Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha gjatë një dalje për mediat nga selia blu se, Arben Ahmetajt i rezikohet jeta atje ku është. Berisha e përgëzoi Ahmetajn për shërbimin e tij të jashtëzakonshëm që po i bën vendit.
“Arben Ahmetaj, atje ku është, i rrezikohet jeta.
Atje ku është, janë dërguar ekipe për të studiuar me hollësi gjithçka rreth tij.
Dhe unë nuk mund t’i them Arben Ahmetajt të kthehet në Shqipëri.
Sa u përket dëshmive, është qesharake.
Më thoni pak, çfarë dëshmie mungon për Erion Veliajn dhe djegësin 130 milionë euro që nuk ekziston gjurmë, as nam dhe as nishan?
Çfarë dëshmie mungon për Edi Ramën që i ka dhënë 8 pikë paradhënie kompanisë për ndërtimin e djegësit të Tiranës, në një kohë kur kompania nuk ekzistonte?
Çfarë dëshmie i mungon Skapit për Armando Fangun, kunatin e Linda Bashës dhe baxhanakun e Edi Ramës kur firmos urdhër arrestin dhe detyrohet ta grisë?
Çfarë dëshmie duhet për Belinda Ballukun, në telefonin e drejtorit të së cilës janë gjetur me dhjetëra dokumente dhe fakte shkatërrimtare për të?
Çfarë dëshmie u duhet për Edi Ramën që dilte me një pincë të ndryshkur dhe një gërshërë të thyer për koncesionin e sterilizimit? Për moslejimin e Vilma Nushit që të paraqitet në komisionin e hetimit të parlamentit.
Ai do të bënte një veprim qesharak, kujt t’i dëshmojë, një krimineli që kryeson Skrapin e partisë dhe që fsheh çdo krim të Edi Ramës, bëhet mburojë e krimeve të tij?
Si mund të dëshmojë para Altin Lalës ai?
Çfarë dëshmie don për implikimin e familjarëve të Edi Ramës në Porto Romano kur janë dokumentet?
Unë besoj se Arben Ahmetaj ka folur me guxim shumë të madh.
Paraqiti dokumentet që kishte, bazuar në fatura tatimore se si kompjuterat që sillte baxhanaku deklaroheshin në dogana me çmim të 10-fishtë me atë që kanë në treg.
Por paratë i merr Edi Rama, sigurisht.
Unë mendoj se shërbimi i tij është i jashtëzakonshëm dhe unë e përgëzoj atë.
Nuk bëj avokatin e tij, ju e dini që unë e kam sulmuar me dhjetëra herë dhe e tha edhe mbrëmë ai, por ka një gjë ama, në qoftë se Arben Ahmetaj në 3 intervista ka zbërthyer me fakte dhe dokumente të pakundërshtueshme korrupsionin dhe krimet e Edi Ramës dhe narkoqeverisë së tij, gjer sot, as unë dhe as ju, nuk kemi parë një dokument të vetëm, një firmë të vetëm nga Arben Ahmetaj për këtë tender apo atë tender. Nuk bëj avokatin, por duhet të jemi të hapur.
Të gjithë kemi menduar se Arben Ahmetaj me paratë e rindërtimit ka vjedhur me thasë, por ja që na del që nuk ka bërë asnjë tender të vetëm, por ua ka lënë kryetarëve të bashkive dhe aty meriton përgëzime.
Ja ku është, ka administruar ndoshta 1 miliard e gjysmë, por ka zbatuar standardin jo të Edi Ramës. Po të donte, të gjithë tenderat i realizonte nga ministria e tij. Asnjë, kështu duhet. Ka zbatuar ligjet.
Trualli i ambasadës në Nju Jork, pazaret e Edi Ramës. Jo, thotë, nuk jepet trualli i ambasadës.
Pra, ka bërë shërbime shumë të mëdha dhe në asnjë rrethanë nuk do e këshilloja të dëshmonte para kriminelëve që mbyllin dosje dhe grisin urdhër arrestet”, u shpreh Berisha.
Check Also
Veliaj pranoi se ka aksesuar regjistrin civil, kjo mjafton për ngritur një akuzë për abuzim me detyrën
Gazetari Gjergj Erebara ka ndarë një postim në Facebook, ku e ka kritikuar ashpër veprimin …