Flet Gjeneral * Piro Ahmetaj, Koordinator për Sigurinë Kombëtare dhe marrëdhëniet me NATO
VALENTINA MADANI/
Për shkak të konflikteve në Europë dhe situatës së tensionuar në rajon, vitet e fundit Shqipëria po investon në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Në një kohë të tillë, mazhoranca socialiste po shkon drejt një nismë e cila e bën të detyrueshëm shërbimin ushtarak.
Por për gjeneralin në rezervë Piro Ahmetaj, i cili prej disa ditësh mban postin e koordinatorit për sigurinë kombëtare dhe marrëdhëniet me NATO-n” në PD, ish- zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm, Këshilltar i Presidenti, si dhe Përfaqësues Kombëtar në Komandën Supreme të NATO-s, një gjë e tillë është e pamundur. Z.Ahmetaj thotë për gazeta “Panorama” se për këtë do të duhet që minimumi në vit të rekrutoheshin mbi 25 mijë djem dhe vajza mbi 18 vjeç. Sipas tij 3 vite luftë në Ukrainë, ka rritje kritike të shpenzimeve të mbrojtjes, të numrit të forcës aktive dhe rezerviste si dhe modernizimin e armatimeve, në të gjitha vendet e NATO/BE”.
Z.Ahmetaj, pse lufta në Ukrainë dhe situata e paqëndrueshme në Europë, ka rikthyer vëmendjen e vendeve europiane tek ushtria dhe një gjë e tillë po ndodh edhe në Shqipëri, e cila ka shtuar financimet për ushtrinë shqiptare?
Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj do të doja të nënvizoj 3 fakte që shpresoj të shërbejnë si përgjigje komplementare, shpresoj shteruese për komunitetin e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare por edhe për opinionin publik: Së pari, në dhjetëra shkrime të publikuara në gazetën “Panorama”, por edhe në Kosovë, në rajon, Washington, Kolegjin e NATO-s, Qendrën Marshall dhe shume vendet e Aleancës etj., që prej 22 shkurtit 2022, pra pothuaj përgjatë 3 vite luftime të përgjakshme në Ukrainë, kam përsëritur se “agresioni ushtarak, neo-nazist i Rusisë-putiniste në shkurt 2022, nuk ishte vetëm kundër sovranitetit territorial të Ukrainës, por edhe kërcënim serioz ndaj rendit global të sigurisë, kufijve të demokracisë, si dhe ndaj kohezionit, interesave dhe vlerave trans-atlantike (USA/UN/NATO/ BE)”. Mbas 3 vitesh janë konfirmuar edhe impaktet e kësaj Lufte edhe kundërpërgjigja e fuqishme e vendeve te NATO-s dhe të BE-së! Më konkretisht: Në vend ta dobësonte, lufta neo-naziste e Rusia- putiniste, e ka forcuar edhe më shumë mbështetjen ushtarake të NATO-s për Ukrainën. Shifrat, ashtu si edhe veprat flasin më shumë se fjalët: “mbi ½ trillion euro, nga USA dhe të gjitha vendet e NATO-s, si dhe tanke “Abrams”, “Challenger”, “Leopard”, sistemeve “Patriot”, dronëve “Bajraktar”, avion luftimi, si duke rritur forcën/prezencën e 30,000 trupa të reagimit të shpejtë të NATO-s në kufijtë me Rusinë/Ukrainën, etj. Përtej dizinformimit dhe medias fake, mbetem shpresëplotë se përgjatë presidencës “Trump 2”, një NATO edhe më e fortë, pra ditë më të mira do vinë për Aleancën Euroatlantike, ndërsa edhe më të zeza për Rusinë – putiniste. Së dyti, në vend ta dobësonte, lufta në Ukrainë jo vetëm e forcoi solidatitetin/mbështetjen dhe kohezionin mes vendeve të NATO-s, por edhe i zgjeroi kufijtë e Aleancës me Finlandën dhe Suedinë, duke arritur ne 32 ose 2- fishin e vendeve që NATO trashëgoi nga lufta e ftohtë (16 vende deri 1990). Së treti, për t’iu përgjigjur me konkretisht, për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, mund të konfirmoj se për shkak të luftës në Ukrainë nga më pak se 5 vende, ose sa gishtat e dorës para luftës, aktualisht 25 vende anëtare të NATO-s kanë rritur shpenzimet ushtarake në 2% të GDP, përfshi edhe RSh (2024). Po ashtu edhe BE po për shkak të luftës ose mbas luftës në Ukrainë, ka rritur në 500 miliardë euro shpenzimet për zhvillimin e Programeve për Mbrojtjen 2025 -2029.
Nisur nga konfliktet në kontinent dhe lufta në Ukrainë, Shqipëria po blen dronë, helikopterë ushtarakë, makina për ushtrinë etj. Si mund të shtohen kapacitet mbrojtëse?
