Profilet diabolike që zbehin interesin për politikën

Pranvera SHEHAJ

Një editorial reflektimi

Politikën nuk e ndot krimi ekonomik më shumë se paaftësia. Politikën nuk e ndot makiavelizmi më shumë se shterpësia intelektuale. Politikën nuk e bën të pacivilizuar gjaknxehtësia dhe mungesa e taktit, më shumë se shtirja, mungesa e emocionit dhe pandjeshmëria për atë çfarë flet. Politikën nuk e bën të largët e të huaj vështirësia për t’u bërë pjesë më shumë se shqyerja katërcipërore në një koklavitje profilesh, aftësish dhe rolesh për çdo soj e sorollop të bëri pjesë të saj.

Çfarë nxit interesin për t‘u marrë cilësisht me politikë e çfarë e bën të urryeshme politikën, më së miri e njeh këtë enigmë të dyanshme piktori, dhe unë këtë meritë refuzoj t‘ia mohoj. Çfarë tërheq bletët e çfarë tërheq mizat, ai e di, ndaj është investuar strategjikisht prej kohësh në këtë drejtim dhe përforcon këtë investim diabolik mediatik në prag fushate. Rezultati? Një spastrim rrënjësor i terrenit politik nga sytë prej snajperi, nga mendjet e mprehta e aq më shumë nga emocionet e forta. Depolitizimi i politikës arrihet mjeshtërisht nëpërmjet thjeshtëzimit ekstrem dhe mediokrizimit radikal të saj.

Janë të kahershme përpjekjet e Ramës për çarmatosjen politike të shqiptarëve dhe veçanërisht gjakut të ri të kapitalit politik. Taktika e parë është ajo përmes retorikës së drejtpërdrejtë, duke iu drejtuar të rinjve me  këshillime empatike të llojit: “Nuk keni kohën e politikës, keni kohën e dashurisë”, “Lërjani politikën gjithologëve, shijoni moshën”, etj. Së dyti, në një target më të gjerë, piktori ka gjunjëzuar arrogancën e tij në komunikim për ta zëvendësuar me një urtësi djallëzore teksa ftonte shqiptarët t‘i linin ndasitë ideologjike me shpjegimin se ndarjet i majtë apo i djathtë janë relike të tejkohe e ndjesi urrejtjeje të ushqyera nga politika e mbrapshtë.

Në rastin e parë, retorika e tij merr trajtën e një opiumi komunikimi të lëshuar mbi të rinjtë, në rastin e dytë të një opiumi imunizimi dhe harrese të identifikimit ideologjik që ushqen ration politike. Në të dy rastet, opiumi prek si politikën pasive (ndjekjen dhe vigjilencën ndaj politikës) ashtu edhe atë aktive (politikëbërjen).

Megjithatë, asgjë nuk ka më shumë ndikim në zbehjen e interesit për politikën sesa strategjia mediatike e personifikimit të politikës ordinere (në kuptimin të zakonshme) në modelet e promovuar dhe katapultuar në studiot e vëmendjes mediatike. E reja e paaftë, e reja e pamjaftueshme, e reja amatore, e reja që nuk përmbush, e reja që nuk zëvendëson, e reja pa meritokraci, e reja e parritur, e reja e padenjë për të ngjallur besim, e reja infantile, e reja e alibisë së qarkullimit, e reja e palexuar, e reja pa verb politik tërheqës, e reja e paguximshme, e reja e ndrojtur dhe e frikur, e reja që lustron kryetarin, e reja e kufizuar në ëndrrën për të qenë thjesht dhe vetëm burokrat, e reja që i pret krahët çdo adhuruesi objektiv të politikës dhe karikon Donkishotët që politikën e duan si reality show, kaq thjesht, kaq të thjeshtë. Edhe kur nuk janë të rinj në moshë, flokët herë të bardha e herë të rëna syrgjynosin përpara kamerës profile analitike komentuese sipërfaqësore pa asnjë inovacion në mendim, dhe në rastin më të mirë profile politike amatore periferike pa asnjë karizmë publike.

Ata nuk japin dot asnjë nga të dyja: as magjepsjen e vëmendjes përmes artikulimit të sofistikuar të teorisë dhe ideologjisë politike, as inovacion në ide dhe mendim përmes propozimeve, as sjelljen dhe përfaqësimin e realitetit të terrenit në arenën publike. Ata nuk janë dot as të përgatitur teorikisht për të luajtur përmes dijes filozofike dhe artit të fjalës rolin e rreshtit intelektual të ekipit, as të aftë praktikisht, për të luajtur rolin e pragmatizmit të ekipit, ndaj, me ta, politika është një bordello ku hyn dhe del kushdo që deliron për pak dritë; me ta, politika nuk është më arti i publikes.

