Lideri i opozitës, Sali Berisha, në protestën kombëtare, fjalën e tij e nisi me një falënderim dhe përgëzime për të gjithë qytetarët, demokratët dhe opozitarët që i janë bashkuar kauzës së kësaj proteste.
Berisha kujtoi momentet e kaluar, duke përmendur protestën e 20 shkurtit dhe si opozita ka arritur të mbijetojë dhe të forcohet edhe në kushtet e represionit. Ai theksoi se opozita është e pamposhtur dhe se ajo do të vazhdojë të mbrojë vlerat e lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Berisha nënvizoi se PD është më e bashkuar dhe më e fortë se kurrë, duke e konsideruar betejën me qeverinë si një luftë për liri dhe drejtësi.
“Të dashur qytetare dhe qytetarë, shqiptare dhe shqiptarë kudo që jeni sonte, në Shqipëri, jashtë saj dhe kudo në botë.
E nis fjalën time me një përulje para jush, me një falënderim vëllazëror dhe me përgëzimet e mia për të gjithë ju, për të gjithë demokratët dhe opozitarët.
Në pak kohë, ne kemi bërë shumë.
Le të kthehemi pak.
Vetëm një vit më parë, në shkurtin e kaluar, ne ishim këtu në shesh në protestën e 20 shkurtit. Lideri i opozitës ishte i arrestuar në kundërshtim me ligjin, në kundërshtim me Kushtetutën.
Dhe unë, fjalën time e mbajta nga një ekran televiziv, i burgosur politik.
Por në atë protestë ne hodhëm themelet e çdo fitoreje që meritojmë dhe që do kemi.
Në atë protestë ne u dëshmuam shqiptarëve se nga hiri u ngritëm si Feniksi dhe se ata që menduan se do na mposhtin ne, dështuan me turp. Ne jemi të pamposhtur!
Ne jemi të pamposhtur sepse ne u bashkuam.
Ne jemi të pamposhtur sepse ne mbrojmë kauzë të drejtë.
Ne jemi të pamposhtur sepse ne mbrojmë vlerat më të arrira të njeriut, mbrojmë lirinë, interesin kombëtar, dinjitetin njerëzor familjen, kombin.
Ndaj dhe vijmë sot këtu si opozitë e të pamundurës e bën të mundur.
Si PD që të pamundurat i bën të mundura.
Sot kemi vulë dhe flamur.
Sot jemi më të bashkuar se kurrë.
Sot, me tre rezoluta ndërkombëtare, jemi forca politike më e përkrahur.
Sot, jemi në këmbë më të vendosur se kurrë në betejë me diktaturën.
Do fitojmë!
Historia e deshi që ne të jemi e vetmja forcë politike që përmbys dy diktatura njëra pas tjetrës.
Diktaturën staliniste të Enver Hoxhës dhe narkodiktaturën e bastardit të bllokut komunist, Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
