Sot në orën 17:00 protesta e opozitës, çfarë pritet të ndodhë para Kryeministrisë

Opozita do të mbajë këtë të të shtunë protestën e radhës kombëtare të thirrur nga Partia Demokratike.

Mësohet se ndryshe nga protestat e kaluara, ku bllokoheshin akset kryesore të kryeqytetit, ditën e sotme tubimi do të jetë i përqëndruar para Kryeministrisë, teksa po ashtu do të rikthehen dhe mbajtja e fjalimeve.

Një ditë më parë, kryetari i PD, Sali Berisha vuri në dukje se në themel të protestës së sotme është korrupsioni i mazhorancës dhe luksi në të cilin sipas tij jeton Edi Rama. Ai shfrytëzoi për këto akuza edhe deklaratat publike të ish-numrit 2 të qeverisë Arben Ahmetaj, të dhënë në një intervistë televizive pak kohë më parë.

Autoritetet bënë me dije se leja e kërkuar në Policinë e Tiranës është për tre orë tubim, nga ora 17:00 deri në orën 20:00.

Policia ka marrë si masë për ruajtjen e sigurisë kufizimin e lëvizjes së automjeteve në disa akse/segmente rrugore, më konkretisht:

-Nga ora 10:00, nuk do të lejohen të parkohen automjetet në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, në sheshin “Nënë Tereza, në rrugën “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rrugova”, në rrugën “Papa Gjon Pali II”, në bulevardin ”Zhan D’Ark” dhe bulevardin ”Bajram Curri”, nga kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”;

-Nga ora 14:00 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia njofton se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Shtetit ka marrë masa për të devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.

Një ditë më parë, kryetari i PD, Sali Berisha mblodhi në selinë blu dhe aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, ku në fokus të diskutimeve ishte protesta e sotme dhe zgjedhjet e 11 Majit. Ai i bëri thirrje çdo partie opozitare që të bashkohet me ta kundër së keqes, siç e konsideron ai mazhorancën socialiste.

Ndërkohë, gjatë konferencës me gazetarët, i pyetur mbi skenarët e opozitës, Berisha deklaroi se mbetet sekret, por tha se do të jetë e veçantë nga protestat e tjera.

Mësohet se Berisha do të shoqërohet në protestën e sotme nga dhjetra të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe do të marshojnë nga selia blu drejt Kryeministrisë.

 

About Redaksia

Check Also

Mbyllja e Tik Tok/ Asosacioni i Gazetarëve paralajmëron padi në Gjykatën Kushtetuese

Drejtuesi i Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë (AGSH), Isa Myzyraj i tha BIRN se vendimi i qeverisë shqiptare …