Dy vite Brain Gain, një rrugëtim plot krenari

Nga Andi MUSTAFAJ

Periudha e festave të fund vitit është një periudhë reflektimi mbi atë çka njeriu ka realizuar dhe çfarë i premton vetes që do realizoj. Është një periudhë pikëpyetjesh, disa të mëdha dhe disa të vogla. Është gjithashtu periudhë falënderimesh dhe përkushtimesh për njerëzit e dashur. Është së fundmi periudhë për të falur ata që na kanë dëmtuar.

Vjet në të njëjtën kohë, u gjetëm të papërgatitur me arrestimin e Kryetarit të Opozitës, Z. Sali Berisha. Një moment i cili përbën për të gjithë ne, një nga shtyllat e identitetit tonë politik.

Atë natë, ne debatuam gjatë së bashku, dhe po së bashku vendosëm të mos festonim, të mos pushonim. Vendosëm të ndërmerrnim një veprim politik po aq të guximshëm sa të rrezikshëm.

Ndërkohë që telefonat e shumë anëtarëve nuk pushonin të binin ku shumë njerëz e dinin më mirë se ne atë që duhet të bënim, ne vendosëm të shkonim tek vendi që sot quhet Rruga e Shpresës dhe më pas të ngujoheshim simbolikisht në seli me një sesion maratonë të podcastit Zërat.

Ishte e rrezikshme sepse ne po mundoheshim të ngrinim nivelin e debatit në një vend të mbytur nga propaganda e cila për shkak se trembet nga veprimet parimore, tenton në mënyrë të vazhdueshme ti zvogëloj dhe ti diskreditoj ato.

Mbrojtës të demokracisë apo ushtarë të Berishës?Njerëz të lirë apo të burgosur në dogma? Pishtarë të një kauze apo ithtarë të një njeriu?

Çfarë ishim ne? Çfarë jemi ne? Çfarë do jemi ne?

Janë pyetje që kanë gjetur jehonë fortë dhe të gjatë brenda gjithë secilit prej nesh dhe mbi të cilat ne nuk kemi shkëmbyer më me njëri tjetrin që prej asaj nate. Vlerësoj se bilanci i punës së Departamentit është momenti më i përshtatshëm për t’ju rikthyer.

Atë natë, vendosëm kundër frikës, kundër propagandës dhe kundër njerëzve që tentonin të na ndryshonin mendjen. Atë natë ne vendosëm si njerëz të lirë. Njeriu i lirë, është themel i identitetit të Partisë Demokratike.

Atë natë, ne ishim pak por u ndiem shumë. Gati asnjë media nuk foli për ne por zëri ynë oshëtiu. Vetëm një kauze e drejtë i jep këtë forcë një grupi individësh. Vetëm përvetësimi i kauzave krijon kushtet e zmadhimit të saj. Ne atje, dhe më pas tek rruga e shpresës, ishim për atë çka besojmë.

Atë natë dhe çdo ditë deri në lirimin e Kryetarit të Opozitës ne nuk kemi reshtur së shpjeguari, me artikuj, fjalime, dalje mediatike, protesta, dokumente pune, se si dhe pse po rrezikohej demokracia në vendin tonë.

Të nesërmen filloi protesta e parë e cila vazhdoj pa ndërprerje. Demokratët ishin bashkë deri sa u arrit një fitore e cila mbart në vetvete disa nga simbolet në të cilat ne besojmë, siç kemi i parashtruar tek projekti Në Kërkim të Simboleve dhe të cilat Zoti Berisha dhe demokratët lartësuan:qëndresa, rezistenca, bashkimi.

Kur po përgatisja këtë fjalë po mendohesha se si do e trajtoja bilancin e vitit të kaluar të Departamentit. Rruga e shkurtër dhe ndoshta më e thjeshtë do ishte numërimi i projekteve, aktiviteteve dhe shkrimeve.

Ndoshta një rrugë tjetër do ishte së foluri mbi ndryshimet midis vitit të parë ku punuam mbi themelet dhe zgjerimin e departamentit dhe vitin e dytë ku punuam për strukturimin dhe profesionalizimin.

Të dyja janë të vlefshme dhe në një mënyrë ose në një tjetër duhet të gjej kohën për ti trajtuar por sa më shumë mendohesha dhe aq më shumë vëmendja më tërhiqej drejt kësaj sekuence të gjatë politike, 333 ditët e arrestimit të Kryetarit të Opozitës.

Vëmendja më tërhiqej sepse në dy rrugët e para trajtohet kryesisht mjeti, ajo çka bëjmë dhe jo thelbi ajo çfarë përfaqësojmë. Dhe jam i bindur thellësisht se ajo që Departamenti Brain Gain ka arritur nuk janë aktivitete por janë shembuj, parime, filozofi, qasje apo risi në politikën shqiptare.

