Agron Duka: Mazhoranca ka dalë jashtë binarëve të ligjit, nuk mund të heshtim më! 

Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka në fjalën e tij në protestën kombëtare të opozitës, shprehu shqetësimin për drejtimin që ka marrë qeverisja në vend dhe theksoi arsyet pse qytetarët duhet të ngrihen në protestë. Sipas Dukës, mazhoranca aktuale ka devijuar nga ligji dhe vepron më shumë si pronare e vendit sesa si një qeveri e përgjegjshme.

Ai akuzoi ekzekutivin për abuzime me fondet publike, veçanërisht në infrastrukturë dhe në shpronësimet e padrejta të qytetarëve. Një tjetër shqetësim që ngriti ishte mungesa e seriozitetit në qeverisje dhe mbështetja e tepruar tek propaganda për të mbuluar dështimet.

“Unë jam kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste dhe pjesë e koalicionit opozitar, por dua të jem këtu edhe si qytetar i këtij vendi që sot ka dalë të protestojë kundër qeverisë së tij.

Duhet kohë e gjatë të rendisësh të gjitha arsyet pse duhet protestuar në këtë vend dhe gjithkush mund të ketë arsyet e veta, por unë dua t’i referohem këtyre dy prej tyre. E para është se kjo mazhorancë politike ka dalë tërësisht nga binarët e ligjit dhe ata që qeverisin nuk sillen si qeveritarë, por si pronarë të kësaj toke.

Ata ia vënë çmimin kilometrit të rrugës sa të duan, ata ia marrin tokën fshatarit, ia shembin shtëpinë ku kalon projekti publik pa e kompensuar ose duke e kompensuar me një çmim qesharak, sepse ashtu duan ata.

Ligji për këta nuk është asnjë pengesë, ligji për ta është bërë si një kostum që qepet sipas masës së atij që e porosit.

Arsyeja e dytë është se këta kanë humbur çdo seriozitet për të qeverisur.
Për të mbuluar abuzimet, arma më e fortë e tyre është propaganda. Kompania ndërkombëtare e naftës Shell u largua nga Shqipëria pasi operacioni për nxjerrjen e naftës dështoi.

E mbani mend sa herë ka dalë në konferenca kryeministri bashkë me zëdhënësin e tij duke deklaruar sesa do të fitonin nga nafta? Dhe si do t’i shpenzonin ato?
Do fitonim aq shumë para saqë do krijohej edhe një fond sovran si Norvegjia që ta kishim për ditë të këqija.

Si mund të dalësh të gënjesh publikisht dhe të mos japësh aspak përgjegjësi?

E dëgjoj shpesh shprehjen: “Ja protestuam, e çfarë u zgjidh?”
Kësaj pyetje dua t’i përgjigjem sërish me një pyetje: Dakord, nuk zgjidhëm gjë, por para këtyre vjedhjeve dhe historive korruptive, a është më mirë të qëndrojmë në heshtje apo në pritje me shpresën se situata do të ndryshojë?”, u shpreh Duka.

About Redaksia

Check Also

LaCivita: Si mundet miku i Soros, Edi Rama korruptoi Charls McGonigal!

Njeriu që riktheu Dondal Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ka premtuar se do çojë …