Shkodra e “izoluar” nga bora dhe pa drita, Beci përdor helikopterin ushtarak për “turizëm”

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë shqiptare vendosi në dispozicion të kreut të Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli një helikopter të Forcave Ajrore për të fluturuar drejt Alpeve, duke ngritur shqetësime për cenim të ligjit dhe të kapaciteteve ushtarake për qëllime private.

BIRN

Në fillim të dhjetorit të vitit të shkuar, një helikopter i Forcave Ajrore u ngrit nga fusha e futbollit në stadiumin e “Vllaznisë” në Shkodër dhe fluturoi përmbi Alpet e veriut të Shqipërisë. Por ky nuk ishte një fluturim emergjence dhe as ndonjë mision i rëndësishëm ushtarak.

Helikopteri i ushtrisë shqiptare fluturoi drejt Alpeve me kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, kreun e Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli dhe zv.presidentin e Komitetit Olimpik austriak, Peter Schröcksnadel në bord.

Përmes një postimi në Facebook më 2 dhjetor, Beci e përshkroi përvojën si “një udhëtim i bukur pune me investitorë austriakë për të vlerësuar potencialin për resort skish në Alpe…”. Në videon e postuar nga Beci, tre udhëtarët dhe shoqëruesit e tyre pozojnë të buzëqeshur me pamjet magjike të Alpeve pas shpine.

Helikopteri i publikuar në video i përket flotës së vogël dhe problematike të mjeteve ajrore Cougar në dispozicion të ushtrisë shqiptare, të cilat gjatë viteve të fundit kanë vuajtur nga avaritë dhe problemet e vazhdueshme me mirëmbajtjen.

Edhe pse nuk ka një ligj që rregullon specifikisht përdorimin helikopterëve ushtarakë, rregullore të brendshme të Shtabit të Përgjithshëm normojnë përdorimin e tyre në misione ushtarake, në rastet e emergjencave civile dhe në transportin e zyrtarëve më të lartë të shtetit.

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci i tha BIRN përmes telefonit se udhëtimi ishte organizuar nga Komiteti Olimpik Shqiptar dhe se ai ishte thjesht “shoqërues në udhëtim”.

Image

“Mua më morën në Shkodër, e kishte organizuar Komiteti Olimpik Shqiptar”, the Beci.

Kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli nuk pranoi të komentonte deri në publikimin e këtij shkrimi dhe i kërkoi pyetjet me shkresë zyrtare.

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i tha BIRN në një përgjigje me shkrim se përmbushja e kërkesës së ardhur nga Komiteti Olimpik Shqiptar për vënien në dispozicion të helikopterit ishte brenda rregullave. Shtabi tha gjithashtu se ky fluturim përputhej me misionin e Forcave të Armatosura “për promovimin dhe lartësimin e emrit të vendit në arenën ndërkombëtare përmes kontributit të sportistëve të nivelit të lartë”.

“Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të  Republikës së Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit civilo-ushtarak kanë detyrimin të bashkëpunojnë me autoritetet civile dhe organizatat qeveritare e joqeveritare,” tha Shtabi i Përgjithshëm, duke shtuar se aktualisht siguronte kapacitete të mjaftueshme të transportit ajror në gatishmëri të plotë.

Kjo nuk është hera e parë që helikopterët e Forcave Ajore përdoren për qëllime përtej misionit ushtarak. Në vjeshtë 2020, opozita denoncoi se atëherë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, përdori helikopterin për të marrë pjesë në aktivitete të Partisë Socialiste. Më herët në vitin 2013, socialistët dhe opozita e kohës, akuzuan Arben Imamin, ish-ministrin e Mbrojtjes në qeverinë Berisha, se kishte lejuar përdorimin e helikopterëve dhe pilotëve të bazës ajrore në Farkë për videoklipin e një këngëtareje.

Rasti më i fundit i shpërdorimit të helikopterit të Forcave Ajrore për udhëtimin në Alpe kritikohet si një akt i paligjshëm dhe në dëm të kapaciteteve ushtarake shqiptare.

“Nuk mund të përdoren mjetet e Forcat Ajrore për të bërë xhiro turistike, nuk janë taksi. I bie t’i kthesh Forcat Ajrore në agjenci turistike apo agjenci taksish,” tha për BIRN Artur Meçollari, ish-zv.komandant i Forcës Detare.

“Është plotësisht e jashtëligjshme. Sjell amortizimin e panevojshëm të kapaciteteve dhe gadishmërisë së Forcave të Armatosura, për një aktivitet që nuk është objekt i fushës së tyre të punës”, shtoi ai.

Image

Edhe Lindita Metaliaj, deputete e Partisë Demokratike dhe anëtare e Komisionit të Sigurisë Kombëtare e cilëson flagrant rastin. Metaliaj tha gjithashtu se rasti meritonte të hetohej pasi shkelja e ligjit dhe shpërdorimi i parave publike ishte sipas saj i qartë.

“Përdorimi i këtyre mjeteve për qëllime private e bën paligjshmërinë akoma edhe më flagrante”, tha Metaliaj, ndërsa akuzoi kryeministrin për instalim të një kulture të përdorimit të mjeteve shtetërore për qëllime private.

“…nëse organet e drejtësisë do të funksiononin, ata duhet të japin llogari për paratë e shpërdoruara të taksapaguesve,” përfundoi ajo.

About Redaksia

Check Also

Çfarë po fsheh prokurori i laboratorit të kokainës të Xibrakës për Olsi Ramën?

Gazment BARDHI I njëjti prokuror që jo vetëm mashtroi publikisht, jo vetëm fshehu 4 persona …