Së pari, ndryshimi i qasjes së rolit të angazhimit të të rinjve në politikë dhe dalja nga ajo që mund të quhet deri diku “sindroma e mesisë”. Për vite me radhë kemi hasur këtë sindromë, ku të rinjtë, veçanërisht atyre që vijnë nga jashtë u thuhet se janë më të mirët, se do bëjnë gjëra të mëdha et të tjera megalomani të llojit, se duhet tu “jepet” (fjalë e rëndësishme kjo) vend etj. duke shkaktuar efekte zinxhir ku i pari është largimi nga realiteti i të rinjve dhe i fundit është ushqimi i konflikteve artificiale me ata që cilësohen në këtë rast të vjetër.

Lidhja midis Brezave ishte në fillim veç një fjalë por pak e nga pak, fal përkushtimit në realizimin e saj është diçka shumë më e prekshme dhe kam bindjen se do imponohet në hapësirën publike shqiptare.

Në traditën tonë, të rinj e të vjetër shkojnë bashkë duke ushqyer njëri tjetrin secili me forcat e veta dhe duke mbrojtur njëri tjetrin nga dobësitë e veta. Çdo projekt dhe çdo hap që ne hedhim ka në bazë të tij këtë filozofi.

Si mund të jetë një brez i ri me vlera duke rënë në kurthin e propagandës dhe shkelur mbi të parët e vet, mbi trashëgimin e shquar paçka të sulmuar të Partisë Demokratike?

Partia Demokratike nuk ka nevojë për shpëtimtarë por për njerëz që bëjnë punën e tyre. Punën e tyre, jo punën e tjetrit.

Dhe kjo është arritja e dytë e filozofisë sonë të përbashkët. Në ligjërimin tonë, kemi përdorur shpesh metaforën e trupit të njeriut për të përshkruar funksionimin e Partisë sepse ne mendojnë se jemi së bashku një qenie e gjallë, e një lloji të veçantë.

Një trup është i shëndetshëm kur çdo organ kryen rolin e vet dhe vetëm rolin e vet. Kërkon një modesti kjo qasje sepse kërkon të pranosh rolin e kufizuar që një njeri ka brenda një strukture.

Nuk mund ti kërkohet dorës të bëj punën e veshit apo syrit të bëj punën e gojës. Gjithë secili duhet të bëj pjesën e vet. Një pjesë të vogël por ama të cilën duhet ta bëj në mënyrë të shkëlqyer.

Gjithë secili duhet të bëj pjesën e vet dhe të ketë besim se të tjerët do bëjnë pjesën e tyre. Nuk duhet pritur gjithçka nga një person por pak nga çdo person. Këtu futet edhe teoria bazë e Departamentit që militanti është çelësi, rrethi është dera për të mundur regjimin.

Ne si Departament, jemi munduar gjithmonë të kemi koherencë veprimi. Shpesh më është dashur të frenoj iniciativa që duke na larguar nga roli që kemi do na bënin të humbisnim koherencën dhe si pasojë ose sfilitjen tonë, ose prishjen e dinamikave ose më keq humbjen e identitetit tonë.

Të shtojmë ose të pasurojmë jo të përsërisim apo të zëvendësojmë. Ajo që jemi munduar të bëjmë në mënyrë modeste është impulsi dhe mbështetja.

Impulsi ku kemi luftuar dhe po luftojmë për të lartësuar betejën e ideve nëpërmjet artikujve me propozime strategjike, me krahasime, nëpërmjet verës së ideve, programit Për Shekullin Shqiptar, podkastin Zërat, protestat etj.

Mbështetja nëpërmjet dhënies së mjeteve militantëve dhe anëtarëve të Partisë Demokratike që mund tu shërbejnë në betejën e përditshme përballë regjimit siç është Libri i Punëve të Mira, Në Kërkim të Simboleve, Ata Thyhen.

Së treti, nëpërmjet teorizimit të 3 llojeve të Brain Gain, ai politik, administrativ dhe ekonomik, Partia Demokratike nëpërmjet këtij Departamenti i dha mundësinë për herë të parë studentëve apo profesionistëve shqiptarë që jetojnë jashtë të angazhohen në mënyrë konkrete në strukturën administrative të Partisë dhe në jetën politike të vendit të tyre. Të mbajmë gjallë lidhjen përpara se të kërkojmë kthimin ishte një prej sloganeve tona të fillimit.

Është e vërtetë që ka degë të Partisë Demokratike jashtë shtetit por ata gjenden në kuadër të strukturave politike dhe angazhimi bëhej në vendin ku jetojnë. Veçantia e Departamentit Brain Gain është që grupi bëhet bashkë pavarësisht ku jeton për të kontribuar drejt partisë në qendër.

Së katërti, kemi thyer disa nga mitet e forta të propagandës ndaj Partisë Demokratike se “këtu nuk bëhet gjë” dhe se “PD nuk frymëzon”.

Mite këto që veprojnë shpesh si barriera që shqiptarët nuk arrijnë të tejkalojnë. Një ide që vret që në vezë iniciativën dhe dëshirën për të ndryshuar gjërat.

Iniciativën ne e kemi vendosur në ballë të veprimtarisë sonë. Kush propozon realizon. Kush realizon ekspozohet.

