Gazetari francez/ Beqiri po fluturonte mbi centralin ku do ndërtohen dy reaktorët e rinj bërthamorë

Arrestimi i Ermal Beqirit në Francë po vijon të marrë një vëmendje të veçantë nga mediat franceze, të cilat po vendosin theksin mbi rëndësinë e lartë strategjike të objektit mbi të cilin ai fluturoi pa autorizim.

Sipas raportimeve të gazetarit Julien Francisco për median publike franceze ICI, 44-vjeçari shqiptar u dënua me 7 mijë euro gjobë nga Prokuroria e Amiens, mbasi kreu një fluturim të paligjshëm mbi centralin bërthamor të Penly, në rajonin Seine-Maritime.

Beqiri u arrestua më pas në aeroportin e Albert, ndërsa autoritetet shqiptare konfirmuan për agjencinë e lajmeve AFP se ai ishte gjithashtu në kërkim ndërkombëtar.

Pse centrali i Penly alarmoi autoritetet franceze? Objekti mbi të cilin u krye fluturimi nuk është një central i zakonshëm. Penly është përzgjedhur nga shteti francez dhe gjiganti energjetik EDF si kantieri i parë ku do të ndërtohen dy reaktorët e rinj bërthamorë të gjeneratës së re, EPR2.

Kjo hapësirë përbën një nga investimet më të mëdha industriale e strategjike në Europë dhe është një pikë kyçe e programit kombëtar francez për sigurinë energjetike, ku reaktori i parë parashikohet të vihet në punë rreth vitit 2038.

Nën këtë kuadër, në Penly kanë nisur tashmë punimet përgatitore dhe investimet madhore infrastrukturore me pjesëmarrjen e mijëra punonjësve. Rasti u bë i ditur fillimisht nga e përditshmja Le Journal du Dimanche (JDD), e cila ngriti pikëpyetje mbi profilin e pilotit dhe shqetësimin e shkaktuar te shërbimet e sigurisë. Më pas, raportimet nga media publike ICI, mbështetur në të dhënat e Prokurorisë së Amiens dhe konfirmimet e AFP, vulosën ngjarjen me vendosjen e gjobës ndaj biznesmenit shqiptar, duke nxjerrë edhe një herë në paqyrë masat e rrepta të sigurisë rreth objekteve nukleare me rëndësi kombëtare në Francë.

About Krye Redaktor

Check Also

Deklarata e Berishës/ “I gatshëm të votoj për listat e hapura”

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se Shqipëria duhet të ketë minimumi 100 bashki …