Nga Redin HAFIZI
Djalli fshihet në detaje dhe ne shqiptarët nuk jemi shquar për gjakftohtë që të presim me durim. Menjëherë pas kalimit të euforisë për arritjen e votës së diasporës, kanë dalë problemet e para. Këto probleme janë të karakterit parimor dhe teknik. Shpesh po trajtohet si një dhuratë e politikës, madje arrihet deri aty sa të trajtohet si një arritje e maxhorancës. Në këtë kontekst vota e diasporës po kthehet në një fasadë të punës së qeverrisë.
Taulant Balla në një ndër takimet e tij në Itali u shpreh: “E kërkuat votën dhe ne e bëmë të mundur. Tani votoni PS për Shqipërinë e vitit 2030”. Ndërkohë e vërteta është krejt ndryshe. U desh që të shprehej Gjykata Kushtetuese pasi vota e çdo Shqiptari, pavarësisht vendit ku jeton, është një e drejtë kushtetuese e jo një privilegj që e njohin burokratët në qeverrisje apo politikanët e çdo spektri. Pra më në fund u vendos kjo e drejtë e mohuar për qytetarët Shqiptarë. Megjithatë lind pyetja se përse u realizua tani?!
Përgjigjen e marrim nga regjistrimi më i fundit i popullsisë ku dalin se brenda vendit kanë mbetur vetëm 54% e qytetarëve me të drejtë vote që ende figurojnë nëpër listat e votuesve. Pra mbetet që 46% janë Shqiptarë të cilëve kjo e drejtë kushtetuese u ishte mohuar dhe zgjedhjet në Shqipëri ishin kthyer në një aksion qesharak ku brenda këtij 54% ndeshej maxhoranca, opozita dhe patjetër që ekzistojnë edhe të pavendosurit. Por sërish lind pyetja se përse mbërritëm në këtë pikë, përse në 12 vitet e fundit njerëzit janë larguar në një masë të tillë?!
Përgjigja gjendet tek projekti qeveritar i shpopullimit të Shqipërisë përmes injektimit të teorive për një shoqëri të hapur, pa kufij administrativë dhe ideologjikë. Pra, pas 2013 në Shqipëri ka vepruar një qeverrisje që nuk pranon askënd që njeh të drejtën e pronës, të drejtën e shprehjes, të drejtën e prosperitetit personal dhe të familjes, të drejtën e votës në liri dhe pa u kërcënuar me vendin e punës. Pra qeverria aktuale në Shqipëri nuk i njihte këto të drejta si të panegociueshme, ose si kufinj që nuk kalohen, por me arrogancë nisi t’u mbushë mendjen qytetarëve se këto janë privilegje dhe kush nuk pranon, sipas vetë kryeministrit Rama, ka të drejtën që të largohet nga vendi. Kundërshtarët e regjimit dënoheshin me dëbim, pasi vetëm kështu mund të konsiderohet diskriminimi për shkak të bindjeve dhe besimit.
Kush besonte se kushtetuta është dokumenti që qytetarët i thonë qeverrisë se çfarë duhet të bëjë, ishte i dënuar me dëbim. Ndërkohë në Shqipëri mbetën vetëm ata që besojnë se kushtetuta thjesht tregon privilegjet e qytetarëve përballë qeverrisë. Ndryshimi mes të drejtës dhe privilegjit është se me të parën njeriu lind, është krijuar dhe lufton për mos u mohuar. Ndërkohë privilegji mund edhe të mohohet përmes proçedurave burokratike. Për ta bërë më të thjeshtë, çdo qytetar ka të drejtë të ketë si pronë private një makinë, por patenta për t’i dhënë makinës është privilegj dhe këtu hyjnë proçedurat burokratike. Ndërkohë vota është e drejtë e sanksionuar në kushtetutë dhe jo një privilegj që kalon me VKM. Nëse do të trajtohej si privilegj, siç po trajtohet nga politikanë dhe burokratë të maxhorancës, proçesi ka dështuar që në parim dhe nuk mund të funksionojë as teknikisht dhe shenjat janë të qarta.
Kur Gjykata Kushtetuese u shpreh, atëherë çdo ligj apo proçedurë duhej të konvergonte tek e drejta e qytetarit për të votuar, pra për të krijuar një proçes sa më të thjeshtë dhe elastik. Por po ndodh e kundërta dhe kot nuk thonë se djalli fshihet në detaje. Në aplikimin që ne i dërgojmë KQZ na kërkohen disa të dhëna, si emri, mbiemri, emri i babait, fotoja, pashaporta Shqiptare, numri i ID Shqiptare, qarku ku çdo emigrant ka jetuar para largimit nga Shqipëria, adresa dhe një dokument ku vërteton adresën ku ne jetojmë aktualisht.
Pra, qeveria me KQZ janë kujdesur që teknikalitetet burokratike të rrjedhin nga bindja e tyre se vota e 46% e Shqiptarëve është një privilegj duke mos e lehtësuar proçesin në favor të së drejtës kushtetuese. Pra nëse sheh aplikimin ndjen vetëm zërin e burokratëve që të thonë: “E ç’merresh me këtë punë. Ti je mirë atje ku je. Përse fut hundët këtu?” Janë këto mendime që vijnë kur sheh se edhe pse listat e votuesve janë në KQZ, me emra dhe mbiemra, qeverria sërish si dokument identifikimi pranon vetëm dokumentat Shqiptarë.
Sot kur dokumentat biometrikë të nxjerrin emra dhe mbiemra që ke përdorur në të shkuar dhe t’i sjellin tek origjinali, pra tek emri në listën e KQZ, më duket si një përpjekje burokratike për të mohuar një të drejtë kushtetuese për qytetarët Shqiptarë të larguar prej dekadash. Megjithatë këta nuk janë problemi, por si t’ia bëjmë me 1.2 milionë të larguar në 12 vitet e fundit, pra, 100 mijë çdo vit dhe këtu është skandali. Këtyre u kërkohet nga KQZ dokument që të vërtetojnë adresën që deklarojnë. Shumë prej tyre janë të jashtëligjshëm, pra nuk kanë asnjë dokument që të vërtetojnë se ku jetojnë nëpër botë.
Shumë prej tyre jetojnë nëpër miq, kushërinj, apo të tjerë familjarë sa për të nisur jetën në emigrim, por patjetër që vërtetojnë se janë Shqiptarë me dokumenta. Këta janë qindra mijëra Shqiptarë të larguar tani vonë dhe e drejta e votës do t’u mohohet vetëm sepse u larguan pas 2013, u larguan se nuk pranuan të përdoreshin, u larguan se njihnin kufijtë kur bëhej fjalë mes marrëdhënies qytetar dhe qeverri, u larguan se besuan dhe besojnë në kushtetutë. Ndërkohë KQZ dhe çdo institucion tjetër duke nisur me parlamentin e kanë kthyer kushtetutën në letër higjenike dhe kjo nuk jep shpresë për 46% të Shqiptarëve që duan patjetër ndryshim të vërtetë.