëm i përfaqësuesit politik është t‘i flasë (kundrejt veprimit deri në një farë pike) audiencës së medias të caktuar, me gjasa, elektorat gri. Kjo devijon qëllimin e aktivitetit politik drejt një beteje për arritjen e shikueshmërisë më të madhe, çka përmes talentit oratorik apo paraqitjes së shkathët në komunikimin publik mediatik, mendohet se çon në përftimin e mbështetjes nga audienca specifike për strukturën politike brenda së cilës përfaqësuesi/i riu është i angazhuar.
Duke e vendosur në këtë pikë të segmentit/vektorit, përfaqësuesi/i riu gjendet përballë popullit, ndërsa pas shpatullave lë vetë Partinë që përfaqëson, të përbërë në numrin më të madh të saj nga anëtarët, midis të cilëve militantët, të cilët janë motorët e veprimtarisë së një strukture politike. Militanti, i vendosur në këtë segment si iniciues dhe ushqyesi i parë i dinamikës politike, punon në drejtim të Partisë, ndërsa kjo e fundit shkarkon këtë kapital politik të akumuluar nga baza tek përfaqësuesi politik, duke pritur prej tij masivizimin e këtij kapitali dhe energjie në popull.
Prej të tillë pritshmërie nis një efekt katenë thyerjesh, të cilat çojnë në dështim të rolit të përfaqësuesit politik për disa arsye. Së pari, për koherencë logjike, nuk duhet harruar drejt kujt është fokusuar beteja e përfaqësuesit/të riut në daljen e tij mediatike, ndaj prej këtu nis thyerja e parë: ajo mes pritshmërisë që kanë aktorët pas shpatullave të tij, militantët dhe Partia, dhe asaj që ai ka për fokus dhe objektiv, audiencën specifike, elektoratin gri.
Së dyti, energjia dhe dinamika e krijuar nga militanti dhe Partia humbet teksa derdhet tek përfaqësuesi. Humbja i dedikohet hendekut në numër mes militantëve, Partisë dhe masivitetit të dinamikës nga njëra anë, dhe numrit të vogël të përfaqësuesve në media nga ana tjetër. Kjo çon në thyerjen e tretë, ku militantët dhe anëtarët nuk ndihen as të vlerësuar as të rëndësishëm për kauzën apo parimet në të cilat besojnë. Përkundrazi, ndihen të vendosur pa vullnet në shërbim të disa individëve, pa kuptuar zinxhirin e delegimit dhe qëllimin nën dritat mediatike të përfaqësuesit.
Së fundmi, ka një tjetër aktor të rëndësishëm që preket nga efekti katenë i iluzionit konjitiv. Kryetari i Partisë, i gjendur përballë trysnisë për të përmbushur pëlqyeshmërinë e pretenduar të publikut, orienton vendimmarrjen e tij duke deleguar më shumë përgjegjësi tek ky përfaqësues/i ri, çka thellon thyerjen dhe hendekun me militantët dhe anëtarësinë. Më shumë i jepet valencë këtij pozicionimi të përfaqësuesit/të riut në angazhimin dhe dinamikën politike, më shumë zhvendoset fokusi drejt një pjese të elektoratit, siç është ai gri, i cili ndonëse thelbësor për çështje të caktuara të jetës në vend, ashtu sikurse në betejën elektorale, nuk ka angazhim konkret në jetën e përditshme politike të vendit. Kthimi i rrjeteve sociale dhe medias nga mjet për të arritur edhe tek ky elektorat si pjesë e një strategjie të përgjithshme, në qëllim që zëvendëson lidhjen me militantët, anëtarësinë dhe pritshmërinë e tyre nga përfaqësuesi/i riu, i jep goditje me kosto elektorale gjithë dinamikës politike të vetë Partisë.
