Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ka ndërmarrë një hap goditës duke shpallur zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar Jetmir Pepën, një prej emrave më të fuqishëm të industrisë së ndërtimit në Shqipëri. Ky vendim vjen si pasojë e dyshimeve të forta se Pepa është pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që operon në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe pastrimin e parave. Ndonëse SPAK është treguar i rezervuar në dhënien e detajeve specifike, konfirmimi zyrtar flet për një operacion të gjerë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ku përfshihen gjithsej 11 persona. Në njoftimin paraprak, prokuroria thekson se ky procedim penal lidhet drejtpërdrejt me krimin e organizuar dhe investimin e parave me burime të dyshimta në ekonominë e vendit, duke paralajmëruar se informacione të tjera do të bëhen publike në vijim të hetimeve. Tronditja e vërtetë e këtij lajmi qëndron në profilin e Jetmir Pepës si një partner i preferuar i pushtetit qendror dhe vendor. Kompania e tij, “Pepa Group”, rezulton të jetë një “makineri” e vërtetë për thithjen e fondeve publike, duke arkëtuar mbi 20 milionë euro nga tenderat vetëm në harkun kohor 2019-2025. Ky sukses financiar pritej të rritej edhe më shumë, duke marrë parasysh kontratat e shumta të nënshkruara me Bashkinë e Tiranës dhe qeverinë shqiptare, kryesisht në projekte strategjike si Rindërtimi dhe ndërtimi i institucioneve arsimore. Ndërkohë që ligjërisht Pepa mbetet nën prezumimin e pafajësisë deri në një vendim gjykate, përfshirja e tij në listën e të kërkuarve të SPAK ngre pikëpyetje serioze mbi kriteret e përzgjedhjes së kompanive që menaxhojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë. Një prej fakteve më absurde të kësaj dosjeje është fakti se “grupi kriminal” i dyshuar ka pasur në dorë ndërtimin e shkollave ku mësojnë fëmijët kryeqytetas. Gjurmët e “Pepa Group” gjenden te shkolla “Kosova”, një projekt që dikur promovohej me bujë nga Erion Veliaj.
Gazeta RD