Air Albania/ Si u shndërrua krenaria kombëtare në një nga borxhlinjtë e këqinj më të mëdhenj të Shqipërisë

Nga Klodian Tomorri/

Në fillim të muajit të kaluar, një kompani e quajtur I.B.N iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë për nxjerrjen e një urdhri sekuestroje. Kompania për të cilën kërkohej sekuestroja ishte flamuri i qiellit shqiptar, Air Albania.

Sipas vendimit të Gjykatës, krenaria kombëtare siç e pati quajtur kryeministri, i detyrohej kompanisë I.B.N, 4.5 milionë euro fatura të papaguara. I gjithë ky borxh ishte i provuar përmes faturave fiskale dhe i çertifikuar nga një vendim i mëparshëm gjykate në muajin tetor të vitit të kaluar.

Gjykata e Shkallës së Parë e miratoi urdhërin duke vendosur sekuestron konservative mbi aksionet e Air Albanias deri në shlyerjen e plotë të detyrimit. Por urdhri mbahet sekret dhe nuk është publikuar, ndonëse ajo që është publikuar është një kundërurdhër i siguruar nga Air Albania, po në gjykatë dy javë më parë, për të pezulluar veprimet përmbarimore.

Krenaria kombëtare e Shqipërisë ka kohë që është në telashe me shlyerjen e faturave për furntorët, madje edhe për punonjësit. Pak muaj më parë në eksktraktin e kompanisë u shfaq një tjetër urdhër sekuestroje, këtë herë i vendosur nga ish administratori i saj Sinan Isik. Ky kërkonte pagën, që kompania nuk ja kishte paguar siç pretendonte.

E vënë sërish në qendër të vëmendjes publike, pas deklaratave të Arben Ahmetajt që e cilësoi Air Albanian si një kompani të rrënuar financiarisht nga charterat e Edi Ramës, kompania reagoi duke i quajtur akuzat si të pabesueshme, madje duke u hedhur në kundërsulm, teksa e akuzoi Ahmetajn si debitor, që nuk ka paguar biletat e fluturimit.

Por përtej pretendimeve të palëve, për Air Albanian ka një të vërtetë të madhe. Kush hyn në biznes me kompaninë ka jetë të vështirë përpara.

Ndonëse Air Albania i mban prej gati 5 vitesh të fshehta bilancet dhe pasqyrat e saj financiare duke shkelur haptazi ligjin, vështirësitë financiare të kompanisë nuk mund të fshihen dot më.

Fatura 4.5 milionë euro ndaj I.B.N-së nuk janë detyrimet e vetme që kompania nuk ka shlyer. Pak kohë më parë, emri i saj u hoq në mënyrë të turpshme nga stadiumi kombëtar, për shkak se kompania nuk i kishte paguar Federatës tarifën e emrit. Këto janë vetëm faktet publike. Por mali i borxheve të saj dyshohet të jetë shumë më i madh.

Megjithatë në këtë histori pjesa më e rëndësishme nuk janë borxhet që kompania ka ndaj privatëve sepse në fund të fundit tashmë shumica e tyre e dinë që të bësh biznes me Air Albanian ka risk të lartë. Pjesa më e rëndësishme në këtë histori janë risku i detyrimeve publike të kompanisë.

A po i paguan taksat dhe detyrimet e tjera ligjore Air Albania?

A po i derdh ajo taksat që mblidhen në çmimin e biletave atje ku duhet të derdhen?

Cili është sot kapitali i saj?

A ka lidhje rritja me 20 milionë euro gjatë vitit të kaluar e zërit të Llogarive të Arkëtueshme në bilancin e Aeroportit me Air Albanian? Si është zgjidhur çështja e tyre?

Këto janë pyetjet që duhet t’i përgjigjet Air Albania. Sepse kompania që u shit si flamuri i krenarisë kombëtare përfundoi në të vërtetë në një kompani, që u ndërtua vetëm për të siguruar charterat e maskotit të saj. Dhe tani fatura po u ngarkohet qytetarëve. Dhe po financiarisht Air Albania është e rrënuar. Një aset toksik, që emeton vetëm borxhe./kapitali

About Redaksia

Check Also

Ambulanca që nuk erdhi është aktakuzë ndaj Ramës dhe qeverisë së tij!

Nga Luçiano BOÇI David Deda dhe Sokol Preka dolën për të pirë një kafe. Nuk …