Kryetari i PD, Sali Berisha ka mbajtur fjalën e tij përpara SPAK, duke shpjeguar se nuk bën denoncime pa fakte dhe se ka mbledhur prova të shumta për veprimet e paligjshme të individëve të lartë në qeveri. Ai theksoi se pas hetimit të tij, kishte zbuluar se disa nga ata që ishin të përfshirë në vrasje dhe aktivitete kriminale, kishin lidhje me institucionet shtetërore, përfshirë policinë, prokurorinë dhe gjykatën.
Berisha ka akuzuar Edi Ramën dhe Taulant Ballën për mbrojtjen e këtyre individëve dhe manipulimin e drejtesis, duke përmendur raste konkrete si atë të Alfred Shehut dhe Pajtime Fetahut. Ai ka pohuar se të gjithë ata që janë të lidhur me bandat dhe mbështesin krimin do të përballen me pasojat e veprimeve të tyre. Kryetari i opozitës ka kritikuar ashpër institucione që, sipas tij, janë jashtë kontrollit dhe kanë krijuar një sistem të pasigurt për drejtësinë.
“Tani, së pari unë nuk bëj denoncime pa fakte. Dhe unë mbledh fakte, ua kam thënë dhe po ua them këtu, disa vite më parë, unë po shqyrtoja, si ka mundësi që vriteshin njerëzit dhe nuk arrestohej njeri.
Duke shqyrtuar këtë gjë, gjeta se ata rekrutonin policinë, prokurorinë dhe gjykatën, prishnin çdo provë dhe ata nuk dënoheshin. Kjo është e vërteta.
Ata del se këta kishin policë, prokurorë, gjykatës dhe dikë sipër që ishte Taulanti.
A doli para jush Alfred Shehu dhe tha se në veturën e Mehmet Grecës nuk kishte asnjë material elektoral, ndërkohë që vetura e tij e trafikantit me 50 kg kokainë në Londër, ishte plot me materiale zgjedhore dhe plot me euro.
Vetëm ata që janë si Mehmet Greca mund të lartësojnë Alfred Shehun në prokurori.
Kush e ekzoneroi Pajtime Fetahun? Cili prokuror? A është këtu ajo tani?
Këto janë gjëra që sigurisht janë ditur, por janë vendosur që të gjitha nga Edi Rama, Taulant Balla dhe janë në mbrojtje të krimeve të tyre…
…Të njëjtin fat me bandat do kenë prokurorët që janë të lidhur me bandat. Absolutisht ky institucion nuk do të ekzistojë.
Unë ndjej keqardhje se rrëmbeheni nga momente, por një institucion që është jashtë çdo kontrolli, është një institucion për t’u shuar me çdo kusht.
Së pari, ky institucion nuk mund të kontrollonte kurrë gjykatësit.
Që në momentin që ky kontrollon telefonat e gjykatësve speciale, ke krijuar atë drejtësi që as Enveri dhe Hitleri nuk e kanë pasur ndryshe.
Si mund t’i japësh prokurorit kontrollin e gjykatësve tek i cili çon dosjet? Merr fund që këtu. Dhe ju, njerëz të medieve, duhet ta denonconi këtë në mënyrën më të fuqishme.
Ekziston një akt i tillë… prandaj u thotë ju ai afërmendsh. Aty pati një shpërthim sinqeriteti Altini. Afërmendsh gjykatësi vendos atë që i themi ne.
Fatmirësisht mbështetja kryesore ndaj kësaj organizate kriminale, atje ku i iniciua, atje ka rënë përtokë. Por ne e luftuam edhe në atë kohë kur ata e mbështesnin gjer në qiell.
Mos harroni këtu kur Antoni Blinken vinte dhe takonte Altin Dumanin për të falënderuar se kishte arrestuar Sali Berishën.
Tani Antoni Blinken nuk hyn dot më në ndërtesat qeveritare të vendit të tij sepse ishte një Edi Ramë në Uashington”, u shpreh Berisha.