Një Koalicion Vlerash për Shqipërinë

Nikola KEDHI
– Laboratori i Ideve – Departamanti Brain Gain në Partinë Demokratike 

Viti 2025 do të duhet të shënojë një kthesë të madhe për Shqipërinë. Pas dymbëdhjetë vitesh qeverisje socialiste, të paktë janë ata që janë të kënaqur me drejtimin që ka marrë vendi. Përtej argumentit të përgjithshëm që bëhet zakonisht se rrotacioni është i rëndësishëm dhe Shqiptarët duhet të dalin të votojnë masivisht, unë mendoj se ne kemi thelbësor, fillimisht, një ndryshim mentaliteti si shoqëri.

Përballë sfidave ne largohemi. E kemi bërë shpeshherë përgjatë shekujve. Hera herës, si në këto dymbëdhjetë vite, na kanë dëbuar. Pavarësisht arsyeve, duke u larguar apo duke u përzënë, ne kemi lënë vendin bosh – kemi lënë hapësirë që vendi që u takon shqiptarëve të ndershëm e patriotë të zihet. Ne nuk ndëshkojmë me votë. Me largimin që bëjmë, me apatinë, me tërheqjen nga vendimet e diskutimet që na prekin si komb, ne në thelb ndëshkojmë veten. Ndaj viti 2025 në radhë të parë duhet të jetë viti që shqiptarët të tregojnë se Shqipëria është shtëpia e tyre; se ata qëndrojnë pavarësisht përpjekjeve për dëbim; se ata ndëshkojnë me votë këdo që i mashtron e i vjedh. Më mirë një rotacion çdo dy apo katër vite, se një qeverisje unipartiake pafund. Kjo patjetër kërkon ndërgjegje shoqërore, kërkon guxim e patriotizëm. Por Shqiptarët kanë treguar gjithashtu përgjatë shekujve se ata kur duan e bëjnë të pamundurën të mundur, kanë treguar kurajë e atdhedashuri. Sa herë e kanë bërë këtë kanë ngadhënjyer mbi çdo pushtues, dhe Shqipëria ka dalë më e fortë.

Partia Demokratike, ashtu si shoqëria shqiptare, ka qenë këto vite nën rrethim. Por Demokratët qëndruan për shtëpinë e tyre. Qëndruan dhe për ata që nuk ngrihen dot. Qëndruan për ato vlera që janë në qendër të shoqërisë shqiptare. Tani i takon shoqërisë shqiptare të ngrihet dhe të marrë fatet e veta në dorë.

Demokratët nuk janë perfekt. Partia Demokratike nuk është e tillë. Por në vitet e fundit unë kam parë vetëm prej tyre qëndresë, protestë, vizion, shpresë, optimizëm, sakrificë. Kritikohen për mënyrën si protestojnë. Ndërkohë askush prej atyre që i kritikon nuk bën më mirë. Kur shoqëria shqiptare po shkonte drejt vdekjes klinike, me një apati të ngulur në qenien e çdo shqiptari me forcë, demokratët na zbardhën faqen me veprimet e tyre. E për këtë meritojnë vlerësimin tonë më të madh.

Është bërë një përpjekje e madhe këto vite për t’u induktuar njerëzve idenë se PD dhe demokratët janë të dobët, nuk ka të rinj, nuk ka ide dhe nuk ka alternative. Pavarësisht se faktet tregojnë të kundërtën, propaganda ka depërtuar te shumë shqiptarë, me një eksperiment psikologjik suigeneris, duke bërë që instinktivisht te shqiptarët, sa herë të përmendet Partia Demokratike, reagimi të jetë negativ. Nëse duan ndryshim, shqiptarët fillimisht duhet të thyejnë murin e propagandës e të shohin realitetin. Nëse mbi 120 parti politike nga e gjithë bota, në CDI, EPP dhe IDU, përfshirë Republikanët amerikanë dhe Konservatorët britanikë, me rezolutat e tyre, arrijnë unanimisht në përfundimin se e djathta shqiptare duhet mbështetur, dhe se Shqipëria është regjim, Shqiptarët duhet të jenë të parët që të ngrenë zërin.

Në vitet e fundit, Partia Demokratike provoi se është një forcë politike e ndërtuar mbi qëndrestarët e vërtetë, një grupim që nuk u tremb nga presionet, manipulimet apo pengesat e vazhdueshme. Kjo qëndresë, ndër vite, shërbeu jo vetëm si një shembull për mbështetësit e saj, por edhe si një pikë referimi për të gjithë ata që besojnë në vlerat e lirisë, demokracisë dhe të drejtës.