Në vend të përgjigjes, më lejoni të kujtoj se gjatë 4 viteve të fundit, si dhe përfitoj nga ky rast përsëris mbështetjen time, dhe kam përshëndetur pa asnjë paragjykim politik, reformat e sigurisë kombëtare, rritjen e buxhetit 2 %; programet e modernizmimit dhe përmirësimin e kapaciteteve operacionale (dronë, helikopterë luftimi, transportues si armatime të gjeneratës së fundit), përmirësimin e trajtimit të personelit, zhvillimin e forcës rezerviste, bashkëpunimin e pakushtëzuar me ShBA/NATO, hapjen e bazës Ajrore të Kuçovës, emergjencat civile, kontributet me shume se modeste për/me Ukrainën, etj. Po ashtu kujtoj se, kam bërë edhe oponencë të fortë (edhe në gazetën tuaj) për të ndalur arrogancën bolshevike mbi strukturat e sigurisë; për buxhetin e mbrojtjes (1 % të GDP-se deri 2019), për balancimin e pushteteve kushtetuese; kundër dhuratave si të Sultanatës për infrastrukturat strategjike, si bazën e Sarandës dhe mijëra objekteve ushtarake dhe kundër punësimeve elektorale në strukturat e mbrojtjes, etj ..!
Mazhoranca qeverisëse pritet të ndërmarrë një nismë ligjore që do t’i hapë rrugën rikthimit të shërbimit të detyruar ushtarak në vend. A duhet një nismë e tillë nisur dhe nga fakti që shërbimi i detyrueshëm ushtarak është ende në fuqi?
Kjo është një pyetje, që do të kërkonte një trajtim më të zgjeruar dhe kohë edhe më të mjaftueshme. Gjithsesi e thënë shkurt, theksoj, që Shërbimi i detyrueshëm ushtarak, është një detyrim dhe e drejtë e qytetarëve të RSh që mbështetet në nenin 166 të Kushtetutës. Pra, nuk po zbulojmë “rrotën”, as konkurrojmë si “fanar ndriçues” me vendet e NATO-s. Ndërsa si ndër ekspertët e reformës së mbrojtjes, do të doja të kujtoja për komunitetin e sigurisë dhe opinionin publik që në Strategjinë Ushtarake të vitin 2007 (miratuar me 140 vota në Parlament), nuk është hequr “Shërbimi detyrueshëm ushtarak”, por është gjetur një zgjidhje relevante, duke e definuar si “forcë profesioniste”, por pa iu hequr të drejtën qytetarëve të ushtrojnë detyrimin Kushtetues duke aplikuar për t’u rekrutuar në Forcat e Armatosura. Thënë këtë, do doja të qartësoja që në kuadër të reformës së sigurisë dhe mbrojtjes Kombëtare, pra kalimit nga “mëvetësia e mbrojtjes dhe gjithë populli ushtar” në mbrojtjen kolektive të NATO-s, imponoi shkurtime drastike po të doni t’i quani, në shpenzimet e mbrojtjes (nga 25 % në më pak se 2 %); po ashtu të infrastrukturave, pajisjeve, flotës ajrore dhe asaj detare të RSh, si dhe të numrit të forcës aktive te Forcave te Armatosura nga rreth 119 mijë në më pak se 10 mije aktualisht. Konkretisht shërbimi i detyrueshëm, u shkurtua nga mbi 75 mijë në më pak se 7 mijë, ose mbi 10 herë më pak! Nuk bëhej ndryshe, nëse do mbanim 100 mijë forca aktive, nuk do të mjaftonte e gjithë PPB e RSh! Pra, përtej folklorizmave patriotike shpresoj të mirëkuptohet, se në vitin 2007, rrethanat gjeopolitike të anëtarësimit në NATO na imponuan të kalojmë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak në forcë profesioniste, por ne teknicienët nuk shkelëm as Kushtetutën as tradhtuam sigurinë dhe interesat kombëtare. Thënë këtë, në kapacitetin ekspertit me eksperiencë në reformën e mbrojtjes, rikthimin te komponenti i shërbimit të detyrueshëm në FA sigurisht do ta quaja mbase më shumë se ekstreme dhe potencialisht të pamundur, pasi përveç të tjerave do duhet që minimumi në vit të rekrutoheshin mbi 25 mijë djem dhe vajza mbi 18-vjeç, etj..
Ligji i miratuar për rezervistët krijon mundësinë që brenda një kohe prej 45 ditësh në vit mund të ftohen qytetarë kundrejt pagesës për të qenë pjesë e Forcave të Armatosura. Por a duhet të zgjatet kjo periudhë? Sa duhet të bëhet?
