Muçollari: Qeveria me “bekimin” e Ramës trafik ndërkombëtar, eksporton 20 mijë ton mbetje toksike nga Durrësi

Anëtari i kryesisë së PD, Grigels Muçollari, në një deklaratë për media të mbajtur ditën e sotme u shpreh se raportimet e  reja lidhur me 102 kontenierët me mbetje të rrezikshme, të mbyllura tanimë në Porto Romano, tregojnë se sa thellë është përfshirë qeveria në atë që njihet si trafik illegal ndërkombëtar i mbetjeve të rrezikshme.

Deklarata

Kur ende nuk ka asnjë transparencë për 102 kontenierët me mbetje të rrezikshme, me dyshimin se janë lëndë toksike, të mbyllura tanimë në Porto Romano, raportime të reja tregojnë se sa thellë është përfshirë qeveria në atë që njihet si trafik illegal ndërkombëtar i mbetjeve të rrezikshme.

Ashtu siç kemi denoncuar vazhdimisht nga terreni dhe nga kjo foltore, sasia e kapur, e kthyer mbrapsht, në Korrik të vitit të kaluar, nuk ishte e vetmja ngarkesë e nisur nga porti i Durrësit.

Agjensia “Birn” thotë se bazuar në informacionet e siguruara përmes kërkesave për të drejtë informimi, ka zbuluar se mes viteve 2020 dhe 2023, një sasi prej rreth 20 mijë ton mbetjesh të rrezikshme të gjeneruara në Shqipëri ishin eksportuar jashtë vendit, në shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare.

Një trafik i tillë, një krim i tillë nuk mund të bëhet pa bekimin e Kryeministrit.

Megjithatë, dy janë përgjegjësit direkt në këtë aferë.

Ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro, dhe Drejtori i Portit të Durrësit në këto vite, sot Ministër i Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Mirela Kumbaro ka lejuar, me firmat e licensat e saj, dhe me mosveprimin që ky krim të ndodhë.

Pirro Vengu ka vënë në dispozicion infrastrukturën e Portit më të madh të vendit, që ky krim të ndodhë.

Ne e dimë që të dy këta kanë mbrojtjen e Edi Ramës dhe prokuroria e Durrësit që ka nisur hetimin nuk ka asnjë shans të mbërrijë tek ta.

Ky krim i rëndë, që parashikon penalitete të forta për Shqipërinë nga Konventa e Bazelit, shkon edhe një shkallë më lart kur dy zyrtarët që kanë lejuar aferën të ndodhë, dhe dyshimi është se kanë përfituar prej saj, do të mbeten pa u hetuar, pa shkuar para ligjit.

Edi Rama qeverisi 12 vite me trafiqe. Me trafik droge ku ngriti të parin narkoshtet në Europë, dhe tani është zbuluar dhe trafiku illegal ndërkombëtar i mbetjeve të rrezikshme.

Vota e 11 majit ka rëndësi jetike për ta shpëtuar mjedisin, për të ofruar siguri e garanci për shëndetin e qytetarëve, për të ndalur një herë e mirë krime të tilla të shëmtuara e me pasoja të rënda për jetën e shëndetin e shqiptarëve.

About Redaksia

Check Also

Nën hetim nga SPAK, Rama merr në mbrojtje edhe Bushkën!

Edi Rama ka marrë në mbrojtje edhe deputeten Klotilda Bushka e cila është në hetim …