Kryetari i PD, Sali Berisha ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të qeverisë dhe bashkisë në lidhje me ndërhyrjen në procesin gjyqësor ndaj Erion Veliajt. Para gazetarëve dhe të pranishmëve para SPAK-ut, ai e cilësoi këtë akt si një grusht shteti të mirëfilltë.
Berisha shprehet se qeveria ka kapur drejtësinë dhe ka vendosur presion të paprecedentë mbi gjykatësit dhe prokurorët. Berisha e krahasoi situatën me vitet e errëta të Eskobarit, duke akuzuar Ramën si një version modern të tij. Ai theksoi se ky është një rast i rrallë në historinë botërore, ku shteti proteston kundër drejtësisë. Ai paralajmëroi ndëshkim për këtë ndërhyrje të papranueshme në pushtetin gjyqësor.
“Por unë sot do të dënoj me forcën më të madhe aktin puçist, banditesk të narkoqeverisë dhe narkobashkisë Rama, të cilët morën peng për orë të tëra gjykatës dhe prokurorë të çështjes Veliaj.
Rikthyen në Tiranë skenat e viteve ’80, kur Eskobari sulmoi gjykatën dhe aty pati viktima të tëra.
Pas 40 e sa vitesh, Ediskobari kreu të njëjtin akt ndaj gjykatës dhe prokurorisë.
Në historinë e botës ka pra vetëm dy raste, ka rastin Eskobar dhe rastin Ediskobar.
Në historinë e botës ka me qindra raste protestash opozitare apo grupe interesi para gjykatave dhe prokurorive në çdo kryeqytet të botës.
Por protestë shtetërore, protestë e organeve shtetërore, ajo përbën një grusht shteti brenda shtetit.
Dhe e garantoj Edi Ramën dhe Erion Veliajn se ky krim antikushtetues do u regjistrohet atyre dhe do ndëshkohen në mënyrë shembullore që kujt të mos i shkojë mendja në pushtet të sulmojë pushtetin tjetër”, tha Berisha.