Kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Gazment Bardhi kërkoi dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha, lidhur me tubimin e ndodhur në SPAK, ditën e seancës së rivlerësimit të masës së sigurisë ndaj Erion Veliaj.
Bardhi tha nga foltorja e Kuvendit, se Policia e Shtetit nuk mori për bazë thirrjen e Gardës së Republikës, duke cenuar kështu sigurinë në sistemin e drejtësisë.
“Në emër të grupit parlamentar të PD, ju kërkoj që të thërrisni në seancë Ministrin e Brendshëm i cili pa turp, seancën e shkuar jo vetëm keqinformoi opinionin publik, por gënjeu dhe keqinformoi edhe Kuvendin e Shqipërisë, duke na dhënë informacionin e rremë se nuk kishte patur Policia asnjë dijeni për prezencën e një turme punonjësish të Bashkisë së Tiranës, përpara GJKKO dhe SPAK, gjatë seancës për vlerësimin e masës së sigurisë për personin në hetim për korrupsion, Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Qoftë GJKKO apo SPAK, kanë konfirmuar zyrtarisht se përmes Gardës së Republikës, kishin njoftuar për cenimin e sigurisë së ambienteve të Gjykatës së Posaçme dhe prokurorisë. Drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, në mënyrë të paprecedentë policia e Shtetit jo thjesht nuk kishte bërë detyrën, por në shpërdorim të hapur të përgjegjësive të veta ligjore, kishte mohuar ti përgjigjej thirrjes së Gardës.
Ne nuk mund ta kalojmë në heshtje këtë çështje. Bëhet fjalë për një ‘grusht shteti të pushteti ekzekutiv’, ndaj pushtetit gjyqësor. Nëse mesazhi që qeveria juaj mafioze i jep gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë, është se nëse ata marrin vendime pa lejen e Edi Ramës, lihen pa mbrojtje nga shteti, atëherë këtu kanë rënë themelet Kushtetuese mbi të cilat është ndërtuar shteti shqiptar. Dhe ministri i Brendshëm jo thjesht duhet të dorëhiqet, por duhet të shkarkohet nga Kuvendi sepse ka gënjyer deputetët, kur tha se nuk ka patur asnjë njoftim.
Madje qëndrimi i Policisë së Tiranës, ishte edhe më skandaloz sesa qëndrimi idiot i ministrit të brendshëm përpara gazetarëve të enjten e shkuar. Policia e Tiranës thoshte se nuk kishte asnjë njoftim për tubimin e zhvilluar dhe se ishte krijuar në mënyrë spontane. E nderuar zonja kryetare, kur tubimi krijohet në mënyrë spontane, quhet i paligjshëm dhe policia ka për detyrë të ndërhyjë dhe të shpërndajë tubimin.
Por qëllimi s’ka qenë as zbatimi i ligjit, qëllimi nuk ka qenë as t’i jepnin mbështetje Erion Veliaj, se po t’ja kishin dhënë s’do ti kishin vënë ‘Nesti Angonin’ që ka dy seanca që mungon se nuk e dimë ku është zhdukur këto ditë. Qëllimi ishte një dhe i vetëm, Edi Rama i jepte mesazhin gjyqtarëve dhe prokurorëve që me punonjës administrate, madje me punonjës të policisë bashkiake të armatosur në tubim, i kërcënon jetën dhe shëndetin çdo gjyqtari dhe prokurori në Republikën e Shqipërisë që nuk i bindet urdhrave të tij apo që merr vendime pa e pyetur paraprakisht Edi Ramën.
Prandaj ju kërkoj të thërrisni në seancë ministrin e brendshëm së pari për të dhënë llogari për mosreagimin e policisë dhe së dyti, për mashtrimin institucional që i bëri kuvendit të Shqipërisë por dhe mashtrimit që i bëri qytetarëve shqiptarë”, tha Bardhi.