Kryetari i PD, Sali Berisha, në ceremoninë e përkujtimit të rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, ka akuzuar Edi Ramën se ai është njësoj si i ati i tij, Kristaq Rama. Ai tha se, Edi Rama nuk ndryshon nga babai i tij, që firmosi varjen në lista të Havzi Nelës.
“Të dashur miq, sot ne jemi në një situatë, në një gjendje, në një diktaturë në disa aspekte më të egrën që ka njohur kombi. Sot, Edi Rama në 12 vite të sundimit të tij zbatoi pikë për pikë platformën më antishqiptare të hartuar ndonjëherë, atë të Vaso Çubrilloviqit, të largimit të shqiptarëve nga Shqipëria.
Sot, ai veçanërisht mandatin e fundit, shpalosi para shqiptarëve dhe botës një Shqipërie pa opozitë. Të një Shqipërie ku të gjitha pushtetet duhet të ishin në duart e tij. Të një Shqipërie në të cilën ai burgosi 3 liderët e partive kryesore opozitare. Të një Shqipërie ku krimi elektoral nuk ndëshkohej, por përkundrazi amnistohej si li censë për t’u përzgjedhur në zgjedhje dhe për të garantuar mandatin.
Mund të ketë njerëz që nuk janë dakord, por ju them se në këtë rrafsh, Edi Rama dallon shumë, shumë pak, ndofta aspak, me babain e tij që 37 vite më parë firmoste, intelektual ai gjoja, firmoste varjen në litar në shesh publik të Havzi Nelës. Për fajin e vetëm se, Havzi Nela kishte mendime tjera nga skulptori xhelat, Kristaq Rama.
Pra, Edi Rama punoi dhe u angazhua me të gjithë forcën e tij për një Shqipëri pa opozitë. Por miqtë e mi, jo, kjo është vetëm njëra anë.
Edi Rama punoi për Shqipërinë e mjerimit, për Shqipërinë e varfërisë.
Të gjithë ata të cilët duan të ndalen në shifra, në fakte, do të gjejnë se kjo që ndodhi në 12 vite është varfërim i qëllimshëm i shqiptarëve, është varfëri në doktrinën e diktatorëve, të cilët besojnë se të varfrit mund t’i sundojnë më lehtë.
Në qoftë se, Enver Hoxha zgjodhi bunkerë dhe tunele në paranojën e tij, për të investuar 35% të buxhetit çdo vit, Edi Rama vodhi me ministrat dhe zyrtarët e tij çdo vit jo më pak se 40% të buxhetit të shqiptarëve.
Në këtë vjedhje të tmerrshme qëndron shkaku, se pse shqiptarët nga më mirë të paguarit në vitin 2013, qoftë në rroga, qoftë pensione në krahasim me popuj të tjerë të rajonit, sot janë 2-3 herë më pak të paguar se sa ata.
Në këtë vjedhje të tmerrshme qëndron shkaku se pse shqiptarët në spitalet e tyre vdesin jo nga sëmundjet, por mungesa e mjekimit. Se pse cilësia në shkolla bie në mënyrë vertikale.
Pra, ky është dhe aspekti më i zi i narkodiktaturës së sotme”, u shpreh Berisha.