Dokumentet/ Si SPAK amnistoi Veliajn dhe Ramën për inceneratorin e Tiranës

SPAK dërgoi në gjykatë këtë të premte të pandehurit e dosjes së inceneratorit të Tiranës, një investim për të cilin janë paguar mbi 70 milion euro dhe që do të bënte djegien e mbetjeve të Tiranës, por që nuk u ndërtua kurrë. Akuzat iu shtuan shpërdorimit të detyrës për ish-ministrin Lefter Koka dhe ngarkuan me përgjegjësi 11 zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Bashkisë së Tiranës, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, ATRAKO.

Për 8 prej këtyre ish zyrtarëve të marrë të pandehur SPAK kërkoi dënimin me 26 vite burg.

Por në përgjegjësinë për vjedhjen me inceneratorin e Tiranës mbetën jashtë Erion Veliaj dhe Edi Rama, pa firmat e të cilëve kjo aferë gjigande e korrupsionit nuk do të ishte e mundur.

Si Rama, ashtu edhe Veliaj kanë firmosur në kundërshtim me ligjin për t’i hapur rrugë pagesës së miliona eurove për djegien dhe prodhimin e energjisë nga mbetjet e qarkut të Tiranës, sipas një tarife prej 39 euro për ton për shërbime që nuk u morrën kurrë.

Për këtë çështje, Veliaj u mor në pyetje për më shumë se 7 orë në SPAK si person në dijeni, ndërsa Edi Rama ka komentuar vetëm në një rast, kur është marrë në pyetje në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët.

Firma e Veliajt për pagesat e inceneratorit të Tiranës

Erjon Veliaj mori përsipër financimin e inceneratorit të Tiranës, me çmimin 39 euro/ton megjithëse nuk ishte në kompetencën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Firma e tij është në dokumentin e marsit të vitit 2017 përmes të cilit ai e futi Bashkinë e Tiranës në një angazhim financiar me vlerë rreth 91 milion euro, pa pyetur më parë Këshillin Bashkiak.

Por për çdo qindarkë që lëviz nga buxheti i bashkisë, vendimi merret nga Këshilli Bashkiak, jo nga kryetari i bashkisë.

Pavarësisht kësaj, firma e Veliajt i hapi rrugë procedurave të projektit, që nuk u realizua kurrë.

Për më tepër, kur mori miratimin e Këshillit Bashkiak, kontrata për inceneratorin tashmë kishte një muaj që ishte nënshkruar. Dokumenti më poshtë:

Image

Bonusi që Rama i dhuroi kompanisë inekzistente të Klodian Zotos dhe Klodian Mërtirit

Duke qenë se procedurat zyrtare për inceneratorin e Tiranës ishin fiktive, sepse pazaret ishin kryer më herët, një pjesë e mirë e dokumentave shtetërore u hartuan në fshehtësi nga Klodian Zoto, i cili punonte në prapaskenë dhe furnizonte institucionet shtetërore me dokumentat e duhura, edhe pse ai ishte një nga pronarët e kompanisë private që fitoi konçensionin.

Prandaj kur Klodian Zoto bëri një gabim dhe kërkoi bonus për kompaninë e tij, të cilën ende nuk e kishte regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, procedurat vazhduan normalisht.

Pasi miratuan studimin financiar sipas udhëzimeve të Klodian Zotos, anëtarët e komisionit të ofertave i kërkuan me shkrim Lefter Kokës të niste procedurat për t’i dhënë kompanisë Integrated Energy B.V sh.p.k një bonus prej 8 pikësh.

Lefter Koka shpërndau menjeherë shkresën në ministritë e tjera.

SPAK e ka zbuluar këtë fakt dhe në dosjen për inceneratorin e Tiranës shkruhet se: Në këtë datë që është propozuar dhënia e bonusit, shoqëria Integrated Energy B.V sh.p.k nuk rezultonte e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Ky është një nga momentet për të cilat, Ermonela Felaj që në atë kohë ishte Ministre për Shtetin e thotë me krenari se ka firmosur kundër. Sepse Integrated Energy BV sh.p.k u themelua ne 30 gusht te vitit 2017. Plot 9 muaj pas vendimit te qeverise qe i jepte asaj bonusin e pikeve.

“Fatkeqësisht, pavarësisht kërkimit disa herë, qoftë me emër kompanie, qoftë me emër aksioneri, nuk kemi mundur të gjejmë shoqërinë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, shkruajti Felaj në përgjigjen e saj për Lefter Kokën.

Nëse procedura do riniste nga fillimi, do të merrte shumë kohë për t’u korrigjuar. Ndaj Felajt i kthyen një përgjigje sa për të larë gojën dhe ajo vetë ia la për të firmosur bonusin drejtoreshës së saj të kabinetit, Rovena Vodës. Dihet se Vodaj më pas u promovua si zv.Ministre e Brendshme dhe përfundoi në burg për korrupsion.

Image

Image

Por procedurën nuk e ktheu mbrapsht as Këshilli i Ministrave. Edhe Edi Rama firmosi bonusin për kompaninë e Klodian Zotot, megjithëse kompania u regjistrua në QKB rreth 9 muaj më vonë. (Shiko dokumentin më lart)

Ndërohë më poshtë është dokumenti nga dosja e SPAK, që provon paligjshmërinë e bonusit që Rama i dha kompanisë së Klodian Zotos.

Image

Krimet intelektuale dhe SPAK

Image

Vonesat e SPAK në çështjen e inceneratorëve dhe shmangien e emrave të politikanëve që de fakto kanë treguar se ishin pronarët realë të inceneratorëve, kreu i prokurorisë së posaçme e justifikoi ndërsa fliste në parlament disa muaj më parë.

Ai shpiku një lloj të vështirë krimi për t’u hetuar, të cilin e quajti “krime intelektuale”.

“Krimet e korrupsionit janë krime intelektuale dhe prandaj janë të vështira për të gjetur provat nga prokurorët”, tha ai duke iu përgjigjur pyetjeve të opozitës se ku kanë ngecur hetimet e prokurorisë, kur dihet se inceneratori nuk ekziston fare.

Dumani u justifikua se ai nuk ndërhyn dot në kompetencat e prokurorëve të veçantë, se ai ka bërë maksimumin duke lëshuar dy udhëzime, por pranoi se ka vonesa dhe këtu përdori konceptin e krimit intelektual, që është vështirë për t’u hetuar.

Tani nuk dihet se çfarë intelektualizmi ka të vjedhësh paratë pa ndërtuar asgjë, t’i japësh bonus një kompanie që nuk ekziston, të firmosësh si kryebashkiak për një gjë që i takon këshillit të bashkisë, apo të nënshkruash 17 procedura brenda një dite… Por sipas Dumanit, vonesa për të zbardhur këto kërkon një sforco intelektuale./ Lapsi.al/ 

About Redaksia

Check Also

Rama jep licensat për prodhim kanabisi 3 muaj para zgjedhjeve për vetëm 100 mijë lekë

Rama ka nisur dhënien e licensave për prodhim kanabisi vetëm 3 muaj para zgjedhjeve duke …