SPAK-u ka thirrur sot në SPAK, Elman Abule, biznesmenin e afërt me Veliajn. Dy ditë më parë SPAK thirri Marisa Niton, bashkëshorten e biznesmenit Elman Abule, i cili njihet për miqësinë e tij të ngushtë me Erion Veliajn, por është një personazh i njohur dhe për drejtësinë pasi pak kohë më parë iu sekuestruan 50 milionë euro pasuri.
Një raport të ngushtë kishte dhe mes Ajola Xoxës dhe Marisa Nitos, jo vetëm miqësor, por edhe tregtar.
Nga komunikimet e zbardhura nga SPAK-u rezulton se Ajola Xoxa ka përfituar disa transaksione bankare nga kompania e Marisa Nitos. Transaksionet monetare në favor të Ajola Xoxës, shkojnë deri në 180 mijë euro.
Komunikimet dhe provat e tjera që janë tashmë të gjitha në duart e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, ngrenë dyshime se Marisa Nito dhe Ajola Xoxa përfaqësojnë një botë të errët të biznesit dhe këmbimit të favoreve, duke u varur gjithçka nga influenca e fortë ekonomike dhe politike e bashkëshortëve të tyre, Elman Abule dhe Erion Veliaj.
Lidhja e Veliajt me Elman Abulen
Dyshja Veliaj-Abule është e njohur se kanë kontakte të ngushta me njëri-tjetrin, ku së bashku kanë udhëtuar në disa vende të Evropës.
Nga kjo marrëdhënie e ngushtë miqësore dyshohet se Abule ka përfituar leje ndërtimi në Tiranë, ku e fundit ka qenë në zonën e “Kombinatit”, që nuk vu në zbatim pasi pronarët e tokës refuzuan Abulen për shkak të një dënimi në Belgjikë.
Kujtojmë se kohë më parë në media është publikuar një foto e tij, në aeroportin e Romës, në shoqërinë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas asaj që raportohej në media asokohe besohet se fotoja është shkrepur në vitin 2019, dallohet se Veliaj dhe Abule kanë njohje të konsiderueshme.
Po ashtu është raportuar nga mediat se në 26 prill të vitit 2022, një nga kompanitë e tij e quajtur “Ventur” mori leje për ndërtimin e një turbine eolike në Bashkinë Pukë./ CNA