Triniteti i Triumfit që zhduk Kakistokracinë

Dr. Pranvera SHEHAJ
Politologe, Ekonomiste, Pedagoge e Politikave Fiskale pranë Freie Universität Berlin

Kakistokracia: Pushteti i së Keqes përballë të cilit garojmë.

Për përkufizim, kakistokracia është një formë qeverisjeje ku pushteti ekzekutohet nga duart e individëve më të paaftë, më të pandershëm dhe më të korruptuarit e shoqërisë. Ajo është oksigjeni i regjimeve antidemokratike, po aq sa është pasojë eterne e tyre.

Në pamundësinë për të marrë pushtetin me mjete demokratike brenda moralit dhe virtytit politik, liderë të caktuar hedhin ura të forta lidhjeje me personazhe që nisin nga më pak të dëmshmit, profilet femërore si flluska imazhi të vijës së parë që nuk e justifikojnë me primis në aftësi, deri tek ata më të rrezikshmit për shoqërinë – të fortët e zonave dhe qyteteve, të kamurit e oligarkisë ekonomike me interesa ekskluzive personale, me në fund absolutët në forcë, profilet e botës së krimit.

Refuzoj të humbas së tepërmi kohë në ripërsëritjen e një diskursi të natyrës faktuese se përse Shqipëria sot e disa vite udhëhiqet nga një enturazh i paaftësisë, korrupsionit dhe krimit. Mjaftojnë disa shkëndija që i shërbejnë së paku shembullit të tre nga shumë burimet e kakistokracisë: mungesa e ekspertizës, mungesa e meritokracisë, lidhjet me krimin.

Së pari, prej 12 vitesh, Shqipëria qeveriset nga një piktor, me të qenurin e të cilit i tillë nuk ka asnjë paragjykim, por marrjen e një përgjigjeje mbi aftësinë dhe ekspertizën profesionale të kryeministrit, na e mohon. Në cilin sektor me rëndësi jetike për një vend më shumë se të brishtë do të sillte eskpertizë piktori vallë? Së dyti, Rilindja u demaskua disa herë në opinionin publik për nepotizëm dhe mbushjen e institucioneve më të rëndësishme të vendit me familjarë e krushq të ministrave, deputetëve, drejtorëve, etj. Së treti, dihen e njihen ministrat e kabinetit Rilindas, ndjekur nga deputetë të tyre në tre mandate të rënë në kthetrat e buta të drejtësisë, ku mpleksja në trafik dhe krim, u shpla paq me akuzën klasike të “shpërdorimit të detyrës” ose thjesht humbje mandati.

Kakistokracia është pemë me rrënjë të thella që vetëushqehet nga e keqja, andaj të fundit dëshirë ka vetëpastrimin. Më e fortë kakistokracia përmes ushqyesve të saj, më të blinduar shkohet drejt zgjedhjeve të radhës. Për kënd kjo mund të perceptohet si forcë, por vetëm për kë nuk e di se “e gjithë mizoria buron nga dobësia”. I dobëti është dredharak, i dobëti është i keq, i dobëti bën keq, i dobëti mbjell të keqen.

Qëllimi i dyfishtë i PD: Jo vetëm të Fitojmë, por të Qeverisim.

Beteja zgjedhore përballë kakistokracisë lëshon një goditje të fortë trysnie mbi opozitën, përngjajtëse e një gracke ndërveprimi ku standardin dhe rregullat e lojës i ka vendosur pushteti, e ku për rrjedhojë opozita gjendet përballë një dileme: të fitojë edhe duke luajtur sipas rregullave të pushtetit, apo të fitojë ndërsa mbart mbi supe peshën e fitores përmes një modeli që do të eksportojë në qeveri të kundërtën e kakistokracisë?

Ana e parë e kësaj dileme fortifikohet nga presioni publik se plumbi nuk luftohet me pambuk. Për të mundur autokracitë politike me kakistokraci qeverisëse si kjo e jona, a priori peshorja e mendimit mbi strategjinë e betejës anon pa dashur nga mjete që nuk janë me doemos reflektim i vlerës, moralit, qytetarisë, më pas ekspertizës, aftësisë, meritokracisë, e më në fund modelit dhe frymëzimit përmes shembullit. Kjo sepse kundërshtari përballë nuk reflekton këto karakteristika.

