Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpallur planet për një reformë të thellë shëndetësore bazuar në modelin gjerman, si pjesë e programit të partisë për ndryshime strukturore në sistemin e shëndetësisë.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha u shpreh se reforma do të fokusohet në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe zgjatjen e viteve të saj për qytetarët shqiptarë. Ai theksoi nevojën për politika të qëndrueshme, me shërbime shëndetësore të përballueshme dhe buxhet të dyfishuar për sektorin.
Një prioritet tjetër do të jetë ndëshkimi i aktorëve të përfshirë në koncesionet shëndetësore, të cilat Berisha i cilësoi si kriminale.
“Partia Demokratike, qeveria e saj, do të ndërmarrë një reformë të thellë shëndetësore bazuar në modelin gjerman.
Ne punuam, ne nuk e konkluduam, por ne mbi këtë model arritëm gjer afër finalizimit të reformës në shëndetësi dhe ajo u zhbë me shpejtësi.
Politika shëndetësore do jenë politika të qëndrueshme, të cilat kanë synime madhore zgjatjen e viteve të jetës dhe shtimin e cilësisë së jetës në këto vite.
Këto politika synojnë që qytetarëve shqiptarë t’u ofrohen shërbime plotësisht të përballueshme.
Ata nuk do mund të paguajnë kurrë më shumë se mesatarja e vendeve të rajonit.
Buxheti për shëndetësinë do dyfishohen.
Do ndërpriten menjëherë dhe do vendosen para ligjit të gjithë aktorët e krimit të koncesioneve në sistemin e shëndetësisë që i kushtojnë buxhetit 300 milionë euro.
Ndërkohë, nga të cilat përfitojnë vetëm mafia e tmerrshme e tyre.
T’u rikujtoj këtu se checkup-i në grupmoshat që bëhet dhe me regjistrat, në të cilat faktohet se gjysma e personave të regjistruar nuk kanë bërë kurrë checkup, është një gjobë e tmerrshme për qytetarët shqiptarë.
Kujdesi shëndetësor në rrafshin e depistimit do ketë një karakter krejt tjetër.
Do fillojë mbi një moshë të caktuar me patologji të caktuara, ashtu siç e kanë vende të tjera. Kurse checkup-i në Shqipëri përjashton moshat që kanë nevojë për checkup se nuk do të përballojë faturat.
Skema e sigurimeve shëndetësore do ndryshojë, do diversifikohet, nuk do jetë më monopol i një institucioni. Jo, ne do hapemi për institucione të tjera sigurimesh, përveç institutit aktual dhe kjo është e domosdoshme për garën e cilësisë së shërbimeve të ofruara.
Familja do jetë në epiqendër të këtij sistemi. Kujdesi për shëndetin familjar, për familjen, do jetë themeli i sistemit tonë.
Shëndeti i të moshuarve, me synim jetëgjatësinë e tyre, do jetë një drejtim tjetër themelor i shëndetësisë sonë.
Thashë edhe njëherë, Edi Rama me gruan e kushëririt të tij, Vilma Nushi, vjedhin dhjetëra milionë euro nga buxheti i shtetit për të bërë checkup tek persona që kush në botë nuk i bën. Por nuk ka asnjë kujdes për moshën e tretë, gjë e cila është unike”, tha Berisha.