“Shpëtimtarë” të njerëzimit apo han me 100 porta?!

Nga Iva V.GRILLO

Dje, kryeministri shqiptar bëri një hap të mëtejshëm dhe arrogant drejt idesë së krijimit të një shteti bektashi, brenda territorit shqiptar.

Duke mos qënë e fushës, nuk do të merrem aspak me aspektet ligjore e implikime të shumta që ky “trill” mund të sjellë në kushtetutë, marrëdhëniet ndërkombëtare, imunitetin e shtetit më të ri e plot implikime të tjera, por nuk mund të rrija pa vënë re narrativën absurde dhe çorientuese që iu ushqye publikut dje.

Kryeministri me tone dramatike dhe një urgjencë aspak të justifikuar, shpalli se shteti shqiptar dhe shteti i ri Bektashian, do te ofronte mbrojtje (?) për komunitetin bektashian …duke krijuar idenë se komuniteti bektashian është nën persekutim dhe ka nevojë për një “shpëtimtar”.

Mesa di unë, komuniteti bektashian është një komunitet shumë i respektuar dhe shumë i vlerësuar në shoqërinë shqiptare, gjithnjë i parë me simpati edhe për shkak të natyrës së vet tolerante dhe harmonisë mes njerëzve dhe me natyrën.

Tani, kryeministri shqiptar do të bënte mirë të ishte më specifik në atë se cilin komunitet po kërkon të shpëtojë e nxjerrë në selamet -kur i thonë…, ku,si e qysh do “t’i mbrojë e shpëtojë”?!

Sepse bektashinjtë e Shqipërisë është e qartë që prej dekadash nuk kanë pasur dhe nuk kanë nevojë për mbrojtje. Ata janë të pranuar, të vëllazëruar dhe celebruar bukur në Shqipëri.

Narrativa e “shqiptarit bujar e shpëtimtar” që çuditërisht bëhet gjithnjë e më inflacioniste sa më shumë boshatiset Shqipëria, më duket një fasadë mashtruese e disa planeve ogurzeza të cilat tentojnë të bëjnë eksperimente me Shqipërinë tashmë të boshatisur.

“Bujaria” e Shqipërisë për të shërbyer si han me 100 porta për refugjatë fatkeqë që mbyllen në garnizone, të tjerë që kanë ëndërr Amerikën por i ndalojnë në Shqipëri për “një pushim” disavjeçar… idetë për të ndërtuar muzeume vëllazërie që lindin ashtu si papritur…si muzeu i Hebrenjve në Vlorë (?!) dhe së fundmi krijimi i një shteti “shpëtimtar” brenda shtetit…nuk më duken të palidhur me njëri-tjetrin.

Të gjitha duken pjesë e një “puzzle” të zymtë, të cilit do t’ia shikojmë formën dhe ngjyrat e vërteta pak me vonë…

Shpresoj që politika, konstitucionalistë e intelektualë të shprehen sa më parë duke vënë alarmin për rrezikun e një nisme të tillë “mbrojtëse”.

Po kështu, shpresoj që edhe komunitetet fetare, të shprehen qartë dhe prerë përballë njê vendimi shtetëror që për herë të parë bën diferencime dhe cënon harmoninë fetare aq shumë të vlerësuar ndër shqiptarë.

Dhe së fundi pyetja përvëluese: cili është porositësi/ përfituesi kryesor i krijimit të këtij mini-shteti Bektashian, ndërkohë që kreu i bektashinjve shqiptar, lajmin për këtë gjë (në Shtator të 2024) e mori nga televizioni…si të gjithë ne vdekatarët e zakonshëm?!

https://www.ejiltalk.org/the-law-and-politics-of…/

About Redaksia

Check Also

Shqipëria, laborator politik i Soros. eksperiment që duhet ndalur

Ilir Pecnikaj Shqipëria, është shndërruar në një laboratoreksperimental politik, me synim transformimin e strukturave shtetërore …