Fjalimi që tronditi liderët europianë: Në Europë po asgjesohen zgjedhjet e lira

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance mbështeti partinë e djathtë gjermane AfD si një partnere politike të pranueshme në komentet e kundërshtuara nga Berlini si ndërhyrje e padëshiruar në zgjedhjet e ardhshme.

Partia e djathtë AfD-ja që është kundër emigracionit, aktualisht ka rreth 20% mbështetje përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 23 shkurtit, megjithatë në Gjermani konsiderohet si parti e përjashtuar pasi asnjëra nuk pranon të bashkëpunojë me të.

Në një politikë të quajtur “firewall”, partitë kryesore kanë krijuar një konsensus për të mos punuar me AfD, e cila është nën mbikëqyrje nga shërbimi i brendshëm gjerman i inteligjencës.

Në një referencë të dukshme për AfD-në, Vance tha: “Demokracia mbështetet në parimin e shenjtë që zëri i popullit ka rëndësi. Nuk ka vend për mure.”

“Asnjë votues në këtë kontinent nuk shkoi në kutinë e votimit për të hapur portat për miliona emigrantë të paverifikuar,” tha Vance, duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih të premten.

Udhëheqësi konservator Friedrich Merz, të cilin sondazhet e tregojnë se ka të ngjarë të jetë kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, u akuzua nga rivalët muajin e kaluar për thyerjen e “firewall” duke inicuar mocione parlamentare që kishin  të bënin me mbështetjen e AfD. Por ai gjithashtu ka përjashtuar mundësinë e formimit të një qeverie me këtë parti.

Më herët të premten, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se Vance nuk duhet të ndërhyjë në zgjedhjet e Gjermanisë, kur u pyet në lidhje me një raport të Wall Street Journal në të cilin Vance citohet të ketë thënë se do t’u kërkonte politikanëve gjermanë të punonin me të gjitha partitë, përfshirë AfD-në.

Duke iu përgjigjur fjalimit të JD Vance, ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius tha në konferencë: “Nëse e kuptova saktë, ai po krahason pjesë të Evropës me regjimet autoritare. Kjo nuk është e pranueshme.”

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, kritikoi ashpër qeveritë evropiane të premten, teksa tha se kanë lanë mënjanë vullnetin e popujve të tyre, asgjësimin e zgjedhjeve të lira, injorimin e lirive fetare dhe mosveprimin për të ndalur emigrimin e paligjshëm.

Vance i bëri akuzat gjatë fjalimit të tij në Konferencëne  sigurisë në Mynih ku preku çështje kulturore të kohëve të fundit, ligjet e abortit në Britani e zgjedhjet e fundit në Rumani.

“Kërcënimi për të cilin shqetësohem më shumë lidhur me Evropën nuk është Rusia. Nuk është Kina, nuk është ndonjë aktor tjetër i jashtëm. Ajo për të cilën shqetësohem është kërcënimi nga brenda”, tha Vance.

“Tërheqja e Evropës nga disa nga vlerat e saj më themelore, vlera të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Në Uashington ka një shef të ri dhe nën udhëheqjen e Donald Trump, ne mund të mos pajtohemi me pikëpamjet tuaja, por ne do luftojmë për të mbrojtur të drejtën tuaj për ta ofruar atë në mejdanin publik”, tha Vance, duke shtuar: “Përjashtimi i njerëzve, hedhja poshtë e shqetësimeve të tyre dhe mosdëgjimi i problemeve që ata kanë, mbyllja e mediave, ndërhyrja në zgjedhje. Është mënyra më e sigurt për të shkatërruar demokracinë… Nëse ju keni frikë nga votuesit tuaj, Amerika nuk mund të bëjë asgjë për ju.”

Luftërat kulturore

Fjalimi i tij u përqëndrua kryesisht në çështjet e luftës kulturore dhe populizmin, me Vance që akuzoi qeveritë evropiane dhe ata që ai i quajti “komisarët” e Bashkimit Evropian se ishin më të interesuar në mbytjen e fjalës së lirë sesa në ofrimin e sigurisë për qytetarët e tyre.

Në një rast, ai sulmoi Britaninë e Madhe, duke theksuar rastin e aktivistit kundër abortit Adam Smith-Connor, i cili u dënua vitin e kaluar pasi shkeli një perimetër sigurie për t’u lutur pranë një klinike aborti.

Ai gjithashtu kritikoi Gjykatën e Lartë të Rumanisë për vendimin e saj të nëntorit për të bllokuar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale pasi kandidati presidencial i djathtë Calin Georgescu u akuzua se kishte përfituar nga një fushatë e paligjshme e stilit rus në mediat sociale.

“Kur shohim gjykatat evropiane që anulojnë zgjedhjet dhe zyrtarët e lartë që kërcënojnë se do anulojnë të tjera, ne duhet të pyesim nëse po qëndrojmë në standardin e lartë që kërkohet”, tha Vance.

Ai sulmoi nivelet e larta të emigracionit, duke prekur të njëjtat tema që shoqëruan kthimin e Trump në pushtet në Shtetet e Bashkuara. Ai tha se po lutej për viktimat e sulmit të së enjtes në Mynih, kur një emigrant hyri me një makinë në një turmë, duke plagosur 28 persona.

“Sa herë duhet të përballemi me këto pengesa të tmerrshme përpara se të ndryshojmë kursin dhe ta çojmë qytetërimin tonë në një drejtim tjetër?” – tha Vance, duke shtuar se numri i emigrantëve nga vendet jo anëtare të BE-së që hynë në bllok u dyfishua nga viti 2021 në 2022.

Ky ishte “rezultat i një sërë vendimesh të marra nga politikanët evopianë “, tha Vance.

Ai shtoj më tej: “Unë besoj thellësisht se nuk ka siguri nëse keni frikë nga zërat, opinionet dhe ndërgjegjja e lirë që udhëheqin vetë njerëzit tuaj.”

About Krye Redaktor

Check Also

Trump thyen mitin e Zelenskyt: Një diktator që shkatërroi vendin e tij, miliona kanë vdekur pa patur nevojë

Presidenti amerikan Donald Trump sulmon Volodymyr Zelensky në një postim në Truth Social. “Mendo pak, …