Do të ishte e pasinqertë të përmbyllej shpjegimi i kësaj skeme të parë të pozicionimit dhe rolit të përfaqësuesit politik, pa njohur gjithsesi nevojën për mbulim mediatik që koha ia imponon përfaqësuesve/të rinjve. Të vetëdijshëm për të tillë rëndësi të medias, Departamenti Brain Gain është munduar që brenda skemës së tij të angazhimit politik, të përdorë median dhe rrjetet sociale si mjet për shpërfaqjen tek masa e gjerë e punës sonë në strukturë. Megjithatë, sikundër do të duhej të njihej nga vetë media, terreni që përgatit autokracia si sistem politik, edhe ky mbulim i yni është kushtëzuar si nga mungesa e një ushtrie patronazhistësh, si nga mungesa e fondeve, ashtu edhe nga censura e koordinuar ndaj PD. Edhe pse asnjë nga të mësipërmet nuk ka penguar qëllimin tonë, sërish, duhet thënë se është e padrejtë të krahasosh të pakrahasueshmet.
⦁ Ku duhet të qëndrojë përfaqësuesi politik sipas veprimtarisë së Departamentit Brain Gain?
Nuk do të themi dot asnjëherë mjaftueshëm se politika bëhet në radhë të parë brenda një strukture politike përfaqësuese. Duket si një pohim i thjeshtë, por në fakt tej mase i keqkuptuar. Mënyrë e parë për të ekzistuar politikisht duhet të jetë veprimi brenda strukturës së Partisë, qoftë në organet e zgjedhura (në nivel lokal apo kombëtar), në pjesët administrative të saj (Departamentet dhe Sekretariatet), në organizatat partnere (LDG dhe FRPD për PD) apo në trupat e ndërmjetëm (si Fondacionet, OJF etj.). Duke zgjedhur llojin e angazhimit politik, përfaqësues/i riu ndërton profilin e vet, i cili përshtatur me aftësitë e tij në politikë, pasuron larminë e burimeve njerëzore që struktura disponon për ushtrimin e veprimtarisë së saj politike.
Përfaqësuesi, kuptuar këtu si personi që kërkon të marrë përgjegjësi gjithmonë e më të mëdha, pozicionohet në fillim të ingranazhit të dinamikës politike duke pasur përballë sipas radhës dhe madhësisë së nëngrupimit: militantët, partinë (gjithë anëtarët) dhe në fund popullin. Ky pozicionim ndryshon thellësisht mendësinë e të vepruarit, qasjen dhe rolin e përfaqësuesit në dinamikën politike të Partisë së tij.
Interlokutori i parë për përfaqësuesin politik bëhet militanti, ndërveprimi me të cilin, i siguron përfaqësuesit/të riut çelësin për vendosjen në punë të strukturës. Në një marrëdhënie ushqyese me militantët, përfaqësuesi i “armatos” ata me strategji, ide dhe mjete, duke lëvizur bashkë me ta, duke vepruar bashkë me ta, duke i orientuar dhe përforcuar në strategjinë politike që bashkë ndërtojnë.
Në të tillë rol dhe pozicionim, përfaqësuesi/i riu bëhet impulsi i parë i një dinamike dhe energjie progresive, e cila rritet në mënyrë proporcionale me zmadhimin e strukturës. Militanti, mbi bazën e impulsit të përfaqësuesit krijon impaktin, duke u kthyer kështu nga vëzhgues i shkëputur dhe i papërfaqësuar në skemën e parë, në qendër të ecurisë së punës në strukturë. Ky impakt, i stimuluar nga impulsi i përfaqësuesit me ide, strategji dhe mjete, dhe i ekzekutuar nga militanti, bëhet i prekshëm nëpërmjet gjithë veprimtarisë politike të Partisë, e cila merr forma nga më të ndryshmet.
Në kohë jashtë zgjedhore, kjo dikotomi (Përfaqësues – Militant; Impuls – Impakt) përkufizon thelbin e veprimtarisë politike, më së shumti të një partie opozitare. Kur Partia kërkon të arrijë një rezultat si për shembull nëpërmjet protestave apo zgjedhjeve, impakti i militantit shkon më gjerë tek anëtarët, të cilët vazhdojnë dhe zgjerojnë/zmadhojnë dinamikën drejt popullit.
