Nga Ylli MANJANI
Meqë ra fjala te ky vendimi i qeverisë për të ruajtur me bodyguardë edhe këtë vit ish-vetingsat.
Bindja ime është tashmë e fortë se zyrtari që kërkon të ruhet me bodyguard ka problem personal të madh. Ose i pëlqen të duket, ose realisht ka borxh për të larë.
Natyrisht ka edhe protokolle shtetërore për nivelin tepër të lartë të shtetit. Por edhe ato nuk janë të detyrushme 24 orë në 24. Presidentin e Austrisë e shohim në metro çdo mëngjes duke shkuar në punë i vetëm, tek pullë.
Por e kam drejtpërdrejt fjalën për zyrtarë të zakonshëm të shtetit, të cilët kërkojnë dhe mbrohen me bodyguardë.
Ata e kanë personal problemin, jo me detyrën publike që kryen ose ka kryer.
Zyrtarët tanë nuk i kanos askush kur janë korrekt me detyrën. Shteti ynë nuk ka asnjë betejë me asnjë grup terrorist.
Fakt është që këtu janë hapur burgjet dhe asnjë gjykatës, prokuror apo zyrtar shteti nuk u kanos. Ngjarje aksidentale kemi patur, po ashtu përplasje me armë zjarri ku kanë rënë në detyrë punonjës policie. Por goditje për shkak të korrektësisë në ushtrimin e detyrës jo.
Në përgjithsi askush nuk ta fal nëse i bie në qafë me të drejtë ose i fut dorën në xhep si hajn.(flas për xhepin personal këtu, jo për buxhetin publik).
Është njerëzore kjo gjë, jo thjesht shqiptare.
Nga ana tjetër të gjithë e dimë se nuk të mbron bodyguardi. Përkundrazi, personalisht mendoj se ai, bodyguardi pra, të bën shënjestër më të kollajshme.
Tani se çfarë problemi personal kanë ish-zyrtarët që bënë masakrën e vetingut, ndihen borxhlinj apo e kanë për shou, vetëm ata e dinë…
Nejse unë them:
T’rujt zoti jo bodyguardi, o njeri!