Berisha: Në Gjermani mezi presin fitoren e PD! Ta harroni se mund të trembet populli opozitar!

Kryetari i PD, Sali Berisha, në fjalën e tij në podiumin e ngritur para Kryeministrisë, në protestën kombëtare të opozitës, u shpreh me vendosmëri dhe forcë për sfidat që po kalon opozita dhe populli shqiptar. Ai theksoi se asnjëherë nuk kanë marrë asgjë si dhuratë, por gjithçka e kanë merituar përmes betejës dhe sakrificës. Berisha e ngriti qëndrimin e opozitës si të pamposhtur, duke sfiduar krimin dhe sistemin e drejtësisë të kontrolluar nga qeveria.
“Asgjë nuk marrim ne si dhuratë. Ne gjithçka meritojmë me betejën tonë.
Rroftë PD, nderim qëndrestarëve opozitarë.
Miqtë e mi, përsëri krimi dhe bota e tij është kundër nesh.
Prokuroria politike dhe gjykatat e narkoshtetit janë kundër nesh.
Por ne përsëri qëndrojmë të pamposhtur.
Ne përsëri qëndrojmë të sigurt në fitoren tonë.
Ne arritëm të bëjmë pluhur, të shembim ëndrrën e pasaardhësit të xhelatit komunist, xhelatit që firmosi varjen e Havzi Nelës në litar, Edi Rramës dhe motrës së njerëzimit Xhorxh Soros, të Shqipërisë pa opozitë.
Gjithçka u bë që Shqipëria të mbetej pa opozitë.
Kryetari i PD u vendos në arrest shtëpie me urdhër të Edi Ramës.
Me urdhër të Edi Ramës, ish-presidenti i vendit u zvarrit, u godit në mes të rrugës dhe u filmua, duke menduar ky kriminel se do tmerronte opozitën.
Me urdhër të Edi Ramës, me mbështetjen e monstrës së njerëzimit Xhorxh Soros, deputeti ynë i ri, Ervin Salianji, martir i gjallë i fjalës së lirë, u burgos sepse u përball dhëmb për dhëmb me klanin mafioz më të rrezikshëm të Shqipërisë, Ballkanit, Europës, klanin Rama-Xhafaj.
Menduan se do të na trembnin.
Por gabuan rëndë.
Ja ku e kemi ne 200 metra tutje prijësin tonë të përjetshëm, Skënderbeun.
Të harrojë kush se mund të trembet populli opozitar, populli i lirisë.
Jo mor jo, përkundrazi do mjerohen ata që mund të mendojnë të na trembin ne.
Të dashur miq, pak ditë më parë unë isha në Berlin. Mora pjesë në kongresin e partisë më të madhe të qendrës së djathtë në Europë, bashkimit kristian demokrat gjerman CDU. Atje shtrëngova duart përzemërsisht me kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë. Takova miq të hershëm. Takova miq të rinj. Ata mezi po presin fitoren e PD-së për të ndërtuar një marrëdhënie të shkëlqyer midis dy vendeve.
Unë u zotova solemnisht se nga Shqipëria, zero eksport refugjatësh dhe krimi në Europë. Ky është zotimi ynë, zero tolerance”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

LaCivita: Si mundet miku i Soros, Edi Rama korruptoi Charls McGonigal!

Njeriu që riktheu Dondal Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ka premtuar se do çojë …