Padia në Gjykatë/ Zhupa: Duan të na mbyllin gojën! Nuk na trembin, do vijoj të denoncoj…

Ina Zhupa deklaroi nga Gjykata e Tiranës këtë të premte se Mirel Mërtiri, një nga të kërkuarit ndërkombëtarë dhe i dënuar për çështjen e inceneratorëve, e ka paditur  për deklaratat që ajo ka bërë si funksionare e PD në lidhje me inceneratorin e Tiranës, i cili nuk ekziston.

Në deklaratën e saj, Zhupa tha se do të vijojë të denoncojë të vërtetat në interes të qytetarëve dhe se, nuk do ti ndalojë asnjë lloj padie të mos e bëjë këtë.

“Unë kam ardhur këtu sot, përpara Gjykatës së Tiranës, sepse në orën 11 e 15, kam një gjyq. Më ka hedhur në gjyq, Mirel Mërtiri.

Mirel Mërtiri është në kërkim ndërkombëtar, i cili është dënuar për inceneratorët. Më ka hedhur në gjyq për deklaratat e mia si funksionare e PD dhe si deputete e PD, në lidhje me inceneratorin e Tiranës që nuk ekziston. Zoti Mërtiri pretendon se është fyer dhe ka një dëm psikologjik të madh nga deklaratat e vërteta që kam bërë unë, qoftë nga landfilli i Sharrës, sepse Sharra nuk ka një incenerator, qoftë nga Komisioni hetimor i inceneratorëve, qoftë nga funksionet e mia për mbrojtjen e interesit publik. E them dhe e përsëris, nuk ka asnjë lloj padie në botë që mund të na ndalojë, ne Partinë Demokratike, funksionarët e saj që të ndjekim interesin publik dhe të themi të vërtetën.

Ajo që ndodh në Shqipëri është fakti që këta marrin një mbrojtje e cila ju vjen nga shumat e mëdha të parave, të cilat i kanë zhdukur nga buxheti i shtetit dhe me këtë do të mbyllin gojën e çdo funksioni, e çdo medie dhe të çdo qytetari që nuk duhet të flasin dhe nuk duhet të hapin syri përpara një afere siç është ajo e inceneratorit të Tiranës. Çfarë ndodhi me inceneratorin e Tiranës. Me inceneratorin e Tiranës është një histori shumë e thjeshtë, të cilës unë i qëndroj dhe do ti qëndroj edhe në Gjykatë. Sharra, brenda natës nga një shërbim publik, u shndërrua në një shërbim privat.

Asgjë nuk u ndryshua, asnjë shtim, asnjë incenerim-djegës nuk u krijua, por vetëm qytetarët e Tiranës paguajnë 83 mijë euro çdo ditë për incenerimin e mbetjeve kur nuk ka incenerator. Është kaq e thjeshtë. Vetëm dje doli shkrimi investigativ i mediave që thoshte, ‘përveç parave që marrin nga buxheti i shtetit, ata kanë edhe 47 milionë euro borxhe, tatime të papaguara, fatura që nuk janë shlyer, të cilat prapë do të vijnë si faturë për qytetarët shqiptarë, sepse sot inceneratori i Tiranës është nën sekuestro dhe i është vendosur një administrator shtetëror.

Këto janë dëme që i bëhen buxhetit të shtetit, këto janë para të vjedhura nga qytetarët shqiptarë. Këto janë para që mund të përdoreshin për një shërbim publik, dhe unë e kam për detyrë, ne e kemi për detyrë që ti denoncojmë. Unë kam qenë bashkë me Belind Këlliçin në Sharrë dhe na kanë vënë nga pas punonjësit për të na ndjekur, për të na intimiduar. Na ndjekin me makina. Tani na sollën padi në Gjykatë, por nuk do të thotë se do të tërhiqemi”, tha Zhupa.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Skenari i protestës do të shpallet nesër, nuk duhet që armiku të dijë të gjitha taktikat tona

Kryetari i PD, Sali Berisha, në një konferencë për gazetarët foli mbi protestën e radhës, …