Në konferencë për shtyp, kryetari i PD, Sali Berisha, sqaroi qëndrimin e tij lidhur me marrëdhëniet me institucionet e SHBA. Ai theksoi se PD nuk ka bojkotuar asnjëherë institucionet amerikane, pavarësisht tensioneve të krijuara nga vendime politike të administratës së mëparshme.
Berisha kritikoi ndikimin e Xhorxh Sorosit dhe ish-sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, duke i akuzuar ata për ndërhyrje në politikën e brendshme shqiptare. Ai gjithashtu ngriti shqetësimin për mënyrën se si ndihmat amerikane janë përdorur për qëllime politike, duke e cilësuar këtë si një formë korrupsioni.
“Së pari, ne nuk kemi deklaruar që kemi bojkotuar institucionet e SHBA. Jo, ishte grushti i shtetit brenda shtetit që u ndërmor ndaj PD-së nga sekretari Blinken nën ndikimin e Xhorxh Sorosit, ai që krijoi problemin.
Por ne asnjëherë, pavarësisht se kush ka qenë në pushtet, ne nuk kemi pasur jashtë çdo lloj ideje që ne të bojkotojmë institucionet e SHBA. Por ne kemi shprehur haptas mendimet tona, këtë e kemi bërë ne.
Dhe sado që dikush mund të thotë se ç’po ndodh me këto ndryshime rrënjësore që po ndërmerr presidenti Trump, e vërteta është se në shumë aspekte, këto ndryshime janë të rëndësie, në vlerësimin tim, për atë vend dhe për botën e lirë.
Kështu që merr ndihmat. Unë u them ju, që unë kam ngritur tek ambasadori Donald Lu, me shumë shqetësim, por të mos thënë me zemërim, faktin se paratë e taksapaguesve amerikanë përdoreshin kundër partisë sime, kundër opozitës.
Dhe ai më betohej duke gënjyer se nuk ndodh. Dhe u zbulua më vonë se ndodhte.
Unë nuk mund të nxi kurrë projektet që kanë pasur sukses dhe janë jo të pakta, por ama këto forma…
Ose dilte tjetri, gjente në Lezhë një djalë, e bënte heroin e Shqipërisë, dhe e nxirrte se po persekutohej nga Berisha se ishte gej, në një kohë kur Shqipëria kishte qindra ose mijëra gej dhe nuk persekutohej asnjë njeri.
Çfarë ishte ajo? Korrupsion ishte ajo.
Me një fjalë, unë përshëndes këtë përpjekje, sepse transformimi i SHBA është interesi më i madh i qytetarëve amerikanë dhe njerëzve të lirë në botë.
Natyrisht Amerika nuk heq dorë nga ndihmat, por nuk mund të lejojë korrupsionin.
Nuk mund të lejojë që të përdoren për qëllime politike kundër partive politike kundërshtare të qeverisë.
Kjo është një akt jashtëzakonisht i rëndësishëm. Pra takimet janë normale”, tha Berisha.