200 euro minimum jetik brenda 3 muajve të parë, paketa “Berisha” e shpëtimit nga varfëria

Sali BERISHA

Miqtë e mi, ne që kujtojmë 34 vite më parë, e dimë shumë mirë se Shqipëria sot është 34 herë më ndryshe.

Por, po të ndalemi, çfarë kemi sot?

Ka disa ngjashmëri të pamohueshme.

Ngjashmëria e parë e madhe është se njëlloj si diktatori dhe elita e tij, Edi Rama dhe organizata e tij kriminale janë të shkëputur në mënyrë përfundimtare nga qytetarët shqiptarë.

Ata nuk kanë asnjë lidhje as me demokratët, as me socialistët, as më ata pa parti.

Ai lëron tokën me parmendë, Edi Rama udhëton me çarter privat personal.

Ai nuk ka çati, Edi Rama blen vazon kullë të fildishtë dhe e vendos në oborr dhe u uron Vitin e Ri.

Ai merr 70 euro, Edi Rama merr 50-fishin e tij.

Pra, miq, këta kanë krijuar një hendek të tmershëm me qytetarët, pavarësisht nga bindjet e tyre.

Është detyra jonë të ulemi me secilin sepse ne vërtet kemi një program, kemi një zotim, kemi një kontratë për të firmosur me secilin shqiptar.

Për ta nisur së pari aty ku ushëtojnë sirenat e urisë, varfërisë, mjerimit.

Miqtë e mi, çfarë ndodhi këto 10 vite? Këto 10 vite, 1 milion e 99 mijë shqiptarë u larguan nga Shqipëria drejt BE. U larguan nga skamja e varfëria. Sepse shqiptarët çdo vit ranë poshtë e më poshtë me rrogat dhe pensionet e tyre.

Sepse pensionistët sot në Shqipëri marrin një pension 160-170 euro, malazezi që nuk ka as një të dhjetën e pasurive të Shqipërisë, merr një pension 450 euro. Maqedonasi merr një pension 280 euro. Serbi merr një pension 330 euro.

Po pse? Ishim para tyre, çfarë ndodh? Nuk ka qeveri në botë që buron nga vota që të mos ua kthejë paratë që mbledh qytetarëve. Të mos i vendosë ata të parët.

Përveç kësaj qeverie, e cila ka krijuar mekanizma të tmerrshme për të përvetësuar miliarda. Më ka thënë njëherë një avokat i famshëm, takoi kryeministrin e Shqipërisë. E pyeta, si t’u duk. Problemi i tij është ky, më tha, si avokat kam pasur disa klientë miliarderë, por asnjë prej tyre hezitonte të vidhte miliardin tjetër, sepse nuk ngopen. Kështu është historia e Edi Ramës. Kështu është historia e këtyre ministrave.

Tani thonë se ku do i gjejë ky paratë.

Miqtë e mi, çdo premtim që kam bërë këtu dhe do bëj kudo, iu garantoj se do e mbaj 100 përqind. Se 3 muajt e parë, ndër vendimet më të para do vendoset minimumi jetik 200 euro. Kjo do të thotë që 57 përqind e pensionistëve, të cilët marrin jo pension të plotë, do marrin 200 euro. Kjo do të thotë se çdo pensionist shqiptar me pension të plotë 170 euro e poshtë, do marrë 200 euro. Kjo do të thotë se çdo shqiptar pa pension do marrë 200 euro. Kjo do të thotë se çdo i papunë do marrë 200 euro. Kjo do të thotë se çdo shqiptar me ndihmë ekonomike do marrë 200 euro.

Kjo është rruga për t’i thënë stop mjerimit.

Kjo është rruga për t’u dhënë shqiptarëve çdo ditë atë pagë që përjashton mjerimin.

Këtë do e bëjmë 3 muajt e parë.

A e dini ju? E dini sigurisht, qytetarët tanë blejnë me çmimet më të shtrenjta se në Itali, Gjermani ushqimet.

Qytetarët shqiptarë udhëtojnë me çmimet më të shtrenjta, sepse nafta e tyre është më e shtrenjtë se në Singapor.

Merr fund kjo.

Ne nuk do hyjmë në çmimet e ushqimeve, por do u japim kartën e konsumatorit të gjithë atyre që janë me rrogë minimale e poshtë.

Karta e konsumatorit është rreth 450 euro. Është rreth 3 pensione.

Do kompensohet çdo 6 muaj.

Do i ndajmë ndryshe ne këto të ardhura.

Është krijuar një hendek i lemeritshëm. Shoqëria është ndarë si kurrë në historinë e saj.

Pra, pensionisti do marrë edhe 3 pensione shtesë me rikthimin e TVSH-së.

Rrogë minimale nën 500 euro nuk do ketë në Shqipëri.

Dhe ky është fillimi.

Sipërmarrësit të nderuar, duhet ta dinë se PD do bëjë gjithçka për klimën më miqësore ndaj bizneseve të tyre.

Po këtu, zero tolerancë. Shqiptarët do paguhen jo më pak se 500 euro në muaj dhe ky është fillimi.

Ky është fillimi i një vrapi me të cilin ne duhet të dalim në krye për rrogat dhe pensionet në rajon.

Asnjë vend tjetër, edhe dy vende të marra së bashku, nuk kanë pasuritë që ka Shqipëria.

