Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi, ka ankimuar vendimin e SPAK për mosfillim hetimesh ndaj kryeministrit Edi Rama, deputetit të PS-së, Taulant Ballës, prokurores së posaçme, Enkeleda Millonai dhe kolegut të saj Arben Kraja.
Në një kallëzim të bërë për këta shtetas në lidhje me dosjen ‘Partizani’, Malltezi ka shteruar të gjitha faktet dhe provat si për Edi Ramën në kohën kur ishte kryebashkiak i Tiranës, ashtu edhe për Taulant Ballën i cili bëri kallëzim të rremë për këtë dosje, si dhe për prokurorët e posaçëm Millonai dhe Kraja për mosfillim hetimesh ndaj kallëzimit të rremë për Ballën, pasi u faktu se pretendimet e tij në kallëzimin për dosjen ‘Partizani’ nuk qëndronin.
Në ankimin e tij në gjykatë, Malltezi kërkon prishjen e vendimit të SPAK ‘për mosfillimin e procedimit penal, që ka të bëjë me kallëzimin nr. 264, datë 18. 11. 2024, urdhërimin e SPAK për të regjistruar procedimin penal në referim të materialit kallëzues nr. 264, datë 20. 11. 2024 për shtetasit Edi Rama dhe Taulant Balla, si dhe dërgimin e materialit kallëzues për prokurorët Enkeleda Millonai dhe Arben Kraja në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, që të shmanget konflikti i interesit mes prokurorëve të të njëjtit institucion.
Në pretendimet e tij, Malltezi thekson se edhe pse e ka ankimuar në gjykatë vendimin e mosfillimit të hetimit nga SPAK, nuk ka ende datë se kur do të shqyrtohet.
Ankimimi për mosfillimin e hetimeve ndaj Ramës, Ballës, Millonait dhe Krajës (Shkarko dokumentin)