Nga Franci NURI
– Drejtues i Departamentit të Drejtësisë në PD
“Asnjë herë mos e ndërprit armikun kur është duke kryer një gabim”. Thënia e famshme e Napoleon Bonapartit duket se nuk humbet kurrë aktualitetin, as pas 200 viteve, në cdo kohë dhe cep të Botës.
Pas arrestimit të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në 10 Shkurt, zhvillime të shpejta e të nxituara duket se po ndodhin në kampin e mazhorancës.
Fillimisht, Kryeministri Edi Rama u shfaq jo pak i turbulluar në daljet e shpeshta që u detyrua të bëjë në media, ku me stilin e tij teatral tentoi të qetësojë shpurën e hutuar e të frikësuar të organizatës socialiste.
Më pas, Rama i cili nuk kishte shkelur prej vitesh në dyert e Bashkisë që ai vetë drejtoi për mbi 11-vite rresht, u pa brenda dy ditëve të shfaqej krejt papritur të paktën tri herë në ambientet e Bashkisë, teksa doli prej atje duke “bekuar” komandimin e një Nënkryetari të Bashkisë për të drejtuar punët e zakonshme në kushtet kur Erion Veliaj ndodhej ende në ambientet e Bllokut të Sigurisë në Rrugën “Mine Peza”. Cuditërisht, jo pak analistë dhe vëzhgues të matur të situatës, e panë me sy kritik këtë zhvillim.
Përse duhej Kryeministri i vendit të mbikqyrte apo të merrte si në intervistë Nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, dhe kjo më pak se 48 orë pas arrestimit të Kryetarit Veliaj? As Kushtetuta dhe as Ligji Nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, nuk i jep asnjë tagër, kompetencë apo të drejtë Kryeministrit (apo cilitdo personi tjetër të veshur me pushtet) që të ndërhyjë në cdo mënyrë lidhur me fatin e drejtimit të një bashkie të vendit, qoftë kjo Bashkia më e madhe, Kryeqyteti i Shqipërisë. Sipas legjislacionit relevant në fuqi, në rast pamundësie të Kryebashkiakut të zgjedhur me votë për të ushtruar detyrat e tij, është Këshilli Bashkiak, organ i zgjedhur po me votën e drejtëpërdrejtë të qytetarëe të Tiranës, organi i cili ka kompentencë dhe vendos me votë se cili Nën/Kryetar do të marr në dorë drejtimin e përkohshëm të institucionit të Bashkisë.
Akoma më i cuditshëm duket kjo ndërhyrje për caktimin e pasuesit të Veliajt, në kushtet kur gjyqi rreth fatit të Erion Veliajt nuk ishte zhvilluar akoma, por vendimi për mbajtjen në burg për Veliajn u vendos nga Gjykata e Posacme (GJKKO) të nësërmen në mbremje. Në këto kushte, si shpjegohet ngutja për zëvendësimin e Erion Veliajt në institucionin e Bashkisë Tiranë, më pak se 48 orë nga arrestimi i tij dhe ende pa pritur vendimin e Gjykatës ? Mos ndoshta Edi Rama e kishte të qartë fatin e Erion Veliajt dhe ishte duke bërë atë që në politikë dhe PR konsiderohet “kontrolli i dëmeve” (damage control) ?
Fakt është që Rama në daljet e tij publike jo pak të tensionuara të kohëve të fundit, tej agresivitetit dhe humbjes së qetësisë, ka patur merakun të kalon disa mesazhe tek të vetët:
(i) se ai nuk i braktis bashkëpunëtorët ; dhe se
(ii) Drejtesia qënka e pavarur nga Kryeministri.
Për mesazhin e parë, të paktë janë besoj ata që e marrin të vërtetë, për sa kohë mund të ngrihet një ekip futbolli me eksponentë të lartë të Rilindjes që janë në qelitë e burgjeve të Shqipërisë. Sa i takon mesazhit të dytë, aty do doja të ndalesha disi më tepër.
