Në një konferencë për gazetarët, lideri i opozitës, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për abuzim ekstrem me pushtetin dhe shpenzime luksoze të pajustifikueshme. Ai e cilësoi të papranueshme që një kryeministër të shpenzojë miliona euro për avionë privatë dhe vazo arti, ndërsa qytetarët përballen me vështirësi ekonomike.
Sipas Berishës, këto janë sjellje të një lideri të shkëputur nga realiteti dhe i pandjeshëm ndaj popullit të tij. Ai u shpreh se akuzat ndaj Ramës janë të faktuara dhe se kryeministri nuk ka mohuar asnjërën prej tyre.
“Ajo që thashë unë është një e vërtetë e padiskutueshme. Nuk ka vend dhe popull të qytetëruar që të pranojë, të tolerojë një kryeministër që i lejon vetes një jetë të shfrenuar si Edi Rama. Të mendosh se meqë je kryeministër të takon të shpenzosh 20 mln euro me avion në dispozicion, në një kohë kur një mori vendesh për kryeministrat përdorin linjat e pasagjerëve, do të thotë se je i shkëputur kryekëput nga realiteti.
Të blesh 5 mln euro vazon, instilacionin sikur të ishte pronë e Surrelit, do të thotë se nuk ke asgjë, asnjë ndjesi për vuajtjet, problematikën që kanë qytetarët e tij. Do të thotë që je i papranueshëm për ta.
Kjo është e vërteta.
Është në dorën e qytetarëve, por nëse qytetarët nesër thonë se, nuk e durojmë dot më, Sali Berisha i mbështet ata plotësisht. Ky duhet të kishte dhënë dorëheqjen që të nesërmen. Më thoni, a hodhi poshtë ndonjë akuzë? Asnjë.
I nxori altoparlamentët e tij, duke thënë se, ka qenë dhe ky zëvendës i tij. Ai nuk e tha që nuk kam qenë zëvendës i tij. Ai tha kam qenë zëvendësi i tij dhe kam parë, këto e këto. Disa prej tyre ishin me dokumente. Kjo ishte mbrojtja që bëri Edi Rama.
Edi Rama i ka bërë të gjitha këto, po ka qenë dhe ai. Ai tha mos e kanabizo Shqipërinë, ky nuk pyeti. Çfarë ti thuash atij. Ky bëri një shërbim shumë të madh vendit, ua them unë qytetarëve.
Po mo, ka qenë zëvendës kryeministër, nuk mohon. Po zv/kryeministër por ai ishte një akt pendimi, ndaj po ju them”, u shpreh Berisha.