Krejtësisht në kontrast efekti me skemën e parë, e gjitha krijon një lëvizje pa thyerje, një lëvizje në zmadhim të gjithëkohshëm. Vizualisht, kjo skemë e veprimtarisë politike do t‘i përngjante një hinke të kthyer mbrapsht, në bazën e ngushtë të së cilës, qoftë për nga numri i përbërësve të kategorisë apo nga intensiteti i prodhuar gjendet përfaqësuesi politik, impulsi i të cilit shkon më pas tek militanti, ndërsa impakti i këtij të fundit amplifikohet tek anëtarësia dhe Partia, deri kur veprimtaria e zgjeruar, e pathyer, e bollshme dhe gjithëpërfshirëse, rrezaton drejt popullit.Paralelizuar ndryshe, arsyeja pse “Hinka e kthyer mbrapsht” zgjeron dhe zmadhon impulsin që jep përfaqësuesi politik i vendosur në bazë të saj, i përngjan efektit të valëve.
Përçimi bëhet dorë më dorë, krah për krah, tryezë për tryezë duke iu dhënë i tëri një efekti të natyrshëm që i përngjan valëve që përhapen. Takimi dhe pajisja me ide, strategji, mjete e një militanti, përhapet si valë në 10, 100, 1000 të tjerë, ndërsa shumëfishohet më pas tek anëtarësia. Përfaqësuesi angazhon militantin, militantët angazhojnë njëri-tjetrin, të gjithë bashkë angazhojnë Partinë, e cila si në një valë unisone rrezaton në popull.
Brain Gain në këtë skemë të dytë
“Hinka e kthyer mbrapsht” si skemë e pozicionimit të përfaqësuesit politik/të riut në fillim të ingranazhit të veprimtarisë politike të Partisë, ka qenë prej krijimit të tij filozofia udhëheqëse e Departamentit Brain Gain, e përkthyer në një qasje institucionale në shërbim të strukturave të Partisë. Rikthyer pyetjes si indicie, kjo na bën ekzistentë, por aty ku duhet dhe në shërbim të asaj që duam. Aktiviteti ynë, kontributi ynë, angazhimi ynë, puna jonë kanë pasur për qëllim shtimin, pasurimin dhe përforcimin në aspektin ideues, strategjik dhe propozues në Partinë Demokratike. Si të tillë, ka qenë e pashmangshme që media të mos na njohë, së paku edhe modestisht, por edhe nëse ka dëshirë ta mohojë qoftë edhe dëgjimin e tërthortë për veprimtarinë tonë, është e kuptueshme, sepse akoma më pak kemi synuar ne vëmendjen e saj. Brain Gain ka synuar tjetër njohje: atë me militantin.
Duke u vendosur në shërbim të strukturës pak e nga pak në varësi të profilit të tyre, disa prej anëtarëve janë marrë me artikuj që shtyjnë debatin e ideve dhe propozimeve mbi gjithë hallkat e shtetformimit në vend, deri në hartimin e një vije tërësore propozuese për programin elektoral të Partisë Demokratike për vitin 2025 në botimin “Për Shekullin Shqiptar”; të tjerë anëtarë janë investuar në ndërtimin e mjeteve në shërbim të militantëve dhe anëtarësisë si “Libri i Punëve të Mira”, “Në kërkim të Simboleve”; të tjerë janë angazhuar në protestat e herëpashershme si forcë opozitare; së fundmi, kryesisht në funksion të punës së kryer deri më tani nga Departamenti, me gjithë kushtet e censurës, i jemi përqasur medias si mjet i shpalosjes të punës së deritanishme, ndërsa angazhimi i brendshëm në shërbim të militantëve dhe anëtarësisë vazhdon, tashmë me fokus në hartimin strategjik të argumenteve dhe fakteve për çmontimin e propagandës përpara fushatës zgjedhore.
