Nga Redin HAFIZI
“Freedom works”, – tha dikur në Tiranë James Baker dhe sot, me votën e diasporës jemi në kushtet e një çarje të diktaturës si atëherë, në kushtet që na afrojnë më pranë lirisë, në kushtet kur më në fund qytetarët marrin në dorë fatet e tyre. Fatkeqësisht kjo liri vjen sërish nga jashtë kufijve të Shqipërisë.
Kryekomisioneri Çelibashi deklaroi: “Ne duhet të sigurojmë që standartet e votës së diasporës të jenë të njëjta si ato brenda vendit”. Besoj se kryekomisioneri është nisur nga besimi i tij në standartet brenda vendit dhe kështu i takon, por situata në Shqipëri është e tillë edhe për standartet e varfëra të votimit në Shqipëri. Siç shumë e kanë deklaruar, në Shqipëri bëhen votime, por nuk bëhen zgjedhje të lira dhe të drejta. Madje pamundësia për të zgjedhur dhe për të qenë i/e lirë është një ndër arsyet që Shqiptarët sot detyrohen të zgjedhin larg vatrës familjare. Ky madje është edhe morali i votës së diasporës, mundësia më në fund për të zgjedhur të lirë.
Sipas regjistrimit më të fundit, votues brenda vendit janë vetëm 54% dhe jashtë vendit 46%. Largimet nga vendi kanë qenë masive pas fitores së PS në vitin 2013 dhe kjo si rezultat i një praktike diskriminuese për arsye politike në shumicën e rasteve. Në Shqipëri, pas vitit 2013 u bë e pamundur mundësia e punësimit jo vetëm në administratën shtetërore për individë që nuk pranojnë të shërbejnë pa kushte, por edhe në shumë projekte të sektorit privat. Ekonomia që u ndërtua pas vitit 2013 synonte shkatërrimin e klasës së mesme në Shqipëri, klasa që shprehet lirshëm për përfaqësuesit e tyre.
Kjo u arrit përmes goditjeve fiskale në mënyrë preferenciale ndaj bizneseve familjare, apo edhe kushtëzimi për punësim në sektor privat dhe publik me shërbimet ndaj shumicës në pushtet. Madje dhuna e lidhur me bukën e gojës arrinte deri aty sa edhe individë të ardhur nga familje tradicionalisht socialiste e kishin të vështirë të punësoheshin nëse nuk thyheshin, të linin krenarinë familjare dhe të shërbenin verbërisht për të fituar e më pas për të mbajtur një vend punë.
Pra qeverria e Edi Ramës rrëmbeu pushtetin për ta mbajtur me çdo kusht. Në funksion të kësaj ai huazoi praktikat e Soros nga vende të ndryshme të botës së tretë që gjenerojnë vetëm flukse migratore për shkaqe nga më të ndryshmet. Këto praktika bënë që Shqiptarët dhe Sirianët të kryesonin listat e azilkërkuesve në vendet e BE. Nëse Sirianët ishin në një luftë civile me armë, Shqipëria ishte nën një dhunë diskriminuese për shkaqe politike dhe lirisë për t’u begatuar. Në Shqipëri çdo gjë komandohet nga Edi Rama, madje edhe begatia për familjet Shqiptare.
Të ndodhur në këto kushte me 46% të Shqiptarëve me të drejtë vote jashtë vendit dhe duke parë se kjo shifër arriti në 46% për shkak të pamundësisë për të jetuar në liri dhe prosperitet në Shqipëri, atëherë diaspora ka më në fund fuqinë e ndryshimit për të sjellë ndryshimin me votë.
Vota nuk është thjesht një emër në një copë letër, por është një dridhje individuale që kur bashkohet kthehet në rrahje të forta që shkaktojnë shkundje. Gjithashtu vota ka edhe moral dhe përmes kësaj bëhet një armë në duart e individit për një qeverrisje të drejtë që i shërben atyre që e zgjodhën. Nëse njerëzit votojnë me moral dhe integritet, ashtu do të jetë edhe qwverrisja. Ndërkohë në Shqipëri ka patur shtrembërim të votës, pra shtrembërim të vullnetit të qytetarëve, vetëm se kanë ekzistuar elementët e zhdukjes së moralit dhe integritetit të votës, duke e kthyer në një interes të momentit.
Këtë diaspora nuk do ta pranojë edhe pse ka patur ndërhyrje për të anashkaluar moralin e votës së diasporës përmes individëve dembelë që nuk mund të begatojnë me një punë të ndershme, por shpresojnë ende tek premtimet e folklorikëve që vijnë në bisedat me diasporën. Shpesh në këto biseda është tentuar edhe konflikti përmes individëve të paguar, por qëllimi ka mbetur vetëm si një tentative. Ndërkohë që diaspora e vërtetë, diaspora e moralshme me integritet, diaspora e punës që u largua në kushtet e mbijetesës nga Shqipëria e ka vendosur për kë të votojë me refuzimin që i ka bërë skllavërisë moderne të Soros në praktikat në Shqipëri.
Diaspora voton për një Shqipëri për Shqiptarët, diaspora voton për të larguar tradhëtarët dhe këta po dëmtojnë kombin duke u treguar armiqësor edhe me Kosovën, shpirtin e dhunuar të Shqiptarisë kudo në botë. Diaspora voton ndryshimin pasi vota ka moral dhe votuesit kanë integritet. Prandaj kjo nuk është vetëm vota e diasporës, por edhe ora e së vërtetës për Shqipërinë që u qeverris dhunshëm përmes shtrembërimit të vullnetit të qytetarëve, për Edi Ramën që më në fund mund të provojë se tre mandate nuk i ka marrë në mënyrë të jashtëligjshme dhe për opozitën aktuale që ka mundësinë të frymëzojë dhe këtë e ka patur gjithnjë, por të frymëzuarit ishin të detyruar të largoheshin për shkak të diskriminimit dhe luftës së shpallur nga qeverria kundër qytetarëve të saj brenda vendit. Le të shpresojmë se fjalët e James Baker: “Freedom works” funksionon ende. Ora po vjen.