Për këtë pyetje, nuk po zgjatem pasi “ligji i miratuar tashmë, ligji nr. 125/2024 përcakton dhe kohën 14-45 ditë të mobilizimit, numrin e forcës etj.”, të cilës ju i keni dhënë vetë përgjigje. Gjithsesi, më duhet ta theksoj se e kam çmuar si një ngjarje e vonuar dhe ose për “protagonizëm/privatizim politike”, por njëkohësisht e domosdoshme për peshën në fushën e reformave Euro Atlantike në FA si dhe modernizimin e kapaciteteve të mbrojtjes kombëtare. Them e vonuar pasi në dijeninë time, besoj më shumë se modeste, është një “Projekt– ide” që të paktën 15 vitet e fundit ka “mbetur në sirtarët e tallavasë politike”. Gjithashtu, nuk mund të mos themi që fryma paraprake nga të dyja anët e “llogoreve të politikës së ditës si dhe nga opinionistët e gjithëditur”, në shumicë ishin thjeshtë irracionale për të mos thënë cinike në raport me domosdoshmërinë kritike që kanë Forcat e Armatosura për të pasur si kapacitet të saj edhe forcat vullnetare rezervë. Më qartësisht, për këdo “shtetar të emëruar për t’u vetëposhtëruar apo sekserë të punësuar në Kuvend me vulën e Kryetarit” që janë tromaksur se mos i shkon natën fleta e zborit, kam dhënë një përgjigje relaksuese: “Flini rehat, pra kthehuni në krahun tjetër, se nuk ka dhe nuk ka për të pasur asgjë të tillë”. Për më qartësisht, nuk bëhet fjalë as për 2 milionë rezervistë (pra gjithë popullin ushtar ose kamikaz të Enverit), por për një forcë modeste në numra, pra rreth 20% e forcës aktive ose pak më shumë se 2000 personel. Për më tepër që kjo është një qasje e përbotshme, që aplikohet nga 32 vendet e NATO-s si dhe nga 194 shtete të njohura nga OKB-ja, përfshi Kosovën! Po ashtu, forca rezervë është edhe një qasje e përjetshme, pasi në të gjitha kohët dhe format e shtetit, asnjë vend, qoftë perandori, mbretëri, demokraci apo regjim diktatorial nuk mundet kurrsesi të mbajë 100% forca aktive për të gjithë skenarët e kërcënimeve apo ambicieve. E thënë edhe më qartë, me zyrtarizimin e këtij projekti, RSh i bashkohet një përqasje moderne të konfirmuar edhe në doktrinën e NATO-s për planifikimin, ngritjen si dhe përdorimin e përshkallëzuar të kapaciteteve dhe të fuqisë ushtarake.
A është gati PD që ta mbështesë këtë nismë nëse zyrtarizohet?
Të mbetem i sinqertë, pyetjen tuaj e gjej pa vend, pasi siç kam provuar në angazhimet e mëparshme si dhe në funksionin politik në PD, garantoj se do të “kërkoj pa kompromis” gjithëpërfshirje, konsensus të gjerë, balancim të pushteteve kushtetuese si dhe për të mbështetur reformat e sigurisë kombëtare; rritjen 3 % të buxhetit të mbrojtjes deri 2030; modernizimin e kapaciteteve në interes të sigurisë së jetës, pronës dhe mirëqenies së qytetarëve dhe zhvillimin e interesave kombëtare në rajon dhe Mesdhe si dhe përmbushjen e detyrimeve në kuadër të NATO-s. Nëse pyetja është konkretisht për komponentin “rezervist”, mendoj se pyetja është e vonuar, pasi siç edhe sipër përmenda Kuvendi ka miratuar ligjin nr. 125/2024, për të cilin konfirmoj se e kam mbështetur në kapacitetin e ekspertit.
Po pyes për shërbimin e detyrueshëm ushtarak…
Atëherë nëse pyetja është për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, përgjigja paraprake do të ishte, kurrsesi jo, për shumë arsye por nuk besoj se është vendi këtu për këto. Gjithsesi, do duhet të përgjigjemi në kohën që do të ndërmerret kjo nismë, dhe gjithsesi e sigurt që nuk do të ketë adresim partiak.
Dhe cila është zgjidhja më e mirë sipas jush?
Zgjidhja më e mirë nuk mundet të jetë kurrsesi as si mendoj unë dhe as si mund të vijë nga një intervistë sado, por si një proces i vlerësimit serioz dhe shumë dimensionale qoftë të rrethanave gjeopolitike, kërcënimeve të sigurisë, si dhe opsioneve të reagimit të përshkallëzuar për mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare. Ajo që dëshiroj ta përmbyll këtë intervistë të parë nga kjo përgjegjësi politike, është të përsëris respektin dhe zotimin tim ndaj ushtarakëve, punonjësve të policisë, inteligjencës, kibernetikës, emergjencave dhe cilido të angazhuar në institucionet e sigurisë kombëtare, se sakrificat sublime, integriteti spikatur dhe përkushtimi shembullor do të mirë-adresohen në “programin e PDSh 2025-2029” me dinjitetin që ato/ata meritojnë./Gazeta Panorama