Regjimet autokratike vrasin ngadalë dhe tinëzisht nën hipnozën e robërisë së mendimit

Drejtuesi i Departamentit ‘Brain Gain’ në PD, Andi Mustafaj, u shpreh se ‘regjimet autokratike vrasin ngadalë dhe tinëzisht nën hipnozën e robërisë së mendimit’.

Gjatë fjalës së tij në takimin me liderin e opozitës, Sali Berisha, me temë ‘Ne mundim, ata thyhen’, Mustafaj theksoi se ‘edhe diktatorët thyhen, edhe autokratët thyhen, përsa kohë demokratët janë bashkë në vendosmërinë e palëkundur për të lëvizur edhe të fundit gur drejt kësaj rruge pa kthim’.

Fjala e plotë

Regjimet autokratike vrasin ngadalë dhe tinëzisht nën hipnozën e robërisë së mendimit.

Nën një doktrinë lufte me njeriun, fitoret më të mëdha të regjimeve autokratike nuk janë ato që arrihen duke mundur trupin e tij, por ato që arrihen duke mundur mendjen e tij.

Beteja me trup për regjimet është betejë e lehtë. I kufizuar dhe i brishtë, trupi shtypet, plagoset, gjymtohet. Mbi të, pushteti ushtron një trysni të drejtpërdrejtë, të cilës edhe vullneti më i madh vështirë se i bën rezistencë.

Regjimet synojnë mendjen e njerëzve, dhe nëpërmjet zaptimit dhe nënshtrimit të saj, ato nënshtrojnë aftësinë për të arsyetuar, për të ngritur pikëpyetje.

Pesha e fjalëve është çështja që na ka mbledhur sot.

Pesha e fjalëve, të cilat në përdorimin e tyre në publik, në ligjërimi mediatik e deri në debatet e tavolinave të kafeve, mund të shpjegojnë por edhe mund të krijojnë realitete.

Pesha e fjalëve, të cilat, nëse nuk kuptohen, nuk luftohen, mund të dërmojnë mendjen e njerëzve.

Prej 12 vitesh, ne jemi nën zjarrin e një sulmi të pamëshirshëm mbi mendjet tona. Një sulm tinzar, në fillim i heshtur, në vazhdim një psherëtimë, në përfundim një zhurmë shurdhuese e cila e ka bërë popullin shqiptar të mos dëgjoj më dot zërin e vetes së vet, zërin e arsyes.

Që të trajtojmë këtë çështje me sinqeritetin dhe seriozitetin e nevojshëm, duhet ta nisim nga një parim: E vërteta. “E vërteta është parimi i të gjitha parimeve”, ndaj së pari ne duhet t‘ia pranojmë atë vetes. E vërteta është se socialistët e kanë fituar raundin e parë të kësaj beteje.

Sa më shumë përpiqemi ne me çdo zë dhe formë të kthjellojmë vetveten dhe shqiptarët rreth të vërtetës që fsheh propaganda, aq më shumë mobilizohet pushteti për të mbajtur gjallë fasadën.

Me një disiplinë që u shkon vetëm pasardhësve të Partisë së Punës, ata kanë ndërmarrë një sulm absolut deri në asgjësimin e mendjes së fundit të lirë në vendin tonë.

Hap pas hapi, ata kanë ndërtuar një sistem burgu të trurit. Brenda tij, shqiptari nuk mendon më, por pëson në mënyrë të pareshtur sulmet e makinerisë së propagandës dhe ushtarëve të saj.

I varur në mendësinë që imponohet brenda burgut të mendimit, nervi i reagimit është goditur gjithashtu sa herë shqiptari nuk kundërshton më duke pranuar si të mirëqenë ato çka imazhi dhe zëri i pushtetit përcjell tek ai.

