Nga Gent STRAZIMIRI
“Respekt për shtetin” është, të mos e vjedhësh e ta plaçkitësh shtetin!
“Respekt për shtetin” është, të mos dhurosh detin e tokën e shtetit!
“Respekt për shtetin” është, të mos ta kthesh në territor pa Zot, për refugjatë të shteteve më të pasura e më të fuqishme se i yni!
“Respekt për shtetin” është, të mos t’i detyrosh bujqit të presin mollët, blegtorët të therin lopët e rracës e të derdhin qumështin…
“Respekt për shtetin” është, të mos lejosh policët të ruajnë parcelat me kanabis…
“Respekt për shtetin” është, të mos lejosh të kthehet në dispeçeri të shpërndarjes së kokainës…
“Respekt për shtetin” është, të mos e kthesh në lavatriçe parash të pista kokaine, për kulla betoni!
“Respekt për shtetin” është, të mos ta mbushësh parlamentin me deputetë kriminelë, të kandidiar nga bandash kriminale!
“Respekt për shtetin” është, të mos t’ia “gërvishtësh” trupin me trarë pagesash private, nëpër rrugë të ndërtuara me paratë e shtetit…
“Respekt për shtetin” është, të mos ia mbysësh lirinë me shit-blerje vote, kërcënime me vende pune apo miklime me vende pune!
“Respekt për shtetin” është, t’ia respektosh nëpunësit, arsimtarët, mjekët, ushtarakët e policët, gjyqtarët e prokurorët, jo t’ia kthesh në skllevër kokëulur, të trembur e të terrorizuar!
“Respekt për shtetin” është, të mos ia kthesh spitalet në “bursën e vdekjes”!
“Respekt për shtetin” është, të mos ia lesh pensionistët në mjerim, të gjithë papërjashtim, pavarësisht nëse kanë qenë punëtorë apo profesorë…
“Respekt për shtetin” është, të mos ia lesh bosh bankat e shkollave, vetëm me mësues pa nxënës që rrijnë duarkryq!
“Respekt për shtetin” është, të mos ia katandisësh 47% të fëmijëve në uri proteinike…
“Respekt për shtetin” është, të mos e zbrazësh nga njerëzit, të mos t’i përzesh rininë, mjekët, infermierët e cilido që është i kualifikuar… për bukën e gojës!
Dhe në fund, “te respektosh shtetin” do të thotë që pasi e ke “respektuar shtetin” si më lart, të kesh minimumin e decencës njerëzore, të mos guxosh të akuzosh të përzënët prej teje, të ikurit nga sytë këmbët, se “nuk respektojnë shtetin”…
Është e ulët, Ulës! Ngrihu “ma nalt”!