Unë si drejtues mendoj se detyra ime e parë është çlirimi i energjive të anëtarëve të Departamentit dhe jo kanalizimi, bllokimi apo ndryshimi i tyre. Kam besim tek secili prej jush dhe këtë besim Departamentit dhe Partisë Demokratike anëtarët e Departamentit ja kanë shpërblyer me një volum të madh pune.

Projektet e Departamentit janë miratuar të gjitha, pa asnjë përjashtim nga Kryetari i Partisë duke treguar se problemi është perceptimi dhe jo realiteti. Kur vihet me projekte dhe ide, Kryetari i Partisë Demokratike Z. Berisha por edhe personalitete të tjera si Znj. Albana Vokshi, Z. Oerd Bylykbashi, Z. Flamur Noka e shumë të tjerëjo vetëm i mbështesin por edhe bëhen pjesë e tyre dhe i promovojnë.

Ky shembull përbën kështu një thirrje për çdokënd që na dëgjon apo na lexon që të bëhet forcë propozuese dhe jo kritikuese. Ç’është e vërteta, propozimi e mbart në vetvete kritikën por nuk dominohet prej saj. Mundohemi në mënyrë modeste të sjellin zgjidhje dhe jo probleme.

Disa projekte ishin edhe të tillë që kur i menduam na thuhej që nuk kanë asnjë shans të realizohen siç është hapja e selisë së PD për artistë të ndryshëm duke e rijetësuar atë.

Kështu ishte edhe rasti i projektit Në Kërkim të Simboleve ku për realizimin e tij duhet që të shkonim në qytete të ndryshme të Shqipërisë me një barrë të madhe të organizimit që binte mbi shpatullat e anëtarëve që jetojnë në Shqipëri.

Së pesti, kushtet e konkurrencës së shëndetshme prodhojnë cilësi dhe ekip të fortë dhe jo përçarje dhe ekip të dobët.

Jemi munduar të përvetësojmë në këtë drejtim parimet e sportit ku të gjithë kanë konkurrencë me njëri tjetrin për vendin në ekip por kjo gjë nuk i pengon të kenë lidhje shumë të forta me njëri tjetrin. Forca e grupit, është ndoshta togfjalëshi që kam përdorur më shumë gjatë këtij viti.

Në komunikimin publik të Departamentit unë kam qenë shpesh më pak i ekspozuar se shumë anëtarë dhe jemi shembulli se asnjëri prej nesh nuk është ndjerë i zvogëluar. Përkundrazi, individualitete të forta kanë prodhuar grup të fortë. Drita e njërit ka rrezatuar tek të tjerët dhe më pas drejt partisë.

Në aktivitetet që nuk organizojmë ne, Departamenti përfaqësohet gjithmonë me vetëm një anëtar që flet dhe të tjerët e ndihmojnë të përgatitet.

Që kjo qasje të kuptohej ka kërkuar pak kohë por sot mund të thuhet pa frikë se e kemi arritur. Një provë është fakti që jemi një strukturë që nuk njihet nëpërmjet një personi por si grupim. Brain Gain është deri diku një brand dhe jemi të gjithë përgjegjës për mbrojtjen e tij.

Së gjashti, qasja institucionale është kyçe. Nuk na kërkohet të duam njëri tjetrin apo të shkojmë në pushime me njëri tjetrin por na kërkohet të punojmë me njëri tjetrin brenda një strukture që është Partia Demokratike. Nga Kryetari presim organizim, frymëzim, hapësirë për punë dhe jo dashuri.

Këtë qasje e kemi zhvilluar me njëri tjetrin dhe e kemi zgjeruar më pas në raport me çdo demokrat. Asnjë polemik, asnjë konflikt, asnjë sharje, asnjë sulm në dy vite nuk ka ardhur nga një anëtar i këtij Departamenti pavarësisht se në fushën e betejës politike ndonjëherë goditjet bien si rrebeshi.

I kemi rezistuar tundimit. Çfarë kemi pasur ja kemi thënë njëri tjetrit por edhe më gjerë. Sepse gjëja e shëndetshme është debati por jo konflikti.

Kundërshtari ynë është i disiplinuar siç janë ushtarët e nënshtruar ndaj një pushteti absolut. Ne jemi njerëz të lirë dhe shpesh njeriu i lirë është pak emocional në ekstrem por duhet të gjejmë rrugën e tolerancës dhe funksionimit institucional.

Kemi bërë shumë rrugë por mbetet akoma shumë për të bërë. Fushata që kemi përballë ka sfidat e saja dhe ne si Departament duhet të përshtatemi që të jemi sa më të dobishëm dhe të efektshëm.

Më e bukura por edhe më e vështira, është përpara nesh.

About Redaksia

Check Also

Deputetja e “Forza Italia”: Berisha pati aftësinë për ta bërë Shqipërinë një vend të lirë!

Deputetja e “Forza Italia” Erica Mazzetti ka vlerësuar takimin në Tiranë me kryetarin e PD, …