Ato do u kthehen qytetarët. Do i gëzojnë qytetarët me rroga, pensione, shërbime.

Nafta nuk do mund të shitet kurrë me ndryshim më të madh se 10 përqind me Maqedoninë dhe Kosovën.

Ju paguani për litër të naftës 1.1 euro për çdo litër. Nuk ka vend tjetër që e bën këtë. Në SHBA, nafta shitet 0.8 dollarë në pompë. Ky merr për naftën 1.1 euro. Po ti mund ta bësh edhe 1.5, mund të ndalosh edhe makinat, po këto janë çmendurira dhe këto do marrin fund.

Nafta do ketë barrën fiskale të mesatarizuar me Maqedoninë dhe Kosovën.

Kosova naftën e importon nga Porti i Durrësit dhe e shet 40 përqind më lirë se në Tiranë, se në Durrës.

E kuptoni ju? Këta janë shkëputur tërësisht nga njerëzit, këta shohin vetëm kullën e fildishtë, kullën e hajnisë së tyre.

Qytetari i Shkodrës, Kukës, i Peshkopisë e me radhë, jo vetëm për shkak të naftës, por edhe për shkak të tarifave të rrugës, e ka udhëtimin më të kushtueshëm në Europë.

Asnjë qindarkë nuk do paguhet në asnjë rrugë, në asnjë tunel të Shqipërisë.

A e dini se ju paguani për mirëmbajtjen e rrugëve kësaj qeverie 190 milionë euro në vit me taksën e qarkullimit. Atëherë ku shkojnë këto? Shkojnë në xhepa të qeveritarëve. I vjedhin.

Ku do gjenden paratë?

Njëherë jam këtu dhe do i lutem çdo socialisti, edhe çdo rilindësi, t’i bëjë një mesazh Edi Ramës, t’i thotë dil burrërisht para Sali Berishës, ballafaqohu njëherë, këtu në Elbasan po deshe.

Po, po, t’i tregojmë njëri-tjetrit ku janë paratë. Po nuk del dot, se hajduti vetëm ikën, se hajduti vetëm fshihet.

Po vodhe me thasë, sigurisht që lekë nuk ke, lekët i ke për vete, jo për qytetarët.

Po nafta? A e dini ju, Kosova ka gjithsej 440 mijë automjete, Shqipëria ka regjistruar këtë vit 870 mijë automjete. Kosova zhdoganon 630 mijë ton naftë, Shqipëria zhdoganon gjithsej 550 mijë ton naftë. Ku shkon? I vjedh qeveria kontrabandë. Nuk mund të bëhet nafta kurrë kontrabandë pa qeverinë.

Prandaj për të gjitha këto, ju duhet të uleni me çdo qytetar, me çdo socialist.

Mos harroni një gjë, vërtet sot dyqanet janë plot, por janë për një pjesë të madhe të qytetarëve një mollë e ndaluar.

Ky është një potencial i madh për ju. Të krijojmë frontin më të gjerë që ka njohur dhe Elbasani i shquar për urtinë e trashëguar tradicionale mund ta përdorë në mënyrën më të fisshme këtë dialog, këtë debat me bashkëqytetarët, pavarësisht nga bindjet.

Të shkojmë të sigurt…

Nuk ka forcë politike më vitale se kjo forcë. Por do meritojë çdo gjë kur të përmbysë diktaturën e tyrë, kur të përmbysë këtë bandë hajdutësh të shpërfytyruar që nuk njohin asnjë kufi. Nuk ekzistojnë qytetarët.

Lënë për 780 mijë pensionistë 16 milionë euro për vitin 2025. Po ka cinizëm, ka pashpirtësi më të madhe se kjo?

Ai atje, në Prishtinë, ai thotë jo, unë do vendos 100 euro për çdo pensionist, do rris pensionet 20 përqind.

Kurse ky si një, çfarë t’i thuash se nuk dua të përdor epitete që të prish gojën.

Premtoi se do indeksonte pensionet në muajin mars. Nga marsi gjer në tetor nuk indeksoi asnjë qindarkë, i mori si hajdut ordiner ato para dhe thotë tani, ne japim bonus. Tallet me shqiptarët.

Energjia, jo nuk do paguani kurrë siç keni paguar. Do ta paguani më lirë se në vitin 2013. 300 kilovatët e parë do i paguani 70 lekë. Bizneset 60 lekë kilovatin. Rrogëlartit do i paguajnë.

Nuk jam kundër rrogave të larta, por disproporcioni i krijuar me rrogat është çnjerëzor.

Ky ka vendosur diferencën 10-12 herë. Ata do rrinë në vendnumëro gjersa diferenca e rrogës mesatare me rrogën mesatare të zbresë në 4 herë. Atëherë do rriten edhe ato.

Miqtë e mi, kjo betejë ka shumë aspekte, por në këtë betejë ne duhet të angazhohemi mbi të gjitha për hallet dhe dhimbjet më të mëdha të këtyre qytetarëve.

U garantoj se çdo premtim i bërë gjer më sot do bëhet realitet 3 muajt e para të qeverisjes së PD pas majit.

Është radha jonë.

Është radha jonë.

Është radha jonë!

About Krye Redaktor

Check Also

Berisha zotohet: Shqipëria madhështore është qëllimi më madhor i jetës sime në këtë stad!

Kryetari i PD, Sali Berisha gjatë fjalës para diasporës në Parma tha se PD do …