Ky model diabolik i të resë, bashkuar me këtë profil diabolik të politikës së thjeshtëzuar deri në batak, ky relativizim i vështirësisë së politikëbërjes, i monopolizuar tashmë nga forca propagandistike e vetë rilindasit ka një ndikim të dyfishtë.

Së pari ai demoralizon talente të mirëfillta për politikën. Profilet kryekëput diabolike tulatin çdo kërshëri për ta ndjekur politikën, e aq më pak për t‘u investuar intelektualisht apo fizikisht në të. Kjo liron fushën nga sytë vigjilentë dhe mbyt zërat e fortë e me peshë kundër; Së dyti, brenda kampit të tij, rilindasi derivon një tjetër monopol, atë të politikanit par excellence dhe si të tillë, të pazëvendësueshëm. Për këtë nuk i njoh dot ndonjë aftësi të jashtëzakonshme strategjike, se është e thjeshtë, e ditur: rrethohu në vijë të parë nga bashkëpunëtorë që nuk të konkurrojnë dhe drita do të mbesë për gjatë e jotja. E njëjta filozofi: merre stafetën e ofertës të së resë, shkalafite këtë ofertë, mediokrizoje, njollose, shtrydhe, përdore dhe shpërfytyroje deri në velesitje, dhe sytë e dëshira do të kthehen tek e vjetra.

Kjo lojë bëhet e rrezikshme, dhe këtu nis interesi im, kur si një gropë thithëse ajo tërheq brenda vetes jo vetëm rilindas. Mediokriteti i enturazhit që Rama ka lëshuar me breshëri në këtë prag fushate, tek ai ka një qëllim të mirëfilltë. Po për ne, a ia vlen përfshirja në këtë re të zezë mediatike përkundrejt qëllimit që kemi? Thuhet se ndër dy individë, një i aftë dhe një i paaftë, fuqia ngritëse e balonës së të parit është më e dobët se fuqia thithëse e gropës së të dytit, dhe kjo shteron pyetjen se kush tërheq kë.

Druaj të perceptoj se nën frymën që mbahet gjithnjë e më shumë nga ritmi i fushatës, ne e ndjekim këtë model diabolik pa dashur dhe në përpjekje për ta mundur duke kontribuuar krejt pa qëllim në politikën amatore të gatitur nga ai dora vetë. Nuk ka kuptim të ulesh shpesh herë në një tryezë ku vlera je vetëm ti, aty ku vetëm jep, pa marrë së paku as prestigjin e një tryeze të denjë. Më e pafalshme do të ishte nëse në vrapin e fushatës, këmbët ngatërrohen dhe biem pre e mpleksjes së roleve, aftësive, dobësive dhe pikave të forta, duke iu dorëzuar nevojës për sasi.

Regjizor dhe autor i politikës së mediokritetit dhe ofrues i deritanishëm i “të resë” pa thelb, pa intelekt ndjellës, pa brum politik premtues, pa një shembull frymëzues për të rrëfyer, a mos vallë, do të rimerrte rilindasi, sikundër shpesh ka bërë, rolin e “Messias së shpëtimit nga kjo pandemi politike” duke bërë një akrobaci të bujshme në listat e kandidimit? Kështu, ai nuk do të ishte vetëm lideri i shkollës së vjetër politike, i vetëpretenduari i denjë për titanin që ka përballë. Ai do të mbetej mbartës i mjeshtërisë në komunikim ku shqipja e gjallë e ulur këmbëkryq në fjalimet e tij, bëri tashmë kontrast të fortë me profilet diabolike të shqipes së varfër. Së treti, ai do të mbetej inovatori i akrobacive politike, kësaj radhe, i vjetri që sjell të renë, jo atë të zakonshmen që u servir deri më sot, por atë të bujshmen e së ardhmes, të pamendueshmen për t‘u tërhequr nga Shqipëria.

Uroj vetëm që kësaj akrobacie, ne t‘i paraprijmë, ose së paku të mos kontribuojmë në kontrastin e frikshëm që ai po dizenjon prej kohësh me qëllim impaktin sa më të fortë në aktin final, ndaj shumë rreshta i dedikova dekriptimit të tij me qëllim kthjellimin tonë.

About Redaksia

Check Also

Një “SPAKtakël” nën kujdesin e veçantë të… korrupto-krimit

Nga Gent STRAZIMIRI Nëse një qytetar apo ent i çfarëdoshëm do kërkonte ndihmë nga policia …