Edi Rama, para pak kohësh deklaronte hapur se e priste goditjen brenda kampit të tij, duke e cilësuar si një kosto të mirëseardhur, kur shprehej publikisht, se:
“Po përsëris që ajo që ka bërë Partia Socialiste nën udhëheqjen time është epokale. Është e para forcë politike në historinë e këtij vendi që ka marrë një vendim dhe ka shprehur vullnetin më të plotë që të tërheqë fuqinë e vet nga territori i drejtësisë. Dhe me kosto patjetër që ajo drejtësi e çliruar nga pushteti politik do të godasë edhe brenda nesh. Dhe një kosto jo e paftuar, por një kosto e mirëseardhur për mua. Sepse nga pikëpamja organizative, nga pikëpamja administrative, ti mund të bësh gjithçka, por kur vjen puna te gjykimi për vepra penale nuk e bën dot këtë. Për këtë duhet drejtësia, duhet prokuroria, duhet gjykata” – deklaronte Rama në emisionin Opinion në 31 Tetor 2024.
Vijonte më tej Edi Rama kur mburrej se Drejtësinë “e re” e kishte udhëhequr vetëm Partia Socialiste dhe se sa krenar ishte ai për këtë Drejtësi, duke shtuar se:
“…Reforma në drejtësi, që e udhëhoqëm ne, Partia Socialiste, (…) e udhëhoqëm ne, e futëm ne në program në vitin 2013”, duke deklaruar madje se “Kemi krijuar një mitraloz të pavarur që godet majtas, djathtas, afër meje, larg meje”, thoshte Edi Rama në Opinion, në 31 Tetor 2024.
Sot ky “mitraloz i pavarur” sipas Ramës, që guxoi të arrestonte Veliajn dhe bashkeshortën e tij Ajola Xoxen (më pas GJKKO e la me masën detyrim paraqitjeje), apo kjo Drejtësi që futi nën hetim edhe Klotilda Bushkën – pa e pyetur asnjëherë, Rama u shfaq tejet i rrevoltuar dhe i shokuar, duke u indinjuar disa herë, “Ku jemi këtu ne!?”, “Ku jemi këtu ne!?”, teksa rrotullonte sytë për të detektuar ndonjë lëvizje fatale në atë cast, porsi kukulla e lojës së parë “Green Light, Red Light” në “Squid Game” të Serialit Netflix.
Po si arritëm këtu, pra, kur standardi i kësaj Drejtësie ishte arrestimi i Prof. Jamarbër Malltezit dhe Liderit të Partisë Demokratike Prof. Doktor Sali Berisha, pa i marrë asnjëherë në pyetje! Përse atëherë nuk reagoi kush, por tani Rama na shfaqet i shqetësuar për standardet e Drejtësisë dhe për rrespektimin e të drejtëve të njeriut?
Në daljet e tij të tubulluara, Edi Rama nuk ngurroi të shigjetojë drejtësinë e të përdorë terma si “Republikë Prokurorësh”, “Abuzim me pavarësinë”, si dhe nuk ngurroi aspak të intimidojë edhe institucionin e ILD-së, drejtuesi i të cilit, tej lidhjes familjar me ish-eksponentë të PS, duhet të jetë një institucion i pavarur nga ekzekutivi, kur u shpreh me ironi se, “Mbase është zgjuar nga gjumi Inspektori i Lartë i Drejtësisë!”. Më i ashpër ishte sulmi i Ramës drejtuar Gjykatës së Posacme, teksa deklaroi pa hezitim se “..Pra, bëhet fjalë për dy kamikazë të Partisë Demokratike në GJKKO” dhe se “Kjo është vepër penale” – sipas tij.
Por qershia mbi tortë erdhi kur Edi Rama mbylli fjalën e tij, teksa deklaroi publikisht organeve ligjzbatuese që, “Mos të bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim. Boll i kanë. Kanë mbledhur të gjithë telefonat e Shqipërisë”. A mos vallë Edi Rama e konsideron vetën mbi Ligjin? Apo mos ndoshta ka menduar se ai është vetë “Ligji” ?