Perceptimi, e jo më pak bindja, është se intelektuali nuk e përballon të fortin, lidhja politike me elektoratin nuk fiton përballë bandave, nderi nuk e dobëson krimin, ekspertiza nuk zëvendëson shkathtësinë, shpresa afatgjatë nuk përmbush më shumë se favoret afatshkurtra, meritokracia është e pavend përballë vetëofrimit, dukja josh më shumë se brendia dhe këtu qeverisja nuk bën përjashtim, programi dhe vizioni janë të vakët dhe nuk përthithin votë më shumë se sa pragmatizmi i pazarit.

A dimë ne të garojmë me banditë? S‘do shkencë. A dimë ne të garojmë me populistë? S’do shkencë. A dimë ne të garojmë me ambalazhe imazhi? S’do shkencë. A dimë ne të shpërblejmë këtë enturazh të fitores pa moral? S’do shkencë t’i japësh jetë kakistokracisë. Por, ky nuk është Misioni ynë dhe ne nuk jemi Ata.

E tashmja në Shqipëri, ky realitet që mishëron tmerrin e një aksidenti politik që duhet të zhbëhet, i dorëzon dëshpërimisht Partisë Demokratike një qëllim të dyfishtë: Ajo nuk duhet vetëm të fitojë, por të fitojë ndërsa garanton themelimin e qeverisë pa rrezikuar eksportimin e modelit kakistokrat të qeverisjes, qoftë edhe të moderuar. Kjo nënkupton se PD duhet të dalë mbi kundërshtarin, mbi pushtetin dhe standardet që ai imponon duke thyer perceptimin dhe mendësinë e mbrapshtë mbi realitetin e mbledhjes së votës, ashtu sikurse mbi atë se çfarë vlerëson e zgjedh elektorati.

Triniteti i Triumfit dhe Trilogjia e Modeleve

Autoriteti i këtij qëllimi të dyfishtë mbi betejën tonë do të lexohet në fytyrën e Partisë Demokratike ndërsa përulet me krenarinë e atyre që janë ballëlartë dhe në lartësinë e rëndësisë së besimit që kërkojnë nga shqiptarët. Kush më shumë se ekipi që do të garojë në zgjedhje do të ishte Kali i Betejës së demokratëve?!

Që të përmbushet ky qëllim i dyfishtë, fitore e zgjedhjeve parlamentare dhe garancia demonstrative dhe faktike se mazhoranca që do të dominojë përfaqësimin e vullnetit të popullit prej 2025 është reflektim i parimeve, aftësisë dhe vlerës, “Trilogjia e modeleve” është në funksion të suksesit të ndërthurjes së këtyre dy misioneve: misionit pragmatik (Fitorja) dhe misionit parimor (Qeverisja e duhur).

Fytyra e Partisë Demokratike në këtë Triologji Modelesh për garën në prag shihet në këtë këndvështrim si përmbushëse e atij që do ta quaj “Triniteti i Triumfit”: Votë – Ekspertizë – Frymëzim. Të tre kulmet e trinitetit mbahen dhe mbështeten te njëri-tjetri duke përftuar reciprokisht si të vendosur në enë komunikuese.

Do të mjaftonin manualet e mendimit dhe strategjisë politike të lashtë, pa e lënë veçmas edhe dijen mbi të sotmen, për të kuptuar se tre janë mjetet e gjenerimit të votës: favore, lidhje individuale, shpresë.

Ndërsa favoret janë mjet ekskluziv i pushtetit, opozita mund të luajë vetëm përmes dy mekanizmave të tjerë, lidhjeve individuale me elektoratin zhvilluar gjatë karrierës politike ose krijuar kohë përpara dhe gjatë fushatës, ashtu sikurse duke mbjellë shpresë, një dritë, një besim optimist, thjesht shpresë.

Cilët mund të ishin tre modelet e ofertës sonë që përmbushin Trinitetin e Triumfit (Votë – Ekspertizë – Frymëzim) për të arritur Fitoren (misioni pragmatik) dhe Qeverisjen e duhur (misioni parimor).

(Modeli 1). Modeli i parë duhet të jetë ai tërësor politik. Profilet ekskluzive dhe të mirëfillta politike në ekipin garues janë ata që në përvojën dhe rrugëtimin e tyre politik kanë krijuar lidhjet e tyre individuale me elektoratin, kanë zhvilluar beteja duke u njohur reciprokisht me njerëzit, duke krijuar bazën e tyre të pathyeshme elektorale. “Veteranët” e një force politike, janë së pari shtylla me të cilën zgjedhin të identifikohen militantët, ndaj si të tillë kthehen në qendër të zhvillimit të fushatës elektorale dhe luajnë rolin e “hijes rojtare” të votës së sigurt në mënyrë që të mobilizohen më pas energjitë për të nxitur përthithjen e votës në elektorat më gjerë.

