Nga Alesia BALLIU
Për kushtet ku ndodhej Shqipëria në atë periudhë, hapja e një shkolle të mesme për përgatitjen e mësuesve të parë shqiptarë përbënte një hap të madh përpara. Në Kongresin e Elbasanit u vendos që kjo shkollë të ngrihej pikërisht në këtë qytet, duke i dhënë atij një rol të pazëvendësueshëm në zhvillimin e arsimit dhe kulturës shqiptare. Ky vendim tregon jo vetëm rëndësinë e Elbasanit në historinë kombëtare, por edhe kontributin e tij të vyer në ndërtimin e themeleve të një kombi të arsimuar.
E sjell këtë fragment historie për të kujtuar arsyet pse elbasanasit duhet të ndihen krenarë dhe të ecin me kokën lart. Ky qytet, djep i kulturës dhe arsimit, ka mbajtur gjithmonë një peshë të veçantë në identitetin kombëtar shqiptar. Fatkeqësisht, sot, krenaria dhe trashëgimia e Elbasanit po sfidohen nga një qeverisje që, përveçse ka deformuar strukturën sociale të qytetit, po lë në harresë dhe shpërfillje historinë dhe vlerat e tij.
Elbasani është ndër qytetet që ka vuajtur më shumë nga keqqeverisja e viteve të fundit. Shikoni reja e zezë të ndotjes që ngrihet nga metalurgjiku dhe do të kuptoni se ky qytet po mbytet nga mungesa e një menaxhimi të përgjegjshëm dhe nga korrupsioni i përhapur. Një re tjetër, më e rëndë, është ajo e varfërisë dhe pesimizmit që ka pllakosur qytetin. Nga një vend që gumëzhinte nga zërat e studentëve, sot Elbasani po vuan largimin e rinisë dhe mbylljen e degëve universitare, një proces që jo vetëm dëmtoi arsimin, por edhe ndikoi negativisht në ekonominë lokale. Me mbylljen e universiteteve dhe largimin e studentëve, shumë biznese të lidhura me jetën studentore u zhdukën, duke lënë qytetin më të varfër dhe më të heshtur.
Përveç kësaj, qyteti, i njohur dikur si djepi i arsimit, po përballet me një transformim të dhimbshëm. Në vend që të përmendet për kulturën dhe arsimin, Elbasani përmendet gjithnjë e më shumë në media për krimin dhe bandat. Ky realitet i zymtë është një pasqyrë e tjetërsimit që ka ndodhur në vite dhe një thirrje për të gjithë ne që të reagojmë.
Nuk duhet të lejojmë që dekadenca të rrënojë këtë qytet të lavdishëm. Është koha të bëhemi bashkë për të sjellë ndryshimin, për të kthyer Elbasanin në atë që ka qenë dikur – një simbol i arsimit, kulturës dhe dinjitetit. Vetëm duke bashkëpunuar mund t’i japim qytetit tonë fytyrën që i takon dhe të rikthejmë krenarinë për brezat e ardhshëm.