Të rikthejmë Shqipërinë në duart e shqiptarëve

Klei Hysaj 

Sot, nuk jemi këtu vetëm për të folur, por për të zgjuar ndërgjegjen e një kombi që është vënë përpara një prove historike. Nuk jemi këtu vetëm për të kujtuar çfarë kemi humbur, por për të ushtruar të drejtën tonë për të vendosur mbi të ardhmen tonë. Jemi këtu sot, një fragment i një kombi të shpërndarë, jo nga dëshira, por nga nevoja. Sot nuk ka vend për neglizhencë, nuk ka vend për justifikime. Zgjedhjet e 11 majit janë zgjedhje kundër tiranisë, kundër korrupsionit, kundër bandave që kanë mbajtur peng vendin për kohë e kohë me radhë. Në 12 vitet e fundit, kemi parë një qeveri që nuk ka qeverisur, por ka grabitur. Nuk ka ndërtuar, por ka shkatërruar. Nuk ka shërbyer, por ka sunduar. Dhe rezultati? Një milion shqiptarë janë larguar nga atdheu! Një milion jetë të shpërndara në katër anët e botës, të ndara mes mallit dhe zhgënjimit. A mund ta quajmë më këtë një qeveri shqiptare? Jo! Kjo është një qeveri kundër shqiptarëve, një qeveri që po përpiqet ta varë kombin në litar, ta shterrojë nga gjaku i tij, nga rinia, nga shpresa! Por një gjë duhet ta dinë mirë: nëse sot qeveria është e mashtruesve, e dallaverexhinjve, që e kanë çakërdisur vendin, Shqipëria është e shqiptarëve! Unë, si shumë studentë të tjerë, jam larguar për një shkollim më të mirë. Shqipëria sot ka një nga sistemet arsimore më të dobëta në Europë, dhe pas shkollimit, mundësitë për punësim dhe një jetë dinjitoze janë inekzistente, sepse kemi një qeveri që nuk vlerëson shkollimin dhe punën, por servilizmin. A është e pranueshme që të rinjtë sot të kenë më pak mundësi për të çarë përpara në jetë sesa brezat e mëparshëm? Pse sot po lejojmë një tjetër brez të rinjsh të mos ketë fatin të gëzojë vendin e të parëve tanë? A është e pranueshme që të rinjtë të mos rriten me rrënjët e tyre, të mos kenë mundësinë të ndërtojnë të ardhmen aty ku i lindën prindërit? Kjo qeveri e kalbur na ka vjedhur ëndrrat, na ka vjedhur të drejtën për të korrur frutat e sakrificave familjare, por më e keqja, na ka vjedhur mundësinë për të kontribuar në vendin tonë. Dhe a ka fatkeqësi më të madhe për një popull sesa të shohë të rinjtë e tij të ikin? Por koha e kësaj qeverie anti-shqiptare po merr fund. Sepse sot, pas gjithë aferave, skandaleve dhe përpjekjeve për të shkatërruar demokracinë dhe opozitën, tirani është ulur në zyrën e tij duke u lebetitur. Sepse e di mirë që fundi po i afron. Ndaj sot, ju bëj thirrje të gjithë të rinjve dhe jo vetëm: ngrini kokën dhe mos u dorëzoni! Është koha të tregojmë se Shqipëria është e popullit të saj, jo e një grushti kriminelësh dhe matrapazësh që e kanë kthyer vendin në pronë private. Është koha që të gjithë ne të marrim fatin në duart tona dhe të mos lejojmë më askënd të na e vjedhë. Me përulësi ju kërkoj të regjistroheni për të votuar. Nxisni shokët dhe familjarët. Mos t’i lëmë gjërat për momentin e fundit. Mos neglizhoni rëndësinë e këtyre zgjedhjeve! Ky nuk është momenti për të qëndruar pasivë. Kjo është një betejë për Shqipërinë! Kjo thirrje nuk është një thirrje partiake, sepse këto zgjedhje nuk janë zgjedhje partiake. Këto zgjedhje janë shansi ynë i fundit për të ndalur diktaturën e re, për të shpëtuar demokracinë, arsimin dhe ekonominë, për të shpëtuar karakterin kombëtar nga korruptimi. Këto zgjedhje nuk janë partiake, janë zgjedhje për dinjitet, për liri, për të ardhmen! Le t’ia kujtojmë diktaturës se nuk ka forcë më të madhe se populli. Le ta rikthejmë Shqipërinë në duart e shqiptarëve! Zoti e bekoftë Shqipërinë! Faleminderit!

About Krye Redaktor

Check Also

Dokumenti i qeverisë nuk sjell asnjë progres për arsimin e lartë

Nga Myqerem TAFAJ Qeveria paraqiti para tre ditësh një dokument për politikat e arsimit të …