Që ky model të maksimalizojë suksesin e tij ka dy kushte të panegociueshme: Së pari, reputacioni politik duhet të jetë i pacënuar, thënë kjo në kuptimin e mosshkëputjes në asnjë çast dhe për asnjë rrethanë nga votëbesuesit, lidhje e pandërprerë me ta, besnikëri në përfaqësim. Së dyti, edhe më i suksesshëm do të rezultonte ky model nëse nën një bashkim brezash dhe mentalitet “mentori” që strukturat luajnë për individë të rinj, ai përfshin edhe individë që kanë rrugëtuar në strukturat e Partisë dhe përpos moshës kanë dominuar duke dëshmuar devotshmëri në rrugëtimin e betejave, e aq më mirë nëse është rasti i një modeli fituesi.

(Modeli 2) Modeli i dytë duhet të jetë ai i ekspertizës dhe aftësisë profesionale. Ndër fazat e thyerjes së autokracisë, një prej tyre është projektimi i të ardhmes pa autokratin, që në rastin tonë dyfishohet duke i shtuar zëvendësimin e kakistokracisë së të paaftëve. Edhe pse unë nuk besoj në kufizimet absolute, studime të shumta vërtetojnë se profilet me formim dhe përvojë në drejtësi, ekonomi dhe administratë publike, kanë probabilitet të lartë të përkrahen jo vetëm nga elektorati gri, por edhe nga mbështetësi më objektiv (për shembull votues i djathtë, por jo militant). Përfshirë edhe sektorë të tjerë kyç, kjo mundëson që ekspertiza, dëshmia e një përvoje dhe karriere profesionale, të bëhet faktori i dytë që stimulon votën.

Së dyti, ky model i shërben drejtpërdrejt ndërtimit të projeksionit të së ardhmes pa autokratin, pa kakistokracinë. Të ofrohesh në garë me eskpertë në drejtimin dhe mbarëvajtjen e shtetit dhe sektorëve kyç të tij jo vetëm të shkolluar si të tillë, por me një përvojë të dalluar profesionale e të shtrirë në kohë, nxit shpresë për krijimin e një qeverie që premton shpërndarjen e ekspertëve në sektorët përcaktues për zhvillimin e vendit.

(Modeli 3) Modeli i tretë duhet të jetë ai subjektiv, emocional, frymëzues. Së pari, votuesi udhëhiqet nga gjithçka udhëhiqet një qenie njerëzore. Votuesi mund dhe është emocional, ndaj si i tillë ai kërkon të përmbushet shpirtërisht. Njeriu përpara se të ketë nevojë për shumëçka, ka nevojë të ndihet mirë, të mendojë mirë, të vlerësohet duke u rrethuar me njerëz të mirë, njerëz si ai, njerëz të përulur në komunikim duke qenë të mirënjohur si shembull qytetarie dhe model suksesi përmes punës, lodhjes, sakrificës.

Së dyti, njerëz që frymëzojnë: ky është një detaj thirrës për këtë model të tretë. Votuesi e do një histori frymëzuese, e përkrah një histori që atij i kujton se edhe ai mundet, një model që votuesit i ushqen shpresë se pavarësisht pikës së nisjes, rrethanave, kushteve, përmes punës, dinjitetit dhe integritetit moral, suksesi mund të jetë edhe i tiji. Një model që frymëzon, shqiptari e zgjedh sepse do të shohë veten tek një histori suksesi e vërtetë, tek një histori rikthimi si model udhëheqësi për komunitetin në atdhe, deri tek një histori lirie apo lavdie.

Dera e fundit: Ku gjen pengesë, ajo është rruga!

Së fundmi, ndërsa zgjedh t’i dorëzohem bindjes se nuk ka përpos PD, – së paku deri kur hedh këto rreshta mbi letër, – forcë politike në Shqipëri me burimet më të plota njerëzore që i përmbushin të tre modelet, mbetet një derë e fundit për t‘u hapur ndërsa i premtojmë vendit qeverisjen e kundërt me kakistokracinë, qeverinë e të aftëve, po aq sa të atdhetarëve dhe fisnikëve në moral, nder dhe integritet ndaj besimit që ky komb i dorëzon një force politike. Çelësi për ta hapur edhe këtë derë është ai i triumfit në garën me të keqen nëpërmjet mendësisë: “Ku gjen pengesë, ajo është rruga”.

 

About Redaksia

Check Also

Shqipëria, laborator politik i Soros. eksperiment që duhet ndalur

Ilir Pecnikaj Shqipëria, është shndërruar në një laboratoreksperimental politik, me synim transformimin e strukturave shtetërore …