Bedri Myftari, shkrimtari rebel me shpirt të dlirë

Rexhep POLISI

Bedri Myftari është një nga ata shkrimtarë që ka lënë gjurmë në letërsinë shqipe. Që në moshë të re botoi dy libra me tregime, “Fluturzat e borës” dhe “Mbrëmjet e qytetit tim”, me të cilat ka marrë çmim të dytë dhe të tretë në konkurset kombëtare.

Në vitin 1966 u pranua anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe Bedriu me një grup të rinjsh nisën të shkruajnë me dorë të lirë kundër realizmit socialist. Ky grup u zbulua nga organet e Sigurimit të Shtetit dhe u quajt “grupi i të rinjve kundër vijës së partisë në art dhe letërsi”. Bedriut iu hoq e drejta e botimit dhe u dënua për agjitacion e propagandë. Pas viteve ’90, ai mundi të rifillojë të botojë veprat e tij të spikatura.

Bedriu ishte njeri fisnik me shpirt të bukur, rebel dhe i dlirë, bujar dhe zemërbardhë! Të gjitha këto virtyte ishin harmonizuar te ai njeri sa shpesh mirësia e tij kthehej në dhembje për shokun, mikun dhe cilindo që ka ndenjur një hop me të në tavolinën ku rrufiste kafenë çdo mëngjes te lokali i Hotel “Tirana Internacional”.

Bedriun trupvogël, por me zemër të madhe, e shihje përherë të qeshur me sytë që i shkëlqenin gjithmonë, kurrë nuk e shihje vetëm në tavolinë. Në tavolinën e tij të veçantë, që i ishte mundësuar nga pronari i Hotel “Tirana Internacional”,  Ram Geci, gjeje çdo ditë plot njerëz, të cilët e dëgjonin me vëmendje teksa ai rrëfente bukur, por edhe shkëmbente batuta me ta.

Kështu e gjeta edhe atë mëngjes, një ditë para se të jepte shpirt. Sa u futa në lokal, ma bëri me dorë që të shkoja tek ai. Në fakt, për tek ai isha nisur se kisha ditë pa e takuar, por ku ta dija unë se ky do të ishte takimi i fundit me mikun tim, njeriun e mirë Bedri Myftari?!

– “Kam shkruajtur disa poezi këto kohët e fundit, do t’i sjell që t’m’i  botosh në gazetë”.

– Patjetër, i thashë, m’i sill nesër!

I ndritën edhe më shumë sytë nga gëzimi. Gjithmonë fytyra e tij merrte një shprehje tjetër kur i botoheshin krijimet e tij në gazeta. Kishte shumë dëshirë t’i publikonte krijimet e tij dhe në fakt, sa herë që botonte, poezitë dhe tregimet e tij ngjallnin interes te lexuesi.

Dolëm nga lokali dhe Bedriu më përcolli një copë rrugë deri afër redaksisë së gazetës ku punoja. A thua se po e ndjente që ky do të ishte takimi i fundit?!

U ndamë për t’u takuar të nesërmen, sepse do të më sillte poezitë e reja për t’ia botuar.

Ktheva edhe një herë kokën pas dhe pashë tek largohej nxitimthi ai njeri trupvogël e me flokë të bardhë dhe trupi i zvogëlohej edhe më shumë, teksa nxitonte në udhën pa kthim.

Të nesërmen shkova sërish në lokal ku ai pinte kafen e mëngjesit, por Bedriu nuk ishte aty si përherë. Aty mësova se miku im i mirë, Bedri Myftari kishte dhënë shpirt në spital ku ishte dërguar me urgjencë.

Nën kujdesin e pronarit Ram Geci, në tavolinën e tij ishte vendosur filxhani me kafenë, një tufë me lule shumëngjyrëshe, një monedhë për bakshish për kamarierin, një fletë e badhë dhe një stilolaps.

Kështu ishte përditë tavolina e tij, por e mbushur plot me njerëz. Sapo mbetej vetëm në tavolinë, Bedriu niste e shkruante, ndaj dhe fleta e bardhë dhe stilolapsi ishin aty në tavolinë, a thua se po prisnin të zotin që të viheshin në punë…

About Redaksia

Check Also

Ekspozita “Triumf” për Donald Trump, Avni Delvina: Gëzim për gjithë botën, valë ndryshimi

Ndërsa sot Donald Trump bëri betimin si President i Shteteve të Bashkuara, në këtë rast …