Kreu i LZHK, Dashamir Shehi, njoftoi se është në negociata me tre grupime opozitare në Parlament, përfshirë Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn, për të garuar bashkërisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Synimi, sipas tij, është maksimalizimi i votës së opozitës në prodhimin e mandateve. Ftesa për bashkëpunim shkoi për këdo që nuk bashkohet me grupin Berisha-Meta, si brenda ashtu edhe jashtë Parlamentit.
“Po negociojmë me të gjitha grupet që janë brenda parlamentit dhe pothuajse jemi dakord, Alibeaj, grupi i Bashës. Po diskutohen gjëra të vogla, dëshira është e mirë. Hajde ta bëjmë bashkë. Lista është e përbashkët, lista është e hapur. Se kush është lideri më i mençur këtë e mbyll populli. Kjo është rruga e vetme dhe po e them për herë të fundit, të reflektojnë dhe të mendojnë. Është një shans i madh që ka opozita alternative”, tha Shehi.