Si mundet Rama të caktojë se cfarë është apo nuk është “vepër penale” ? Si mundet një Kryeministër në një Shtet të së Drejtës, të lëshojë “urdhera” për institucionet që duhet të jenë të pavarura, Gjytatat, Prokurorinë apo ILD ? Si merr kurajon ai e u thotë, mos guxoni të vini e kërkoni telefonin tim?! Dhe kjo ndodhi pikërisht në mbledhjen me deputetët e PS ku një prej tyre u sqarua publikisht lidhur vënien nën hetim për pengim të hetimeve të SPAK.
Me ato deklarata të tij, duke u qarë publikisht se kjo Drejtesi i paska dalë duarsh, Rama dontë të përcontë mesazhin për të vetët, se këto sulme nuk burojnë dhe as nuk vijnë prej tij apo enturazhit të tij dhe se drejtësia është e pavarur nga ekzekutivi.
Në fakt, të gjithë jemi dëshmitarë se kjo Drejteësi vepron me regji ! Sa hera ka ngjarje dhe zhvillime të rëndësishme politike në vend, cuditësirisht atyre ngjarjeve u mbivendosen koincidencat e panumërta të kalendarit të Drejtësisë. Ndonësë sic u bë publike, kërkësa për arrestimin e Veliajt nga SPAK kishte shkuar prej datës 24 Janar në Gjykatë, arrestimi i Veliaj ndodhi pikërisht pak minuta pasi në Tirane u zyrtarizua drejtuesi i Fushatë së Partisë Demokratike, nëherësh edhe Personi numër një i fushatës së rikthimit të Donald Trump në shtëpinë e Bardhë, z. Chris LaCivita.
E le të rikthemi sërish tek Drejtësia dhe qëndrimi 180 gradë ndryshe i Ramës për të. A nuk ishte Rama ai që kur i arrestoheshin eksponentët e tjerë të PS, deklaronte se: “Të lëmë drejtësinë të bëjë punën e saj me cdo dru të shtrembër në radhët tona”, apo “…Kjo parti dhe qeveri nuk bëjnë dot asnjë koment për cështjet që hap SPAK-u. Madje sa më lart të jenë ngjitur kërkesa e SPAK, aq më shumë e presim të vërtetën vetëm nga SPAK-u” ?
Cfarë ndodhi kësaj herë me arrestimin e Veliajt që Rama bëri kthesën 180 gradë në raport edhe me Drejtësinë e rë të pretentuar se e ka krijuar ai dhe PS, aq sa të deklarojë se mandatin e katërt e do për të vendosur standarde në Drejtësi ?
Mos vallë Drejtësia e re ja hoqi nga duart lojtarin Veliaj atehërë kur i nevojitej më tepër, fiks para fushatës zgjedhorë në betejën e Tiranës?
Në fakt Edi Rama kishte kohë që Veliajn e kishte izoluar, si duke e dubluar me personazhe dhe eksponentë të tjerë në drejtimin politik të Qarkut Tiranë, ashtu edhe duke e hequr atë nga thuajse të gjitha fotot qe publikontë Rama muajt e fundit.
Ndaj më kot e ka Rama justifikimin se Drejtësia i ka dalë duarsh. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, atëherë Rama do të ndihej sot si mjeku Viktor Frankenstein, i cili pasi krijojë monstrën “Frankenstein” që i doli duarsh dhe ju kthye kundër vetë krijuesit të tij, u përpoq më kot të asgjësonte atë që kishte krijuar vetë.
Pas 12-vitesh pushtet gati-gati të pakushtëzuar, ka kohë që Edi Ram dhe shpura e tij janë shkëputur totalisht nga realiteti në Shqipëri. Ata jetojnë në një Botë paralele, e cila nuk ka asnjë lidhje me jetën e përditshme të qytetarëve shqiptare.
Por ndoshta për të mirën e të gjithë Shqiptarëve, koha e Edi Ramës në politikën aktive, e nisur në vitin e largët 1998, duket se po i vjen fundi me shpejtësi. Zgjedhjet e 11 Majit po afrojnë dhe Shqiptarët me votën e tyre masive do bëjnë që Edi Rama të zbresë nga pushteti për t’u përballur me Drejtësinë.