Diskutim përmbyllës
“Hinka e kthyer mbrapsht” pa suksesin e funksionimit të saj në lëvizjen e Foltores, si casus që shërben si shembull mbi atë çfarë mund të prodhojë lëvizja e duhur e përfaqësuesit politik. Në rastin e Foltores, përfaqësuesi politik u vendos në fillim të ingranazhit, duke zbritur në bazë për t‘i dhënë impulsin e mobilizimit militantëve dhe anëtarësisë. Media, e shkruar dhe vizive, ndoqi qëllimin e saj duke iu bashkuar kësaj tangoje të duhur politike në dërgimin e projektorëve dhe kamerës atje ku shkonte përfaqësuesi politik. Njëjtë si në vijën teorike të shpjeguar më sipër, media ndoqi politikën, ndërsa kjo e fundit i tregoi rrugën për tek militanti, për tek anëtarësia, për tek Partia, për tek populli. Ishte përfaqësuesi politik, ai që tërhoqi dritën e medias në dinamikën e terrenit. Kjo e bën marrëdhënien politikë-media më të shëndoshë, më konstruktive në bashkëpunim, më të sinqertë në ndërveprim. Media i largohet show-t dhe përqafon realitetin politik të terrenit, ndërsa politika dhe përfaqësuesi politik del nga iluzioni konjitiv dhe kryen rolin e tij në energjizimin e Partisë.
Fare pak muaj nga data e zgjedhjeve, kjo skemë duhet të shndërrohet në njësi matëse për energjizimin e strukturave të PD, më së shumti të atyre jashtë Tiranës. Valenca politike duhet të matet nga aftësia për krijimin e impulsit drejt militantëve, “armatosjen” e tyre me mjetet politike që do të kenë impakt tek anëtarët, Partia dhe populli. Pak kanë rol dhe funksion përfaqësuesit në këtë çast politik nën dritat e kamerave, ndërsa militantët presin impulsin prej tyre në terren. Organizimi i grupeve të punës nga Partia Demokratike, të cilat nën drejtuesit politikë të qarqeve kanë detyrën e mobilizimit paraprak të bazës militante dhe anëtarësisë për zhvillimin e fushatës zgjedhore është një sinjal pozitiv në këtë drejtim. Gjithë çfarë mbetet është investimi katërcipëror në këtë rol.
Zbritja në terren dhe vendosja në hallkën e parë të zinxhirit të veprimtarisë politike, është pashmanshmërisht e imponuar edhe nga koordinimi i hekurt mediatik që bëjnë regjimet autokrate moderne. Duke e shndërruar pushteti politikën në një lojë me regji të koordinuar që gatuhet në median audiovizive, vendosja e përfaqësuesve aty përveç se thyen gjithë dinamikën politike të opozitës dhe çorienton betejën, ajo i shërben vetëm regjisë së pushtetit. Kjo ka bërë që përfaqësuesit politikë opozitarë në vende të tilla të braktisin studiot dhe t‘i përvishen terrenit (psh. opozita e fuqishme bjelloruse në vitin 2020, etj.).
Megjithatë, edhe në raste diametralisht të kundërta, ku demokracia me gjithë dritëhijet e saj udhëzon jetën politike të vendit, media sërish nuk shihet si qëllim që tejkalon potencialin politik që prodhon puna me bazën e Partisë. Senatorë republikanë në SHBA janë shpesh shembull i përkthimit në sukses të kapitalit politik pa ndjekur trendin e mediave sociale.
Nuk mbetet veçse t‘i rikthehemi përmbylltazi parashtrimit të mendimeve në fillimet e këtij shkrimi. Ndërsa tangoja kontemporane politikë-media, përmes skemës së dytë të rolit dhe pozicionimit të përfaqësuesit politik sipas “Hinkës së kthyer mbrapsht”, kthehet nga një kërcim intrigant ku njëri përfiton nga drita e tjetrit, në një kërcim në mos të ndjerë, së paku harmonik ku secili përmbushet në qëllimin e tij, pyetja që do të na kishte tingëlluar më ftuese do të ishte “A janë të rinjtë e Brain Gain atje ku duhet të jenë?”. Ndërsa të tillë pyetjeje me siguri do t’i ishim përgjigjur me entuziazmin shpesh infantil të atyre që krenohen me punën dhe lodhjen mbi atë çfarë kanë ndërtuar, duhet të jemi të vetëdijshëm se pak kemi në dorë për çfarë pyetemi, por shumë mund të investohemi për të ndërtuar argumentet faktike të përgjigjes.