Kristi KAMBERAJ
Vlorë
Në vitin 2014, me ndarjen administrativo-territoriale, u krijua Bashkia e Selenicës, e njohur si bashkia e Lumit të Vlorës, e përbërë nga gjashtë njësi-administrative: Selenica, Armeni, Vllahina, Kotë, Brataj dhe Sevaster. Megjithatë, kjo bashki, përveç problemeve të shumta që pati gjatë funksionimit të saj, kishte edhe një problem themelor: mungesën e një identiteti të plotë administrativ dhe historik.
Ajo njihej si bashkia e Lumit të Vlorës, por nuk përfshinte burimin e lumit, i cili iu la një bashkie tjetër që historikisht dhe gjeografikisht nuk kishte të njëjtën lidhje me Lumin e Vlorës. Kjo krijoi një ndarje artificiale të një krahine që ndër shekuj ka pasur një identitet të përbashkët historik, kulturor dhe shoqëror.
Ndarja administrativo-territoriale u prezantua me argumentin se do ta afronte pushtetin vendor me qytetarët, do të rriste cilësinë e shërbimeve dhe do të ulte kostot e administratës publike. Në praktikë, jo vetëm që nuk arriti këto objektiva, por në shumë raste ndodhi e kundërta. Qytetarët u detyruan të përshkonin distanca më të mëdha për të marrë shërbimet bazë, ndërsa administrata nuk u bë më efikase dhe kostot nuk u ulën në masën që ishte premtuar.
Një nga pasojat më të rënda të këtyre politikave ka qenë shpopullimi i zonave rurale. Sot kemi fshatra të boshatisur, shkolla të mbyllura për mungesë nxënësish dhe të moshuar që jetojnë të vetmuar, pasi fëmijët dhe nipërit e mbesat janë detyruar të largohen në kërkim të mundësive që fshati nuk ua ofron më. Sigurisht që ky fenomen ka shumë shkaqe, por largimi i institucioneve dhe shërbimeve nga zonat rurale ka ndikuar në përshpejtimin e tij.
Sot, 12 vite më vonë, propozohet që edhe ai identitet i pakët që i ka mbetur Bashkisë së Selenicës, si përfaqësuese e krahinës së Lumit të Vlorës, të zhduket duke e bashkuar me Bashkinë e Vlorës. Për banorët e kësaj zone kjo do të thotë më pak përfaqësim, më pak mundësi për të ngritur zërin për problemet e tyre dhe më shumë vështirësi për të marrë shërbimet që deri më sot i merrnin në bashkinë e tyre.
Ky nuk është vetëm një debat administrativ. Është një debat për ruajtjen e identitetit të një krahine me histori, tradita dhe kontribut të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Lumi i Vlorës nuk është thjesht një emër në hartë; ai përfaqëson një krahinë me zakone, kulturë, figura historike, ngjarje dhe kujtesë kolektive që nuk mund të fshihen me një vendim administrativ.
Nëse institucionet largohen edhe më shumë nga kjo zonë, rreziku nuk është vetëm që banorët e mbetur të largohen. Rreziku është që të humbasë edhe kujtesa historike e kësaj krahine. Do të pakësohen njerëzit që ruajnë traditat, që tregojnë historitë, që mbajnë gjallë zakonet dhe kujtimet për bëmat e Lumit të Vlorës dhe për kontributin që kjo krahinë ka dhënë ndër shekuj.
Ata që pretendojnë se bashkimi me Vlorën do ta “qytetërojë” Selenicën, në të vërtetë nuk ofrojnë asnjë garanci për zhvillimin e saj. Zhvillimi nuk arrihet duke fshirë identitetet lokale, por duke investuar në to, duke përmirësuar infrastrukturën, arsimin, shërbimet dhe ekonominë vendore. Një krahinë nuk zhvillohet sepse ndryshon emrin e bashkisë; ajo zhvillohet kur banorët e saj kanë arsye të qëndrojnë dhe të ndërtojnë jetën aty.
Historia ka treguar se identitetet lokale, kur ruhen dhe mbështeten, kthehen në vlera për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe turistik të një zone. Ndërsa zhdukja e tyre sjell vetëm centralizim, largim të popullsisë dhe humbje të trashëgimisë historike.
Nëse ky projekt shkon deri në fund, nuk do të jetë thjesht një gabim administrativ. Do të jetë një padrejtësi e madhe ndaj krahinës së Lumit të Vlorës, ndaj historisë së saj dhe ndaj brezave që kanë jetuar e kontribuar në këtë trevë. Sepse bashkitë mund të krijohen ose të shkrihen me ligj, por identiteti historik i një krahine nuk duhet të zhduket me një vendim administrativ.
Gazeta RD