Hap pas hapi, propaganda e autokracisë ka qenë e suksesshme jo vetëm në shuarjen e kushtrimit të brendshëm për të reaguar ndaj së keqes së rrënjoshur në çdo hallkë të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, por ia ka dalë të injektojë helmin e dyshimit dhe mosbesimit brenda nesh.

Hap pas hapi, kjo tymnajë helmi na ka verbuar, deri sa atje tej në horizont e ka bërë të duket kundërshtarin si i fortë, i madh, i pakundërshtueshëm, ndërsa ai vetë, është i ndërgjegjshëm për dobësinë e tij, dhe si i tillë, ushqen me gjithë fuqinë perceptimin e rremë mbi realitetin e trishtë.

Të ndërgjegjshëm se janë pa përmbajtje, ata kanë investuar gjithçka në formë dhe imazh.

Le të marrim një shembull konkret. Kur opozita proteston në Shqipëri duke bllokuar rrugët apo duke u ballafaquar me policin, ajo cilësohet në shumicën e mediave si e dhunshme. Kur opozita proteston në Francë duke bllokuar rrugët ajo tregon forcën e saj për të përfaqësuar njerëzit dhe për mbrojtur demokracinë.

Dy veprime të njëjta për të përmbushur dy qëllime të njëjta, madje shpesh në Francë më të ashpra. Por, në varësi të fjalëve që përdoren për t‘i shpjeguar perceptohen, emertohen dhe priten në mënyra krejt të kundërta nga popullsia dhe opinioni publik duke krijuar brenda vetes së tyre ndjenja të kundërta.

Në të dyja rastet është ushtruar një trysni fizike. Por në njërin rast, trysnia fizike është pozitive, shpëtuese, në tjetrën negative, shkatërruese.

E tillë është pesha e fjalëve dhe fitorja e propagandës. Goja dhe zëri përçues i regjimit, imponoi në debatin publik narrativen që njerëzit duhet të ndiqnin.

Disa mund të më thonë, sa teorike.

Përgjigja ime do ishte, sa praktike. Sa e thjeshtë është kur e kupton se si ata e bëjnë betejën e tyre për t’ju përgjigjur kësaj beteje.

Është teoria e tyre e cila ka krijuar realitetin në të cilin njerëzit mendojnë se jetojnë.

Nëse në çdo studio ne do mbronim konceptin e forcës së opozitës për demokraci nuk do ishim në mbrojtje si dhunues.

Kthjellimi i mendjes, kuptimi i realitetit, zgjimi i nervit të reagimit dhe çlirimi i kushtrimit të veprimit, kanë qenë sfidat që mbajtën bashkë demokratët, zinxhiri i hekurt që iu bë pararojë pushtetit gjatë gjithë kësaj dekade opozitarizmi, ndërsa nxiti përfshirjen e më shumë shqiptarëve pas Rithemelimit.

Për Departamentin Brain Gain, në mesin e demokratëve, në emër të thirrjes së brendshme për vendin që trashëguam e për gurët që do të trashëgojmë, është detyrë madhore mospranimi i këtij helmi propagandistik.

Kjo detyrë nis nga ndryshimi i mendimit mbi forcën dhe rolin tonë. Ne nuk jemi viktima, nuk jemi të kompleksuar, nuk jemi naiv, nuk jemi dënuar të pësojmë, nuk dorëzohemi përsa kohë kemi forcën dhe shembullin, se asgjë nuk është e pamundur për demokratët.

Koha dhe rrethanat i kanë dhënë brezit tonë, – ndryshe nga ai i prindërve tanë, – një kartë të rëndësishme në duar, atë të njohjes dhe përvojës në shtete etalon të demokracisë dhe zhvillimit.

Të rritur, të shkolluar apo të punësuar në vendet perëndimore, ne e dimë mirë ç‘është demokracia, liria, meritokracia, dinjiteti në shoqëri dhe punë.

