Berisha: Toka u harrua nga kjo qeveri që nga viti 2015, prodhimi më i rëndësishëm ka qenë kanabisi!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka prezantuar Programin e Qeverisjes 2025-2029 për sektorin e bujqësisë, në prezencën e specialistëve të fushës.

Gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se toka u harrua nga kjo qeveri që nga viti 2015 dhe se prodhimi më i rëndësishëm i Shqipërisë përgjatë kësaj dekade ka qënë kanabisi.

“Shpreh falendërimin tim për të gjithë ju që jeni sot këtu, dhe që në tërësi përfaqësojnë rreth 40% të popullit shqiptar që jetojnë në fshat. Për Shqipërinë sektori i bujqësisë, bujqësia, blegtoria dhe përpunimi i prodhimeve të bujqësisë dhe blegtorisë është i një rëndësie themelore në shumë aspekte.

Së pari, ky sektor është si i tillë kontributori kryesor në prodhimin e brendshëm të vendit. Ky sektor, i cili jep rreth 20% të prodhimit të brendshëm të vendit, sipas një studimi të Bankës Botërore ka marrë gjithësej 0.19% të prodhimit të brendshëm të vendit, të GDP-së, pra nuk ka marrë asnjë 1/100 e asaj që jep. Dhe ky dispoporcion i financimit të këtij sektori dëshmon qartë injorimin e plotë tij nga qeveria aktuale.

Për këtë qeveri, që nga viti 2015 prodhimi i vetëm i rëndësishëm është kanabis dhe droga. Nuk keni dëgjuar ju ndonjëherë ministrat, as kreun e tyre të flasë as për lopën, as kanalet vaditëse, të flasë për qumështin, vezët, apo fermerin. E keni dëgjuar me mijëra herë të flasë për drogën dhe kanabisin. E keni dëgjuar dhe është dokumentuar se, ky mendjeprishur konsideron të dobishme tokën e Shqipërisë për t’u mbjellë me drogë dhe jo me prodhimet e saj më të mrekullueshme, të cilësisë së lartë, të llojeve nga më të ndryshmet. Por, siç del nga mbledhjet e Këshillit të Ministrave për të droga është para, dhe o burra, të kujdesemi për të.

U injorua në mënyrë totale toka, e cila është një pasuri themelore e çdo vendi. Masat për mbrojtjen e tokës janë inekzistente. Ky njeri që në çdo fjalë nxjerr një mashtrim, ju kujtohet kur fliste për rrugicën që do ta çonte tek ara dhe ujin që do të çonte tek çdo bimë? Shqipëria, jo që nuk shtoi sipërfaqe vaditëse, por e reduktoi sipërfaqen.

E vërteta është se, për herë të parë në dekada, vitin e kaluar prodhimi bujqësor ra në mënyrë të ndjeshme. Kurse, prodhimi në tërësi dhe ai industrial ka 3 vite që bie çdo vit e më poshtë. Ka 3 vite që Shqipëria rrudhet si një vend prodhues, dhe mbetet vend shërbimesh dhe vend i ndërtimit ku, monumentet e drogës dhe korrupsionit zënë hapësirat dhe frymëmarrjen e qytetarëve shqiptarë në qytetet e mëdha të vendit”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Leskaj: Ligji për investitorët strategjikë, vjedh pronat e pronarëve, do rrëzohet nga PD

Bujar LESKAJ Dy ditë më parë, Komisioni për Ekonominë dhe Financën miratoi shtyrjen e afatit …