Kryetari i PD, Sali Berisha, gjatë në konferencën me gazetarët, ka theksuar rëndësinë e platformës së shpallur nga kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, Friedrich Merz. Ai e konsideroi këtë platformë si një mundësi të jashtëzakonshme për ekonominë e Gjermanisë dhe si një model që mund të përfitohet edhe nga Shqipëria.
Berisha foli për angazhimin e Merz për transformimin ekonomik dhe mbështetje për zhvillimin e burimeve energjetike dhe teknologjisë. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për ftesën e kancelarit dhe personaliteteve të CDU-së që mbështesin PD-në.
“Kancelari i ardhshëm, Friedrich Merz paraqiti platformën e emergjencës, si të themi 100-ditëshen, pak a shumë kjo ishte.
Ai premtoi ndërhyrje transformuese ekonomike, ulje të çmimit të energjisë. Premtoi ulje të taksave mbi ushqimet.
Premtoi një përmirësim të madh të tregut të punës.
Premtoi zhvillimin e burimeve të fuqishme energjetike.
Faktikisht, me Friedrich Merz, Gjermania njeh një transformim dhe një impetus të ri të madh, çka është interesi më i madh i gjermanëve, por edhe i gjithë Europës, për aq sa ekonomia gjermane është lokomotiva e ekonomisë së Europës.
Por gjendja ekonomike nuk është ajo që duhej të ishte. Merz premtoi dhe u zotua se teknologjia dhe inovacioni do jenë drejtimet kryesore të ekonomisë gjermane.
Pra, në këtë aspekt, ajo që është emergjente për Gjermaninë, është superemergjente për vende si Shqipëria.
Kështu që ky ishte edhe një rast për të përfituar nga programi i emergjencës së shpallur nga kancelari i ardhshëm, por edhe një certifikim i programit që kemi shpallur para shqiptarëve.
Me këtë rast dua të falënderoj me shumë përzemërsi dhe mirënjohje kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë për ftesën, për ndjenjat miqësore që dëshmoi ndaj meje.
Kryeministrin e Vestasfalisë veriore, kryetarin e Bashkisë së Berlinit, Sekretarin e Përgjithshëm të CDU, deputetë, personalitete të kësaj partie, në veçanti Kristian Kramer, Sekretar për Marrëdhënie Ndërkombëtare i kësaj partie, Jurgen Hard, zëdhënës i Politikës së Jashtme në grupin parlamentar të CDU/CSU, Piter Bajer, një mik i çmuar i Shqipërisë, Elmar Brok, një mbështetës kryesor i demokracisë shqiptare në dekada, Doris Pak, një mike e shquar e vendit tonë, Olaf Guting, raporter për financat në Bundestag.
Të falënderoj shumë miq të tjerë që takova aty nga fondacioni Adenauer, që kanë ndihmuar e ndihmojnë, japin ndihmën më të çmuar për PD-në.
Pra, ua thashë edhe njëherë, udhëtimi im ishte udhëtim drejt fitores. Dhe unë kam bindjen se mbështetja e CDU për PD-në, parti që ka prioritet kryesor marrëdhëniet me CDU-në, do jetë një energji që shtyn para demokratët shqiptarë drejt fitores”, tha Berisha.