PD provoi gjithashtu se është një hapësirë që fton dhe promovon të rinjtë. Brezi i ri, me energjinë dhe idetë e freskëta, u bë pjesë integrale e politikave të PD-së, duke ofruar një perspektivë të re për të ardhmen e vendit. E kemi parë me Departamentin BrainGain, me projektet e shumta që kanë tentuar të rikthejnë fokusin në debatin e ideve, me propozimet për programin e PDqë Departamenti ka bërë, me pjesëmarrjen në protesta dhe kudo ku ka demokratë në nevojë për mbështetje.

E kemi parë me veprimtarinë e vazhduar të Forumit Rinor, gjithmonë në krye të protestave dhe kauzave qytetare. Të rinjtë janë në Kryesi, në Këshill Kombëtar, apo në Departamente e Sekretariate, si ai i marrëdhënieve me jashtë, të gjitha me rezultate konkrete. Në të djathtën shqiptare sot ka një ndërthurje të prurjeve të reja me eksperiencën, duke krijuar një sinergjitë mirë për fushatën dhe qeverisje  e nesërme.

PD sot ka një vizion të qartë për të ndërtuar Shqipërinëe shekullit të 21. Një Shqipëri që fton të gjithë shqiptarët të kthehen e u jep mundësitëtë ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre. Një Shqipëri e industrializuar që prodhon, hap vende pune, ka konkurrencë të lirë që ul kostot dhe rrit pagat, me taksa të ulëta e një shtet partner të qytetarit e jo polic te gryka e tij. Do të jetë kjo rritje e prodhimtarisë dhe e konkurrencës, rikthimi i ekonomisë së tregut, ulja e taksave dhe reduktimi drastik i shpenzimeve joproduktive e korruptive qeveritare që do e bëjë pagën minimale EUR 500, pagën mesatare EUR 1,200, dhe do të forcojë familjen shqiptare, do e mbrojë nga politikat progresiste, woke, dhe do ngrejë me mijëra prej tyre nga varfëria.

Një Shqipëri që ka inovacion teknologjik me kompani të reja në fusha të ndryshme e me shqiptarë që kthehen e investojnë në vendin e tyre, do eshndërrojë vendin në një qendër rajonale të zhvillimit. Vizioni i PD është për një Shqipëri me arsim patriotik e shkencor, me shëndetësi dinjitoze me kosto të ulët dhe me akses për të gjithë. Një Shqipëri që ka në themel forcimin e dinjitetit dhe mundësive të çdo njeriu, që asnjë qeveri të mos e cënojë më askënd në Republikën tonë. Sa më të pasur e të arsimuar të jenë shqiptarët, aq më pak të varur do jenë nga çdo qeveri e aq më të lirë do jenë të ngrenë zërin. PD e ka provuar në kurrizin e vetë këto vite censurën, dhunën, mungesën e lirisë, dhe e di se çfarë duhet të bëjë që kjo gjë të mos përsëritet kurrë më.

Nëse Shqiptarët e duan këtë vizion tërësisht të mundshëm, ata duhet të ndihmojnë që të bëhet realitet dhe të vendosin përpara përgjegjësisë pas katër vitesh Partinë Demokratike nëse ajo devijon nga kontrata me shqiptarët. Por, më së paku PD-së i duhet dhënë mundësia që ta zbatojë këtë vizion.

Viti 2025 do të duhet të shohë një prezencë të shtuar të çdo demokrati në terren, për të ftuar çdo qytetar të bëhet pjesë e këtij vizioni për Shekullin Shqiptar, për të zgjeruar Koalicionin e Vlerave që do të shpëtojë Shqipërinë.

Viti 2025 do të duhet të forcojë kalimin nga mbrojtja në sulm, nga qëndresa në fitore. PD jo vetëm ka ruajtur vlerat e saj, por ka krijuar një model të ri politik që bazohet në integritet, profesionalizëm dhe vizion. Ky është një koalicion vlerash që synon jo vetëm fitoren elektorale, por edhe fitoren morale dhe shoqërore.

E ardhmja e Shqipërisë është e ndritur! Ditët e saj më të mira janë përpara. E djathta është e vetmja rrugë që çon kombet kurdo dhe kudo drejt zhvillimit. Këto politika janë të vetmet që kanë zhvilluar kombet! Nuk ka përse në Shqipëri të jetë ndryshe.

Ky koalicion vlerash është i vetmi që ka potencialin për të mundësuar një shoqëritë lirë, të drejtë dhe të zhvilluar, që na bën të gjithëve krenar – por vetëm nëse çdo shqiptar i bashkohet.

About Redaksia

Check Also

A mund të gjendet një “provë e re” kundër Erion Veliajt?

Nga Gent STRAZIMIRI Të gjendet një provë e re kundër Erion Veliajt është e pamundur. …