Nga Gent STRAZIMIRI
Sigurisht që Arben Ahmetaj përbën lajm në çdo rast. Përbën lajm edhe kur gënjen, edhe kur thotë të vërtetën.
Arben Ahmetaj përbën lajm edhe nëse thotë gjëra të mençura, edhe nëse thotë budallallëqe.
Është po i njëjti Arben Ahmetaj që përbënte lajm kur nuk ishte veçse një nga 140 deputetët “lepe – peqe” të parlamentit.
Përbënte lajm vetëm sepse ekzistonte!
Ç’lloj lajmi?
Po, duke nisur nga kasketa që mbante mbi kokë, këpucët që kishte veshur dhe se, cila prej tyre kombinonte apo nuk kombinonte me kostumin apo pallton…
Është po i njëjti Arben Ahmetaj që përbënte lajm edhe kur nuk ishte veçse njëri nga ministrat “në tufë” të Edi Ramës, qoftë edhe ai më i afërti me të.
Ç’lloj lajmi?
Po, duke nisur nga mënyra se si i qeshte gjatë seancave filan ministreshe, apo si bënte “qe’ palla” me fistek deputet tek dera e Kuvendit…
Arben Ahmetaj përbënte kryelajm, madje pozitiv, veçanërisht në ditët e tij më rutinë, më monotone:
*kur dilte të mbronte të pambrojtshmen e radhës, dëmin afatgjatë të radhës, skandalin e radhës dhe, e shiste për “zhvillim pozitiv me impakt historik për ekonominë e vendit”…
Arben Ahmetaj përbënte lajm edhe kur as fliste, as qeshte, as bënte “qe’ palla”…
Ç’lloj lajmi?
Nga ai lloji më i ndyrë i “lajmit”, tip “vibratori në sirtarin e të linjtave të së shoqes, gjetur gjatë kontrollit në banesë”, të zhvilluar nën “sekret” të plotë hetimor…
Domethënë, nga ai lloj “lajmi” që askush nuk guxon ende ta publikojë kur vjen fjala për Erion Veliajn…
Sot që Arben Ahmetaj është “defector”, i arratisuri i madh, i shumëkërkuari i madh, njeriu që “po të fliste do të zbërthente shumë gjëra”, nuk përbën lajm…(?!)
Për mediat kryesore shqiptare Arben Ahmetaj nuk ekziston, nuk përbën “lajm”, megjithëse … po flet!!!!
Megjithëse po flet dhe po thotë gjëra ekstremisht të rënda, edhe nëse gënjen…!!!
Edhe në këtë “berberhanen” tonë otomane ku secila prej mediave ka karrigen e saj dhe pret “të qethë e të rruajë” sipas kërkesës së klientit “lajmin” e radhës, Arben Ahmetaj do të duhej të përbënte lajm, në një formë a ndonjë tjetër…
Si gënjeshtar ose jo!
Si i besueshëm ose jo!
Si gjysëm-gënjeshtar apo si gjysëm- i besueshëm!
“Berberët” e lajmit do të duhej të kishin punuar me “gërshërë e brisk” si rëndom, dhe të ishin ndarë mes tyre si gjithmonë, jo sipas së vërtetës por, sipas “modelit” që do kërkonte “klienti” i ulur në karrigen përkatëse…
“Lajmi” është aty dhe pret të “qethet” e të “rruhet” por askush nuk e prek me dorë…
Arben Ahmetaj nuk ekziston!
As si individ e as si “lajm”!!!
Por ka lajm edhe kur “lajm nuk ka”!!!
Lajmi është që “berberhania” jonë otomane, është “mbyllur për një vaki në familje”…
Një vaki në familjen e … “pronarit”!
KAQ!