Berisha: Statuja e satanit u zvarrit në rrugët e Tiranës si një akt urrejtjeje për atë çfarë i kishte bërë kundër shqiptarëve

Gjatë fjalës së mbajtur në takimin përkujtimor të ‘Lëvizjes Dhjetor ’90’, për rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha në shkurt të vitit 1991, kryetari i PD, Sali Berisha tha se, statuja e satanit u zvarrit nëpër Tiranë si shenjë hakmarrje.

“Diktaturë e cila, krahas tiranisë së mjerimit, në dallim nga të gjitha diktaturat tjera komuniste, vendosi tiraninë e izolimit. Në rast se kombet tjera ish-komuniste nga Hani i Hotit gjer në Kamçatkë lëviznin lirshëm në hapësirën e tyre, shqiptarët ishin të ngujuar, të ndryrë në 28 mijë km2 dhe të shkëputur nga bota, çdo përpjekje e tyre do të hasej me breshëri automatiku.

Kjo tirani izolimi u shoqërua me indoktrinimin ekstrem të tyre. Indoktrinim i cili bëri që edhe vite pas vdekjes së diktatorit, kulti i tij të mbetej i stërfuqishëm.

E them këtë sepse, indoktrinimi që shqiptarët pësuan nga ai kult është indoktrinimi më i keq që njerëzit mund të kenë patur ndonjëherë në histori.

Pas rrëzimit të shtatores, mijëra e mijëra shqiptarë rrëmbyen armët. Kjo është e vërteta, se gjërat duhet t’i themi siç janë. Mijëra të tjerë u përpoqën të rikthejnë në shtatoren në piedestalin ku ishte vendosur flamuri kombëtar, por të gatshëm për gjakderdhje shkrepën breshëri kallashnikovi në Fier. Plagosën dhe vranë mbi 11 protestues dhe po kështu në mbarë vendin.

Mirëpo, forcat demokratike nuk u tërhoqën. Ato kanë një meritë të madhe, sepse nuk ranë në lojën e një konflikti civil. Bënë gjithçka dhe shmangën një konflikt civil, por nga ana tjetër bllokuan të gjitha përpjekjet për rikthimin e diktatorit në piedestalin e tij dhe rivendosjen e kultit.

Në rast se, Ramiz Alia pas kryengritjes së 2 korrikut arriti të rivendosë perden e hekurt me një vendosmëri kriminale, nuk arriti më të rikthente diktatorin në piedestalin ku ishte.

Kjo ditë është shpallur zyrtarisht edhe dita e kujtesës kombëtare, e nderimit të vuatjeve, të sakrificave, marterizimit të të përndjekurve politikë në Shqipëri.

Ka patur një debat për këtë ditë. Dita e nderimit të martirëve të diktaturës komuniste mund të kishte data të tjera, por u them të vërtetën ju këtu, ajo ditë u dekretua vetëm për të shënuar triumfin e tyre.

E pazakonshme që të zvarriten statuja, por statuja e satanit u zvarrit në rrugët e Tiranës si një akt urrejtjeje dhe hakmarrje, për atë çfarë i kishte bërë kundër shqiptarëve.

Në këtë ditë, unë përulem me nderimin më të thellë para martirizimit, para sakrificës, qëndresës për lirinë e fjalës, për besimin tek Zoti, për besimin tek Shqipëria, për vokacionin perëndimor të kombit shqiptar të qindra e mijëra atdhetarëve të këtij vendi, të cilët përjetuan shtypjen më të egër, barbaritë më të mëdha, por nuk u mposhtën.

Qëndruan si luanë në burgjet dhe kampet e përqendrimit të Shqipërisë dhe i shndërruan ato në kështjella të pamposhtura, i shndërruan në qendra të fuqishme, vatra kryengritjesh përballjesh me diktaturën dhe dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm historik në fitoren e PD mbi diktaturën komuniste, më 22 mars të vitit 1992”, u shpreh Berisha.

About Redaksia

Check Also

Skandali miliarsda euro/ Gjykata Kushtetuese rrëzon padinë e opozitës për Portin e Durrësit

Një tjetër skandal korruptiv miliarda euro i qeverisë së Edi Ramës, ka marrë miratimin e …