Për rrjedhojë, ne jemi të qartë se ç‘është më e mira për vendin tonë, nga çfarë lëngon ai, në çfarë fataliteti po rrëshket ai. Kjo na jep siguri, pavarësi mendimi dhe vetëbesim përballë çdo imponimi që vjen nga shqiptarë e të huaj, partnerë strategjikë të pushtetit.

Të nderuar miq,

Përgëzimet dhe lavdërimet janë sigurisht shtysë për të bërë më shumë, për të bërë më mirë, por nuk kanë qenë në asnjë ditë qëllim në vetvete për ne.

Qëllimi ynë është tjetër, është ai i të kuptuarit se punët tona kanë pasur dhe kanë peshën e tyre konkrete në armatosjen e bazës sonë militante, anëtarësisë, mbështetësve dhe më gjerë, me impulsin e ideve, argumentit dhe forcës së mendjes në këtë betejë absolute përballë një kundërshtari absolut.

Ndaj, edhe për këtë manual, fjalët e mira nuk do kishin peshë për asnjërin prej nesh, përsa kohë nuk kanë peshë në betejën tonë të përbashkët. Ato duhet t‘i zëvendësojë veprimi, shpërndarja, leximi dhe përdorimi i këtij libri nga çdo demokrat.

Vetëm kështu ne zmadhojmë kundër sulmin, duke qenë më shumë që e shfletojnë dhe përdorin këtë manual, duke u ndjerë të gjithë bashkë njësoj përgjegjës për përçimin e forcës që argumentat e tij kanë në betejën kundër mburojes sulmuese të autokracisë, propagandes.

Të nderuarë bashkudhëtarë,

“Ne mundim. Ata thyhen: Ballë për ballë me propagandën” vjen si një përballje e mendimit me kaosin hipnotik të propagandës. Një e vërtetë për çdo gënjeshtër, një fakt për çdo shpifje.

Ky libër, vjen si një prej shumë përgjigjeve që Partia Demokratike duhet të përfshijë në betejën ndaj regjimit autokratik.

Ai shpërfaq një tërësi argumentash për dhjetë tema dhe slogane të propagandës së pushtetit, duke u ofruar si një mjet për çdo demokrat e shqiptar që përballet me ushtarët e regjimit në studio televizive, në terren, në institucione apo kudo tjetër ku ata shërbejnë.

Ne mundim. Ata thyhen, vjen si një thirrje e brendshme e secilit prej nesh, thirrje që zgjon shpirtin rebel të çdo shqiptari, atë të mosnënshtrimit, mospranimit, atë të fitores mbi pushtuesin e lirisë së mendimit.

Ne mundim. Ata thyhen, vjen si një klithmë që dëgjohet në mes të natës, një oshëtimë që kthen rehatinë e ëndrrave të patronazhistëve në një realitet makthi të përgjegjësisë që do të mbajnë për dhimbjen që i kanë shkaktuar çdo shqiptari.

Ne mundim. Ata thyhen, vjen si një thirrje që duhet thënë pareshtur deri sa të ngrihet si mburojë e padepërtueshme nga asnjë forcë e mundshme.

Ne mundim. Ata thyhen, vjen si një këmbanë që bie pareshtur derisa të dëgjohet nga çdo shqiptar i gatshëm të thyejë burgun e mendimit.

Ne mundim. Ata thyhen, sepse edhe diktatorët thyhen, edhe autokratët thyhen. Ata thyhen, përsa kohë ne jemi bashkë në vendosmërinë e palëkundur për të lëvizur edhe të fundit gur drejt kësaj rruge pa kthim.

Ne mundim. Ata thyhen, sepse beteja jonë është absolute kundrejt një kundërshtari absolut, dhe në këtë betejë, ata na kanë Ballë për Ballë.

About Redaksia

Check Also

Goditje tjetër ndaj Ramës, JD Vance dhe Rubio refuzuan takimin me të në Mynih, oligarkët e lobistët dështuan

Rama ka tentuar të takohet në Mynih me Zv.Presidentin amerikan JD Vnace si dhe me …