Drejtuesi politik për qarkun e Vlorës, deputeti Bujar Leskaj ka publikuar një video nga përmbytjes së Vlorës nga shiu. Ai shkruan se, sa herë që ka rreshje, qoftë edhe disa minuta, infrastruktura e Vlorës bëhet jofunksionale, ku rrugë kryesore e dytësore të qytetit pushtohen nga uji.
Reagimi
Është për të ardhur keq, se sa herë që ka rreshje, qoftë edhe disa minuta, infrastruktura e Vlorës bëhet jofunksionale, ku rrugë kryesore e dytësore të qytetit pushtohen nga uji.
Si është e mundur, që kjo situatë ndodh sa herë që ka rreshje?
Po citoj disa nga arsyet, të cilat e kolapsojnë Vlorën sa herë që ka rreshje shiu, qofshin me intensitet të lartë, të ulët apo të mesëm, pamja është e njëjta:
-Rrjeti i kanalizimeve është jofunksional, i bllokuar e amortizuar, përgjegjësi direkte e Ujësjellës Kanalizime Vlorë, si pasojë e keqmenaxhimit të këtij institucioni, burime njerëzore të fryra në letra e jo në terren, duke mos mbuluar menaxhimin e rrjetit të kanalizimeve në qytet.
-Po aq e keqmenaxhuar sa e para, është dhe hidrovori i qytetit, i cili punon me kapacitete minimale kur rreshjet jane prezente. Kjo bën që uji i akumuluar në qytet të jetë aty prezent, duke bllokuar rrugë, dëmtuar biznese e banorë.
-Dhjetra banorë e biznese denoncojnë se si pasojë e rreshjeve të muajit Tetor 2024, kanë pasur dëme të mëdha materiale e nuk kanë marrë asnjë qindarkë dëmshpërblim.
Kjo situatë e herë pas hershme, si ligj i pashkruar, “sa herë ka shi Vlora do përmbytet”, e ul cilësinë urbane në një qytet turistik e i madh si Vlora dhe vërteton investimet “fasadë” të këtyre viteve.
Rishikimi i planit të kanalizimeve, funksionimi i hidrovorit dhe reformimi i institucionit përgjegjës të Ujësjellës Kanalizime Vlorë, janë masat paraprake për shpëtimin e qytetit.