Berisha thirrje emigrantëve të regjistrohen: Vota juaj ka rëndësi jetike për familjet dhe vendin tuaj!

Lideri i opozitës, Sali Berisha, publikoi një thirrje në median sociale për emigrantët që të regjistrohen për zgjedhjet e 11 majit. Berisha shkruan se, vota juaj ka rëndësi jetike për familjet dhe vendin tuaj.

“Të dashur miq shqiptarë e shqiptare jashtë vendit.

Në vitin 2013, kur dorëzova pushtetin, kjo monedhë 1 euro këmbehej me 140 lekë.

Sot, pas 11 vitesh, kjo monedhë këmbehet në Shqipëri me 98 lekë.

Paratë e drogës dhe larja masive e parave të krimit në Shqipëri, ka shtrirë përdhe monedhën europiane.

Por gjithashtu ka ndëshkuar rëndë remitencat tuaja, ndihma aq të çmuara, aq jetike për familjarët tuaj.

Përveç kësaj, gjatë këtyre 11 viteve, çmimet në Shqipëri të ushqimeve, ilaçeve kanë njohur rritje stratosferike.

Ato janë sipas Eurostat, 10 gjer në 250 përqind më të shtrenjta se në vendet kryesore të BE.

Dhe kjo për prindërit tuaj është një katastrofë e vërtetë.

Prandaj vota juaj në këto zgjedhje është e një rëndësie jetike për shpëtimin e prindërve, familjarëve tuaj, por edhe të vendit tuaj.

Kështu që nga zemra u bëj thirrje regjistrohuni në portalin e KQZ, në portalin e PD, ky i fundit do t’u japë ju automatikisht udhëzimet me të cilat orientoheni se si të përdorni portalin e KQZ.

Ju ftoj që të hyni në link në mënyrë që të votoni të gjithë më 11 maj për të shpëtuar Shqipërinë nga të këqijat e mëdha që Edi Rama i ka bërë këtij vendi në këto 12 vite të qeverisjes së tij”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Goditje tjetër ndaj Ramës, JD Vance dhe Rubio refuzuan takimin me të në Mynih, oligarkët e lobistët dështuan

Rama ka tentuar të takohet në Mynih me Zv.Presidentin amerikan JD Vnace si dhe me …